Drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë kanë qenë dakord për ndryshimet në ligj, duke përshëndetur rikthimin e departamenteve. Por kjo pjesë është kundërshtuar nga shefa të shërbimeve të cilet kanë theksuar se nuk duhet të ketë ndryshime të ligjit, pasi ato do e kthejnë situatën pas. Sipas shefit të kardiokirurgjisë Edvin Prifti, një shef departamenti nuk mund të hyjë deri në specifikat e shërbimit sa i përket mësimdhënies. “Po marr një shembull, shefi i departamentit të kardiologjisë i cili do të jetë një kardiolog, si mund të japë mësim kardiologu për kardiokirurgjinë. Ne kemi të tjera praktika, edhe ne nuk mund të japim mësim tek kardiologët” ka pohuar Prifti.
Doktoraturat
Drejtuesit e rinj të Universitetit Mjekësor të Tiranës, kanë lëshuar një sërë akuzash mbi opozitën aktuale se si ka menaxhuar zgjedhjet e shefave të shërbimeve, dhe si janë dhenë titujt e doktoraturave në fakultetet mjekësore. Ka qenë vetë rektori Ali Refatllari i cili ka pohuar se heqja e departamenteve në vitin 2010 i hapi rrugë abuzimit sa i përket doktoraturave. “Heqja e departamenteve në 2010 ishte një dëm shumë i madh që iu bë procesit kërkimor-shkencor, dhe ku linte për të dëshiruar procesi i mësimdhënies tek studentët, tek specializantet dhe tek doktoraturat.
Mund të them që me atë ligj që u bë në vitin 2010 doktoraturat përfundonin nga dy pedagogë të brendshëm dhe 3 të jashtëm. Por dua t’ju vë në dijeni se këto doktoratura firmoseshin te restorant “Viktoria”. Ndaj duhet të rregullojmë ligjin që të hyjnë profesorët brenda, pasi kur të merren doktoraturat të merren nga specialistët dhe jo të bëhet pazar lart e poshtë”, ka pohuar Ali Refatllari, rektor i Universitetit të Mjekësisë. Duke qenë në këtë situatë, rektorati i mjekësisë ka kërkuar që të nisë një audit në lidhje me këto doktoratura të dhëna në vitin 2012 e këtej.
“Në Fakultetin e Mjekësisë kemi dhënë urdhër të mos ekzekutohen këto doktoratura, pasi ato janë dhënë në vitin 2012 dhe ne sot jemi në 2014-ën. E njëjta histori është për stomatologjinë dhe farmacinë. Në këtë situatë ne kemi nisur një proces auditi, i cili sot ka përfunduar te farmacia dhe javën e ardhshme do të kthehemi tek infermieria për të parë se ku jemi me kriteret e hyrjes në doktoraturë, por edhe të daljes mbrapa” ka pohuar Refatllari. Ndërkohë që drejtuesit e rektoratit kanë pohuar se dhe në përzgjedhjet e shefave të shërbimeve të realizuara si në 2012-ën dhe në 2013-ën është abuzuar, ku shumë persona anëtarë të bordit janë vetëzgjedhur shefa.
Debati
Të thirrur në Komisionin e Edukimit për ndryshimet e pritshme në ligj dhe funksionimin e Universitetit, rektori i Mjekësisë dhe dekanët kanë replikuar në distancë. Kreu i Universitetit të Mjekësisë, Ali Refatllari dhe kryetari i Këshillit të Profesorëve Mihal Tase kanë sqaruar para deputeteve se amendimet në ligj janë të përkohshme deri në miratimin e ligjit të ri të arsimit të lartë. “Heqja e departamenteve në ndryshimet që iu bënë ligjit në vitin 2010 ishte një gabim, ato duhet të rikthehen pasi rrisin kualitetin e mësimdhënies dhe kualitetin shkencor.
Ajo që ne nuk jemi dakord, është përbërja e bordit të QSUT-së. Nuk ka pse të jenë 3 shoqata. Ne si rektorat dhe si këshill profesoriati, unanimisht jemi që të jetë vetëm shoqata e pacientëve e pranishme dhe jo të tjerat. Duhet të ketë më shumë përfaqësues të institucioneve të tjera”, ka pohuar Mihal Tase, kryetar i Këshillit të Profesorëve. Akuzat në distancë mes palëve kanë vijuar edhe me dekanët e fakulteteve të Mjekësisë dhe Infermieris, të të cilët kanë pohuar se janë dhe kanë qenë kundër krijimit të Universitetit të Mjekësisë.
Por, drejtuesit e Universitetit të ri kanë sqaruar se nuk do të ketë mbyllje të tij. Universiteti i Mjekësisë do të funksionojë normalisht dhe sipas rektorit ai ka hyrë në procesin e akreditimit si gjithë institucionet e tjera të arsimit të lartë.
Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)
