Një ditë përpara fillimit të vitit të ri akademik, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka publikuar një videomesazh për të gjithë studentët.

Ai thotë se situata e krijuar për shkak të koronavirusit ka detyruar që mësimi të zhvillohet online deri në një urdhër të dytë.

Gjithashtu Hoxha siguron të gjithë studentët që janë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik.

"Të dashur studentë dhe kolegë. Ju uroj suksese dhe mbarësi për fillimin e vitit të ri akademik 2020-2021. Ky është një fillim viti i ndryshëm i diktuar nga situata e përgjithshme e zhvillimit të pandemisë për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe që na ka detyruar të riorganizohemi dhe t'i përgjigjemi në interes të mosndërprerjes dhe zhvillimit të proceseve akademike në kushtet e imponuara. Në këtë situatë të pazakontë përkohshme, ruajtja e shëndetit tuaj është prioritar. Universiteti i Tiranës ka marrë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e jetës së studentëve, personelit akademik dhe stafeve ndihmës. Autoritetet kanë marrë përsipër përgjegjësinë e garantimit të proceseve akademike pavarësisht vështirësive dhe të papriturave që do të krijohen nga kjo pandemi. Dua tju falenderoj për punën në përmbushjen e detyrimeve në mbarëvajtjen e vitit akademik. Të nderuar studentë ju uroj suksese sidomos atyre që hyjnë për herë të parë në Universitetin e Tiranës. I bëj thirrje për mirëkuptim, bashkëpunim dhe nevojë absolute për të bërë kujdes në zbatimin e rregullave dhe protokoll" - thotë Hoxha.

Teksa nesër studentët do të nisin vitin e ri akademik, vetëm 4 ditë para kësaj date komiteti teknik i ekspertëve të shëndetësisë, u dha lajmin se për të paktën një muaj do të duhet të mos i shkelin auditoret dhe mësimin ta mbajnë online.

Edhe në një shkresë e ministrisë së Arsimit që të paktën studentët e viteve të para të zhvillojnë javën e parë të mësimit në auditore, u rrëzua nga Ministria e Shëndetësisë duke i rikonsideruar universitetet të rrezikshme për përhapjen e infeksionit COVID-19.