Dy relacionet analizojnë “problemet ideologjike të historisë së Arteve në Institutin e lartë të arteve dhe të kurseve historiko-letrare të letërsive të huaja në Universitetin Shtetëror të Tiranës”.
Dokumenti i parë që sjellim për lexuesit sot zbulon se me ç’mënyra bëhej përzgjedhja e teksteve e autorëve dhe e rrymave artistike dhe çfarë spastrohej nga tekstet e historisë së arteve, muzikës dhe arkitekturës në Institutin e lartë të Arteve në Tiranë, në kohën kur arriti kulmin “Fushata për revolucionarizimin e jetës së vendit”.
Më poshtë sjellim të plotë relacionin e përgatitur për “Problemet ideologjike të historisë së arteve në Institutin e lartë të arteve”.
Ad.Pe.
Dokumenti i plotë
Probleme ideologjike të historisë së arteve në institutin e lartë të arteve
Në kuadrin e revolucionarizimit të shkollës, në bazë të rrahjes së mendimeve në dritën e mësimeve të partisë dhe të shokut Enver, edhe programet e historisë së arteve figurative, të teatrit dhe muzikës u hartuan në përshtatje me kërkesat e reja të shkollës sonë, duke forcuar boshtin ideologjik të tyre. Në hartimin e programeve të historisë së arteve jemi nisur nga parimi i lidhjes dhe kondicionimit të zhvillimit të arteve me zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe luftën e klasave në një periudhë të dhënë. Kthesat e mëdha në zhvillimin e teatrit, muzikës apo artet figurative lidhen me kthesat e mëdha shoqërore. Nëpërmjet studimit të historisë së arteve jemi përpjekur t’u tregojmë studentëve se si lufta midis rrymave të ndryshme në fushën e arteve është pasqyrimi i luftës që bëhet në tërë fushën e ideologjisë së një periudhe të dhënë. Edhe në atë periudhë kur është luftuar nën parullat e “Artit për art”, arti ka pasqyruar një ideologji të caktuar shoqërore, klasore. Mësimi i kësaj periudhe, që përkon me historinë e arteve bashkëkohore, nxjerr më në pah karakterin reaksionar të klasave sunduese dhe rolin e tyre reaksionar në zhvillimin e arteve. Megjithëse kjo periudhë lipset të zinte një vend të rëndësishëm në programet tona, për mungesë të përgatitjes së kuadrit të specializuar, në disa raste ajo nuk zë vend fare. Në historinë e muzikës pothuajse kjo periudhë nuk zë vend fare, në historinë e arteve figurative jepet në formë panoramike, kurse në historinë e teatrit ka zënë një vend më të gjerë në krahasim me dy të parat. Për këtë periudhë, për arsye edhe të përgatitjes së pakët, edhe të vështirësive që hasen për mungesë materiale dhe vështirësi interpretimi, lindin dhe shumë probleme të diskutueshme lidhur me mënyrat e trajtimit të periudhës bashkëkohore në historinë e arteve.
Në rrahjen e mendimeve për diskutimin e programeve, gjatë zhvillimit të leksioneve, nga kërkesat dhe pyetjet e studentëve kanë dalë probleme ndaj të cilave janë mbajtur qëndrime të ndryshme: herë ato janë sqaruar, herë kanë mbetur të paqarta, disa prej të cilave, ato më kryesoret, po përpiqemi t’i parashtrojmë në këtë relacion.
I. – Në hartimin e programeve të historisë së arteve pati mendime të ndryshme lidhur me vendin që duhet të zinin periudhat e ndryshme që nga lashtësia e gjer në ditët tona. Pas diskutimesh të gjata u arrit në mendimin përfundimtar, i cili gjen pasqyrimin e vet edhe në program, se vend kryesor duhet t’u japin periudhave të artit modern e kontemporan (bashkëkohor) dhe më pak periudhave të tjera. Po ashtu u pasqyrua në program edhe mendimi që vendin kryesor ta zërë arti realist, për të gjitha kohët, por pa lënë mënjanë edhe rrymat e tjera. Në këtë çështje, edhe pse u pranua linja e përgjithshme, pati mendime të ndryshme për sa i takon detajimit të epokave të artit të tyre.
a) Në historinë e teatrit u shfaq mendimi se duhet t’i jepet vend i barabartë si teatrit grek ashtu dhe teatrit romak dhe mendimi se vendin kryesor ta zërë teatri grek e më pak ai romak. Mendojmë se mendimi i dytë është më i drejtë, dhe ky gjen pasqyrimin në program, sepse teatri grek shpreh më me forcë pikëpamjet e kohës së vet dhe jep mundësi më tepër për të shpjeguar lidhjet që ekzistojnë midis zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe luftës së klasave nga njëra anë dhe zhvillimit të teatrit nga ana tjetër. Evolucioni i teatrit grek pasqyron më së miri evolucionin shoqëror të Greqisë, kurse teatri romak, jo vetëm që është një imitim i teatrit grek, por edhe nuk pasqyron, në shumë raste, evolucionin shoqëror të Romës.
b) Për sa i takon muzikës kjo periudhë është pasqyruar shumë pak.
c) Për historinë e arteve figurative kjo periudhë ka nxjerrë diskutime më të shumta sepse rrok edhe artin egjiptian.
1) Për dhënien e artit egjiptian u paraqitën dy mendime: a) dhënia e tij sipas traditës: në artin e perandorisë së lashtë, të mesme dhe të re; b) dhënia e tij sipas llojeve: arkitektura, skulptura, piktura njëkohësisht gjatë tri mbretërive, gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të tij historik. Mendojmë, dhe kjo pasqyrohet në program, se në variantin e parë ka mundësi më tepër të dalë më me qartësi vartësia e artit nga kushtet ekonomike-shoqërore dhe nga niveli teknik e kulturor, kurse në variantin e dytë këto lidhje do të zbeheshin. Mbështetja në variantin e parë ndihmon për ruajtjen e vazhdimësisë në artin antik e mesjetar dhe kështu na duket se del më e qartë tabloja e zhvillimit historik të artit.
2) Historia e arkitekturës, që mbahet si lëndë e veçantë në Fakultetin e Inxhinierisë (te ne jepet e bashkuar me artet figurative), ka dhënë shkas herë pas here për diskutime lidhur me arkitekturën me karakter kulti. Këtu mendimet janë të ndryshme. Ka nga ata që thonë se është më mirë të mos bëhet fjalë për destinacionin e ndërtesës, dhe vëmendja të drejtohet në interesin teknik të kësaj arkitekture. Në këtë mënyrë, duke parë vetëm karakterin teknik të ndërtesës, i hiqet arkitekturës karakteri i saj ideologjik. Të tjerë thonë se duhet treguar karakteri i ndërtesës, sepse kështu do të zbërthehet monumenti me vlerat e tij ideo-estetike pa e shkëputur nga rrethanat dhe mendimi i përgjithshëm i kohës së vet që e krijoi, i cili mendojmë se është më i drejtë. Do të ishte gabim që destinacioni i godinës të përmendej në mënyrë të thjeshtë e pasive pa u vënë në shërbim të idesë themelore që shpreh në mënyrën e vet dhe në format e veta një kompleks arkitektural. Historia e arkitekturës si lëndë ideologjike nuk mund të kthehet në një mësim teknik.
II. – Arti mesjetar, duke shprehur ideologjinë fetare, zë një vend shumë të pakët në programet e reja të historisë së arteve. Por edhe këtu ka pasur mendime të ndryshme.
a) Për historinë e teatrit mesjetar janë shfaqur këto mendime të ndryshme:
1) Mendimi i parë është ky: meqenëse teatri në kohën e mesme ishte me karakter fetar, liturgjik e mistik nuk duhet të zërë vend të gjerë në historinë e teatrit, por vetëm sa të përmendet, dhe kjo për të bërë më të qartë atë karakter që do të marrë teatri dekadent borgjez në kohën tonë, i cili po kthehet në një teatër me karakter ritual e mistik. Më tepër vend në teatrin e kohës së mesme të zënë manifestimet teatrale popullore, laike. Ky mendim ka gjetur pasqyrimin e vet edhe në programin e historisë së teatrit.
2) Mendimi tjetër është ky, meqenëse teatri dekadent borgjez i kohës së sotme është i ndikuar shumë nga teatri mesjetar, ky teatër duhet të njihet mirë, që të kuptohet edhe më mirë karakteri liturgjik, ritual i teatrit dekadent borgjez. Por kjo njohje e teatrit të sotëm mund të arrihet edhe pa njohur me imtësi teatrin fetar mesjetar, sepse edhe vetë teatri mesjetar formon vetëm një komponent të teatrit dekadent, krahas komponentëve të tjerë më të rëndësishëm të këtij teatri.
III. – Vendin kryesor në historinë e arteve e zë periudha moderne. Në artet figurative zë vendin kryesor linja e artit realist, që nis nga Rilindja Italiane e gjer më sot. Në historinë e teatrit zë vend të konsiderueshëm Rilindja Italiane, Spanjolle, Angleze e Franceze. Teatri borgjez i periudhës revolucionare si në Francë, Gjermani, Angli e Rusi. Edhe në muzikë vendin kryesor e zë historia e muzikës së shek. XVIII e XIX që rrok muzikën romantike e realiste.
IV. – Problemet më të mëdha na dalin lidhur me trajtimin e historisë së arteve në periudhën kontemporane. Trajtimi i këtyre problemeve zë vend relativisht pak në programet tona të historisë së arteve dhe kjo për arsyen e vetme se këto janë rryma dekadente. Megjithëse ato janë rryma dekadente, ato janë rryma të kohës sonë dhe kërkojnë medoemos të mësohen të shpjeguara në përshtatje me ideologjinë tonë. Studenti edhe pa ia shpjeguar ne, ai në rrugë të ndryshme bie në kontakt me këto rryma të ndryshme dhe i merr ato me një sy jo kritik. Për sa i takon historisë së muzikës ajo mbaron me fundin e shek. XIX, kurse duhet të zgjerohet, të shtrihet medoemos edhe në historinë e muzikës së shek. XX duke e analizuar atë me një sy kritik. Për sa i takon historisë së teatrit dhe arteve, mendimi i pedagogëve dhe studentëve është që të zhvillohen edhe rrymat dekadente si surealizmi, dadaizmi, abstraksionizmi, ekspresionizmi, ekzistencializmi, teatri absurd etj. Në trajtimin e historisë së teatrit, mendimet kanë qenë më unanime dhe këto rryma kanë gjetur pak a shumë, pasqyrimin e tyre edhe në program. Në muzikë jo, kurse në artet figurative në mënyrë mjaft të kufizuar. Studentët e Institutit edhe në vitet e fundit nuk kanë qenë në gjendje të saktësojnë në vijat e tyre themelore këtë ose atë rrymë moderniste. Studenti ka nevojë të informohet thellësisht për to dhe të jetë në gjendje të analizojë drejt nga pozitat e ideologjisë sonë një vepër moderniste dhe, më tej akoma, të mos ushqejë kurrsesi simpati për artistë, dramaturgë apo kompozitorë që talentin e tyre nuk e vënë në shërbim të shoqërisë, në trajtimin e problemeve të mëdha të shoqërisë sonë bashkëkohore. Duke u marrë me “art për art” ata katandisen në shërbëtorë të ideologjisë borgjeze dekadente. Deri kaq ne duhet të trajtojmë dhe rrymat më reaksionare dhe t’i analizojmë si një fenomen i përgjithshëm në artin e botës së sotme kapitaliste në rënie të vazhdueshme. Krahas këtyre rrymave, është e kuptueshme që një vend të konsiderueshëm duhet të zërë arti realist i shekullit tonë si në fushën e teatrit, të muzikës dhe arteve figurative, edhe pse përfaqësuesit e tyre mund të kenë lëkundje dhe inkonsekuenca si në ideologjinë e tyre edhe në krijimtarinë e tyre artistike.
V. – Në trajtimin e artit të realizmit socialist na dalin probleme. Edhe pse historia e arteve të realizmit socialist së vend të konsiderueshëm, ajo paraqitet e diskutueshme. Kryesisht në program studiohen ata dramaturgë, piktorë, skulptorë, kompozitorë që kanë vdekur para vitit 1956. Por një rrugë e tillë e ngushton diapazonin e artit të realizmit socialist. Shumë nga artistët që kanë krijuar metodën e realizmit socialist rrojnë edhe sot dhe mund të kenë krijuar sot vepra të këqija ideologjikisht, revizioniste por në periudhën e parë kanë vepra të realizmit socialist. Këta përjashtohen nga studimi, si p.sh., Shostakoviç, Haçeturian etj. Kështu edhe për teatrin e artet figurative. Ne mendojmë se këta artistë të analizohen në dy periudhat e tyre, kuptohet vetvetiu për ata që kanë luajtur rol kryesor në konsolidimin e realizmit socialist. Në periudhën e parë ata të analizohen si përfaqësues të realizmit socialist dhe në periudhën e dytë si revizionistë. Kjo analizë të bëhet në përputhje me ndryshimet që ndodhën e po ndodhin, në superstrukturën dhe bazën e BS dhe të demokracive popullore, ku pushteti kaloi në duart e revizionistëve. Këto ndryshime politike, ideologjike, ekonomike e gjejnë pasqyrimin e tyre edhe në veprën e artit. Krahas këtyre problemeve të përgjithshme në historinë e teatrit ka dalë problemi i trajtimit të veprimtarisë së Stanislavskit. Ka mendime që Stanislavski të mos trajtohet si regjisor i realizmit socialist, që ne mendojmë se nuk është i drejtë. Ne mendojmë se veprimtaria e Stanislavskit duhet të trajtohet në tri etapat e saj kryesore: a) në etapën e natyralizmit, b) në etapën e lëkundjeve simboliste e dekadente dhe c) në etapën e realizmit socialist. Karakterin e veprimtarisë krijuese të një artisti nuk e përcakton në radhë të parë e kryesisht origjina e tij klasore, por karakteri ideologjik i veprës së tij artistike. Mjafton të kujtojmë këtu vlerësimet e Marksit dhe Engelsit për Balzakun apo të Leninit për Tolstoin, që të orientohemi edhe në vlerësimin e Stanislavskit dhe artistëve të tjerë.
VI. – Një problem i rëndësishëm për pedagogët dhe studentët është trajtimi i artit revizionist sidomos në Bashkimin Sovjetik, por edhe në demokracitë popullore. Në analizën e burimeve të artit revizionist ne jemi nisur nga shpjegimet që shoku Enver i ka bërë burimeve politike dhe ideologjike të revizionizmit. Mendojmë se këto janë baza për analizën edhe të artit. Është mungesë që në historinë e muzikës ky art revizionist nuk pasqyrohet. Në artet figurative gjen një farë pasqyrimi, kurse në historinë e teatrit gjendja është pak më mirë.
Ne mendojmë që arti revizionist të analizohet mirë dhe t’i bëhet një kritikë e fortë nga pozitat e ideologjisë sonë. Duhet të dalë në dukje se ai arti revizionist po degjeneron në një art dekadent borgjez. Ashtu si sistemi ekonomik e politik i vendeve revizioniste po degjeneron në kapitalizëm ashtu dhe arti i tyre po degjeneron në dekadentizëm.
Dhënia e një orientimi të drejtë rreth këtyre problemeve që na preokupojnë do të na ndihmonte shumë në zgjidhjen praktike të mjaft çështjeve të diskutueshme.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com