Relacioni Sekret, Shkrimtarët kosovarë në
'73: Jemi kundër kritikës së Qoses për Kadarenë

Relacioni Sekret, Shkrimtarët kosovarë në<br />'73: Jemi kundër kritikës së Qoses për Kadarenë
TIRANE- Grillo e Boriçi: “Maksuti në një bisedë për Ismail Kadarenë deklaroi: “Parisi ka marrë përsipër t’i japë çmimin “Nobel” Ismailit, pasi, siç dihet, prej andej janë propozuar shumë njerëz që e kanë marrë”. Vehbiu iu përgjigj: “Nuk e besoj ta propozojnë pasi zakonisht këtë çmim e marrin antikomunistët”.

Zbulohen detaje të reja  me interes në relacionin e 1973 për vizitën 12 ditore të pesë shkrimtarëve kosovarë në Shqipëri. Pas prezantimit të të dhënave të detajuara për katër shkrimtarët e parë, Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Rifat Kukaj dhe Agim Deva , në relacionin e Odhise Grillos e të Hamit Boriçit flitet edhe për gazetarin Maksut Shehu, i cili u ka lënë edhe përshtypjet më negative shoqëruesve nga Tirana. Ata nuk raportojnë më vetëm prirjet dhe provokimet e tij politike, por edhe shumë detaje intime rreth shkrimtarit, duke e akuzuar për marrëdhëniet e ekzagjeruara me pijen dhe femrat. 

Sipas Grillos dhe Boriçit edhe Maksut Shehu interesohej nëse Shqipëria dispononte apo jo raketa, dhe pyeste mbi detaje rreth fletërrufeve. Ata veccojnë edhe thënien e kolegëve të Shehut, sipas të cilëve ai kishte udhëtuar si reporter në më shumë se 60 vende të botës. Pasi mbyllen shënimet për gazetarin Shehu, në relacion jepen të dhena të tjera të përgjithshme për grupin. Ndër bisedat që ata evidentojnë janë ato për shkrimtarët brenda kufijve të Shqipërisë, si Kadare, Agolli apo jakov Xoxe.

“Nga autorët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë”, shkruajnë në relacionin e tyre Grillo dhe Boriçi, duke zbuluar rrënjëjt e hershme të fërkimeve mes Qoses dhe Kadaresë. Pjesën e tretë të këtij dokumenti, e sjellim si më poshtë, ndërsa nesër, do të jetë edhe pjesa e fundit e tij.   
 
Maksut Shehu: Në fillim na tha se kishte disa ditë që ishte pa punë, pasi qe larguar nga RTV e Prishtinës, për arsye të kushteve të vështira dhe se së shpejti do të kalonte përsëri në “Rilindja”. Më vonë vazhdimisht thoshte se punoj në “Rilindja”. Duket se është kuadër i vjetër dhe besnik i regjimit titist. E mburr shumë Titon dhe Fadil Hoxhën. Ndonjëherë edhe Veli Devën.

 Në vitin 1948 thotë se ka qenë zv.komandant i brigadës kosovare në rrugën Sanaç Sarajevo, ku ka punuar edhe brigada shqiptare “Qemal Stafa” (brigada shqiptare në atë kohë ikën nga aksioni). Thotë dhe të tjerët e aprovojnë se ka qenë në rreth 60 shtete si reporter. Më 1967 ka qenë në Bashkimin Sovjetik, por pretendon se nuk shkroi asnjë rresht pasi ndodhën ngjarjet e Çekosllovakisë dhe ky nuk solidarizohej. Duket se ka urrejtje për sovjetikët e për sllavët në përgjithësi.

Është nevrik, grindavec, mendjemadh, feminist dhe pijanec. Kudo do të duket, t’i shkojë e tija dhe ka shpirtin e kundërshtimit. Mburret se është takuar me njerëz të mëdhenj si Nehru, Arafat, se ka shoqëruar e përsëri është ngarkuar të shoqërojë Titon nëpër shtete të tjera (tha: “Sa të kthehem do të shoqëroj Titon i cili do të vejë në Indi për të marrë çmimin Nehru”. Një herë tjetër tha:“Na kanë ftuar të zgjedh se ku dëshiroj, të shkoj korrespondent i “Rilindjes”, në Paris, Londër, Moskë, Vashington. Unë nuk dua të largohem se kam fëmijë. Dëshiroj të vij korrespondent në Shqipëri”.

Disa herë është grindur me shokët e vet dhe i ka ofenduar rëndë edhe në sytë tanë. Shokët e tij me përjashtim të Agim Devës, heshtnin. Bile dhe Qamili që me sa na thanë e kishte dajë Maksutin. Kur ishim në Gjirokastër e në Sarandë, dy ditë rresht piu konjak që nga mëngjesi gjer në darkë. Kur ishte i pirë tentonte të takonte njerëz të ndryshëm dhe të bisedonte me ta. Kur bisedonim shpeshherë thoshte: “E di, e di këtë gjë, pasi e njoh mirë Shqipërinë”. Kur i tregonin ndonjë ngjarje, objekt apo hero tonin ai përnjëherësh mundohej të kalonte në ndonjë ngjarje, objekt apo hero jugosllav. 

Në varrezat e dëshmorëve në Tiranë foli për Sutjeskën dhe dëshmorët e saj, në Gjirokastër kur pamë përmendoren e Bule Naipit dhe të Persefoni Kokëdhimës na foli për heroinat e Beogradit që kishin rënë gjoja qysh më 1941, bile edhe më të vogla në moshë etj. Përsëriste vazhdimisht se do të shkruante mirë për Shqipërinë dhe nuk do të pranonte asnjë kompromis me botuesit. Interesohej shumë për çmimet dhe rrogat. Na ka pyetur disa herë për këto. Donte të dinte në se kemi raketa. Këtë pyetje e bëri duke udhëtuar për në Sarandë kur ishte i pirë. Kur mori përgjigjen se ne kemi çdo gjë për të dëmtuar armikun, bëri sikur u entuziazmua.

Nuk linte rast pa u mburrur për djalin e vet që e quakan Mehmet Shehu. Kur fliste për udhëheqësit tanë thoshte: “Enver, Mehmeti”, ne shtonim: “Shoku Enver, shoku Mehmet”, ai thoshte “dakord, dakord”.
Duket se e njihte shtypin tonë sepse përmendte emra gazetarësh e artikujsh nga “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Është interesuar për një Hamit i cili ka qenë shok i ngushtë i vëllait të tij dhe tani duhet të ishte me pozitë në sigurim. Ky Hamit paska qenë në Beograd, në ambasadën tonë, pas çlirimit. Ne i thamë se nuk njohim një Hamit të tillë. Me siguri e kishte fjalën për Hamit Keçin.

Donte të dinte hollësira dhe pyeste për shkrimtarin Kapllan Resuli (pse u dënua, sa u dënua etj.) dhe e shau duke thënë: “Edhe njerëzit e tjerë të familjes i ka spiunë”. U interesua dhe për Mustafa Greblleshin. Kur i thamë se në Kosovë është shkruar për Mustafanë dhe i është ribotuar një vepër (“Ditari i një bojaxhiu”) bëri sikur harroi dhe tha: “Po, po, më kujtohet, jam hutuar”.

Bënte vazhdimisht sikur interesohej për “Kapitalin” e Marksit dhe deklaronte se dy vëllime i kishte në shtëpi dhe i lexonte. Priste të dilte i treti. Në të vërtetë i treti ka dalë prej kohësh. Lidhur me këtë tha se “Edhe në Jugosllavi, në shqip, së shpejti do të botohen gjithë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit”. Interesohej gjer në hollësi, të dinte ç’rrugë ndjekin fletë-rrufetë, kur i kritikuari pranon, kur nuk pranon etj. Bile shpesh na thoshte me shaka se do të na vinte fletë-rrufe neve shoqëruesve për kujdesin që treguam. 

Disa herë na foli kundër Ibrahim Uruçit dhe tha se gjoja e kishte njohur që ishte njeri i keq dhe e kishte sharë qysh në Kosovë.
Shpesh përsëriste se ishte partizan dhe komunist i 41-shit (ai vetë ishte i datëlindjes 1930). Kur u zu në gojë puna e Lindjes së Mesme tha se e kishin caktuar korrespondent të “Rilindjes” por nuk pranoi të shkonte se e dinte përgatitjen e dobët ushtarake të arabëve.
 
Maksuti në një bisedë për Ismail Kadarenë deklaroi: “Parisi ka marrë përsipër t’i japë çmimin “Nobel” Ismailit, pasi, siç dihet, prej andej janë propozuar shumë njerëz që e kanë marrë”. Vehbiu iu përgjigj: “Nuk e besoj ta propozojnë pasi zakonisht këtë çmim e marrin antikomunistët”.

     Ne mendojmë se Maksuti është një tip sharlatani e aventurieri, që tashmë është shfrytëzuar dhe i është pirë lëngu. Megjithatë, dukej se shokët e tjerë, me përjashtim të Agimit, ia kishin frikën.
     Maksuti disa herë është takuar me atasheun jugosllav në “Dajti”. Ka qëndruar me të veçmas e ka biseduar gjatë. Ditën e fundit atasheu kishte shkuar në dhomën e Maksutit në “Dajti” dhe vonuan të zbrisnin. Telefonin e kishin lënë hapur. Kur zbritën, Maksuti kishte një pako me cigare “Kent”, prej të cilave u dhuroi edhe shokëve.

     Maksuti deklaroi se “Para se të vinte në Shqipëri takova Fadil Hoxhën në Prizrend ose Pejë”. Sipas fjalëve të tij edhe ai u gëzua dhe më tha që “T’u bësh të fala të gjithëve në Shqipëri, edhe atyre që më duam edhe atyre që s’më duan”.
Ata, në bisedat e ndryshme me ne, dhe me të tjerët, ngritën një sërë problemesh, që mendojmë se duhen pasur parasysh:
     - Vihet re se grupi, me përjashtim të ndonjërit, ishte tërësisht nën ndikimin e propagandës armiqësore, që është bërë dhe bëhet ndaj vendit tonë. Këto evidentoheshin në pyetjet e shpeshta, në çudinë e tyre si në Shqipëri u jetuaka mirë, si njerëzit qenkan kaq të lirë, si paska njerëz kaq të veshur mirë, nuk paska policë e mitraloza në rrugë. Ndonëse hiqeshin se ishin të mirinformuar për realitetin tonë, prapëseprapë u shpëtonin dyshimet e tyre.

     Kjo konkretizohet edhe nga konkluzionet e përgjithshme që kanë arritur ata gjatë vizitës, konkluzione të shprehura në veçanti nga secili, por dukej se ishin bashkëinformuar. Ja konkluzionet e përgjithshme:
     1. Sukses i madh për Shqipërinë është zgjidhja e problemit të punës. Në Kosovë e në Jugosllavi ka papunësi të madhe. Njerëzit janë të detyruar të mërgojnë për punë.
     2. Konfirmuan unanimisht të arriturat e shkëlqyera në fushën e arsimit, të shkencës, të arteve dhe të kulturës. U ka lënë mbresa karakteri masiv e popullor në këtë fushë.
     3. Tërhoqën vëmendjen e tyre ndërtimet e shumta dhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë, qytetet e rinj që kanë lindur (si Laçi), kënetat që janë tharë (si Kakariqi), fshatrat që janë kthyer në qytete (si Kavaja, Lushnja etj).

      Atyre u lanë mbresë veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, sidomos Metalurgjiku i Elbasanit, Azotiku i Fierit dhe zonat naftëmbajtëse dhe shprehën mendimin se si mund të ndërtojë kaq shumë një popull i vogël. “Ne, - thanë ata, - për të ndërtuar një rrugë 8 km në Prishtinë duhet të marrim lekë nga bankat amerikane”. Përmendën se në Kosovë ka disa vjet që ka filluar të ngrihet një kombinat i vogël dhe akoma nuk po mbaron.
     U ka bërë përshtypje sidomos rregulli e pastërtia nëpër qytetet ku kaluan.

     U bëri përshtypje që nuk panë veçse 10 policë gjatë gjithë kohës që qëndruan këtu, që nuk panë lypës e pijanecë, që nuk panë grindje e
aksidente automobilistike dhe femra rrugësh. Këto i shprehën edhe veç e veç edhe bashkërisht.
     Kur jepnin këto mendime të përgjithshme ata bënin krahasimin me Kosovën dhe me tërë Jugosllavinë, duke nxjerrë indirekt se atje ka shumë policë, pijanecë, lypës, femra rrugësh etj., dhe ndodhin shumë katastrofa automobilistike.
 
Disa çështje të tjera:
     1) Për letërsinë shqiptare
Të gjithë thanë fjalët më të mira për tematikën, formën artistike dhe përmbajtjen e saj duke vënë në dukje rolin dhe ndikimin e frytshëm që ushtron ajo në Kosovë.
     Të interesuar për letërsinë për fëmijë flasin me respekt për shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë për fëmijë, për krijimtarinë e studimet në këtë fushë të profesor Bedri Dedes, për librat e mjaft autorëve që gëzojnë popullaritet e simpati si të Xhevat Beqarit e Odhise Grillos, Adelina Mamaqit e Gaqo Bushakës, Skënder Drinit e Bekim Gaçes etj.

     Ata kërkuar disa herë bashkëpunim më të dendur në fushën e botimeve dhe të studimeve për letërsinë shqiptare për fëmijë, duke bërë edhe studime të historisë, të veprave, të autorëve dhe të problemeve të letërsisë shqiptare për fëmijë.

     Nga autortët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë.

     2) Për shqiptarët që shkojnë në Kosovë janë të kënaqur dhe vlerësojnë kontributin e tyre për çështjen e arsimit, kulturës dhe të shkencës shqiptare. Pëlqejnë shumë ligjëratat e profesor Androkli Kostallarit. Për të thanë: “Vetë përgatitja e tij, ligjëratat me kualitete të larta shkencore janë propaganda më konkrete për Shqipërinë, pa qenë nevoja për të bërë propagandë direkte”.
     Mirë flasin, në përgjithësi, për pedagogët tanë, sidomos për ata të fushave të albanologjisë.

3) Për vizitën e Titos në Bashkimin Sovjetik
     Mendimi i përgjithshëm i tyre është se Tito ua ka frikën sovjetikëve, sepse vendet e paangazhuara janë një zinxhir i kalbur. Tregojnë se në ditët e ngjarjeve të Çekosllovakisë, në Beograd u bënë dy mitingje të mëdhenj, ku personalitete shtetërore dhe të Lidhjes së Komunistëve jugosllavë dënuan veprimin e sovjetikëve. Të nesërmen ambasadori sovjetik në Beograd, pa kërkuar audiencë, pa paralajmërim, shkon në rezidencën e Titos dhe duke i dorëzuar notën e protestës së qeverisë sovjetike për qëndrimin zyrtar të Jugosllavisë, e kërcënuan atë për pasoja të rënda. 

Tito i përulet ambasadorit dhe shkon gjer atje sa i lutet atij të interpretojë drejt e me dashamirësi faktet se, në rastin e dhënë, zyrtarët e partisë dhe të shtetit jugosllav nuk mund të vepronin ndryshe. Populli ishte indinjuar. Dhe me popullin nuk mund të biem në opozitë. Kemi problemet e hallet tona të brendshme. Këto fjalë janë të shënuara në një protokoll të mbajtur në këtë takim. Dialogu i acaruar mes Titos dhe ambasadorit sovjetik, u ka rënë në duar këtyre në Deçan.

     Të tjera mendime për vizitën e Titos në bashkimin Sovjetik.
     - Sovjetikët ia kanë nevojën Titos se gëzon popullaritet dhe respekt të madh në botën e paangazhuar.
     - Tito kërkon ndihma të reja. Gjendja ekonomike tek ne është shumë e rëndë. Shteti është zhytur në borxhe.

     4) Për luftën në Lindjen e Mesme
     Shprehën mendimin (disa) se nuk janë të përgatitur për luftën me Izraelin, se nuk janë trima etj. Duhet ta zgjidhin problemin në OKB (mendimi i Maksutit).
     - Ndihma e sovjetikëve për arabët, sado e madhe që të jetë, nuk i nxjerr dot nga balta. Bashkimi Sovjetik e kreu detyrën e vet.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit