Relacioni sekret: Studentët dolën në ballkon, duke kënduar me kitarë dy këngë dashurie sentimentale…”! / Ngjarja te konvikti i Institutit të Arteve, në ’89-ën

Relacioni sekret: Studentët dolën në ballkon, duke kënduar me kitarë dy këngë dashurie sentimentale…”! / Ngjarja te konvikti i Institutit të Arteve, në ’89-ën

Pjesa e dytë

Dokumenti / “Një vajzë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, imitoi këngëtaren Parashqevi Simaku dhe studentët besuan se ishte vërtetë ajo, e këtu filluan brohoritjet në formë tifozllëku”!-

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje me korrespodencën ndërmjet Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, me Komitetin e Partisë së Universitetit Shtetëror të “Enver Hoxha”, Institutin e Lartë të Arteve dhe Drejtorinë e Qytetit “Studenti”, ku bëhet fjalë për ngjarjen e pazakontë të 20 marsit të vitit 1989, ku sipas variantit zyrtar, “u implikuan”, studentët konviktorë të godinave të Institutit të Lartë të Arteve dhe Inxhinierisë së Ndërtimit.

Ajo ngjarje që tronditi regjimin komunist të Tiranës, ka mbetur në kujtesën e pak njerëzve, vetëm nga dëshmitë që vinin prej studentëve konviktorë, që ktheheshin në shtëpitë e tyre atë fund marsi të vitit 1989, me thënie nga më kontradiktoret, të cilat rrëzonin njëra tjetrën!

Lidhur me këtë, bëhet fjalë në këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë ,por këto dokumente, tregojnë vetëm njërën anë të “medaljes”, variantin zyrtar dhe jo të vërtetën se çfarë ka ndodhur atë mbrëmje të 20 marsit të vitit 1989, në Qytetin “Studenti”…! Gjë e cila, mund të zbardhet një ditë nga dëshmitë e protagonistëve të saj!

                                              Vijon nga numri i kaluar

RAPORT – INFORMACIONI I HARTUAR NGA SEKRETARI I ORGANIZATËS BAZË TË PARTISË SË INSTITUTIT TË LARTË TË ARTEVE, LIDHUR ME NGJARJEN E 20 MARSIT 1989, NË QYTETIN “STUDENTI”

Organizata bazë e Partisë e Institutit të Lartë të Arteve, në mbledhjet e saj të datave 21 dhe 23 mars 1989, pasi diskutoi rreth ngjarjes së ndodhur në Qytetin e “Studentit”, arriti në disa konkluzione:

Historiku i zhvillimit të ngjarjes

Disa studentë të Institutit të Lartë të Arteve, duke pritur ngrohjen e ujit në dhomën higjenike të katit, dalin në ballkon dhe fillojnë të këndojnë, për veten e tyre. Pas pak, ju përgjigjën me kitarë, disa djem të Inxhinierisë së Ndërtimit. Fillon kështu një dialog këngësh, midis këtyre dy grupeve.

Disa këngë, ishin të festivaleve tona, por nga informacioni që kemi, del se dy prej tyre, ishin këngë dashurie sentimentale, me tekste të rëndomta, të krijuar nga njerëz të pakulturuar, ordinerë. Ky moment, tërhoqi vëmendjen e shumë konviktorëve, të cilët ndërprenë punën e tyre dhe dolën nëpër dritare.

Në këtë kohë, një vajzë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që nga korridori, imiton këngëtaren Parashqevi Simaku. Shumëkush nga pjesëmarrësit, besuan se ishte vërtetë kjo këngëtare dhe këtu filluan brohoritjet në formë tifozllëku dhe njëkohësisht, frazat banale ndërmjet tyre. Këto raste, siç tregojnë studentët në mbledhjet e organizatave të rinisë, kanë ndodhur edhe herë të tjera, por jo në këtë masivitet dhe jo në këto replika rrugaçërie. Më e rënda, është se këto fraza, janë hedhur edhe nga vajzat.

Së fundi, pasi janë djegur copa letrash dhe një çarçaf, (sipas thënieve, në godinën e Inxhinierisë), një djalë i kësaj godine, ka mbuluar vetëm kokën dhe ka dalë i zhveshur nudo, në godinën e tij. Siç doli nga mbledhjet e organizatave të rinisë, në këtë ngjarje, janë m’pleksur disa godina të fakulteteve të ndryshme.

II – Pjesëmarrësit tipikë nga Instituti i Lartë i Arteve, në këtë ngjarje të papëlqyeshme.

– Si fillim, kanë kënduar disa vajza: F.G., V.G. dhe E.S. Këtyre, u janë përgjigjur disa djem të Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilët ne nuk i dimë.

– Në përdorimin e teksteve banale, janë evidentuar:

M.N., A.Gj., (Fakulteti i Muzikës), dhe D.K., (qytetare nga rrethi i Korçës, pjesëmarrëse në kursin 5-mujor të Shtëpisë së Krijimtarisë Popullore në Tiranë dhe e strehuar padrejtësisht nga drejtoria e Konvikteve, në konviktin e Arteve), dhe së fundi, sportelistja e godinës së Arteve, punonjësja me emrin Teuta.

III- Ç’treguan mbledhjet e organizatave të rinisë?

– Të rinjtë, mbajtën qëndrim dhe shprehën indinjatë të thellë, për ngjarjen në fjalë.

– Sipas diskutimeve të tyre masive, nëpër mbledhjet e organizatave të rinisë, karakteri i ngjarjes, ishte spontan, i paorganizuar, lojë e papjekur në fillimin e saj dhe shfaqje liberale e veprime rrugaçërie të shëmtuara, me procedimin e mëtejshëm.

– Vetë të rinjtë, zbuluan dhe deklaruan student tipikë në këto veprime dhe kërkuan prerazi, të mbahet qëndrim ekstrem ndaj tyre.

– Indinjata e thellë dhe sinqeriteti që u shpreh prej të rinjve tanë, përbën për këtë moment, një kënaqësi dhe lehtësim moral, të organizatës bazë të partisë dhe kolektivit punonjës. Kjo, për faktin, se në kolektivin tonë, janë pak studentë të tillë, që duan të prishin, fizionominë e pastër, të të gjithë kolektivit.

IV – Shkaqet që çuan në këto veprime

Organizata bazë e Partisë, në mbledhjen e saj të këtyre ditëve, pasi mori informacionin e duhur dhe mendimet e shprehura nga organizata e rinisë, nxori shkaqet e vërteta, duke mbajtur qëndrim autokritik.

Jetë e vakët e organizatave të rinisë, në raport me funksionin dhe raportin e mirëfilltë, që ato kanë në të vërtetë.

Fryma e lëshimeve ndaj problemeve në dukje të vogla, është shenjë e një qëndrimi liberal dhe indiferent gjithashtu.

Shfaqje plogështie dhe indiferentizëm, në një numër pedagogësh, për punën edukative, qoftë në grupe të mëdhaja me studentët, qoftë në punën kokë më kokë, me ta.

Tendenca me prirje teknokrate në përgatitjen e studentëve. Kjo prirje fillon që në shkollat e mesme të muzikës.

Punë e pamjaftueshme dhe ndonjëherë formale, në edukimin ideo-politik, kulturor dhe qytetar me studentët.

Mungesë njohje më të thellë dhe kontrolli për jetën e të rinjve tanë në konvikt, nga disa komunistë dhe pedagogë.

Punë e dobët të administratës të Qytetit “Studenti”.

Pranimi në ILA të disa studentëve, që pranohen në një mesatare jo të kënaqshme, në lëndët e formimit të përgjithshëm kulturor.

Mungesa e organizimit të formave të argëtimit të rinisë.

 V – Detyrat e nxjerra nga organizata bazë e Partisë e Institutit të Lartë të Arteve, për punën me rininë.

Organizata bazë e Partisë dhe drejtoria, të luftojnë që të krijohen koncepte të drejta, për rolin dhe detyrat e pedagogut, si edukator, për formimin etiko-moral e qytetar të studentëve.

Hedhja në aksione konkrete, e masës së të rinjve

Intensifikimi i punës edukative ideo-politike, nëpërmjet lektoriumeve, bisedave me personalitetet politike, shkencore dhe artistike, të studentëve tanë.

Gjallërimi i jetës së organizatave të rinisë, duke gërshetuar drejt tematikën e diskutimeve në gjirin e tyre, në format e argëtimit masiv dhe të organizuar.

Pa kaluar në tutelë ndaj studentëve, çdo pedagog, të ndjejë përgjegjësinë për përgatitjen dhe formimin politik, ideologjik, kulturor, profesional dhe qytetarë të studentëve, që ai zhvillon mësim.

Krahas lëndëve të destinacionit, formimit ideopolitik, të thellohet në lëndët profesionale artistike, duke u parë si një faktor vendimtar, i përgatitjes së artistit të vërtetë, revolucionar.

Të zhvillohen rregullisht dhëniet llogari para masës së punonjësve dhe studentëve, nga kuadrot e Institutit të Lartë të Arteve në katedra, dekanate, administratë, drejtori, krahas asaj që zhvillon organizata bazë e Partisë.

Të luftohet për të krijuar kushte sa më të mira në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Qytetin e “Studentëve”, për të kaluar në mënyrë sa më të kulturuar, kohën e lirë të tyre. Lidhur me këto çështje, që orientoi organizata bazë e Partisë, katedrat dhe organizatat e rinisë, janë duke diskutuar, për konkretizimin e detyrave që dalin në të ardhmen. 

VI – Masat që mendohen të merren për disa nga studentët tipikë në këtë ngjarje:

Byroja e organizatës bazë të Partisë dhe drejtoria, paraprakisht, kanë mendimin që të merren këto masa:

M.N., studente e vitit të katërt violinë, të përjashtohet përgjithmonë nga shkolla.

A.Gj., të përjashtohet për një vit nga shkolla.

F.G., V.G., dhe E. S., t’ju jepet vërejtje me paralajmërim, pasi kanë kënduar këngë të përshtatshme në vende publike, duke bërë shkas për ngjarje të mëvonshme.

Komunistët, shokët e drejtorisë dhe të rinjtë e kolektivit, i dënuan rëndë këto sjellje të shëmtuara dhe të pahijshme, shikuan me sy kritik, dobësitë e punës së tyre dhe morën detyra për të ardhmen. Por njëkohësisht, është shprehur shqetësimi në opinion, përgjegjësia për këtë ngjarje, kryesisht, i lihet studentëve të Artit.

Sekretari i Organizatës Bazë të Partisë

                               K….G….

DOKUMENTI ME RAPORT – INFORMACIONIN E SEKRETARIT TË KOMITETIT TË PARTISË SË UNIVERSITETIT “ENVER HOXHA” TË TIRANËS, ILIA KONGO, LIDHUR ME NGJARJEN E 20 MARSIT 1989, NË QYTETIN “STUDENTI”

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I U.T.

“ENVER HOXHA”                                                                  Tiranë, më 23.3.1989

                                                   INFORMACION

MBI DISA KONKLUZIONE QË DALIN LIDHUR ME NGJARJEN QË KA NDODHUR MË DATËN 20.3.1989 NË QYTETIN “STUDENTI”

Rreth orës 10 të mbrëmjes, një grup vajzash të Institutit të Lartë të Arteve, që banojnë në godinën Nr. 7, filluan të këndojnë një këngë. Një grup studentësh të Inxhinierisë së Ndërtimit, që rrinë në godinën përballë, ju përgjigjën edhe ata me një këngë. Ky ngacmim, vazhdoi me këngë të tjera nga të dyja palët. Në lojë, hyjnë edhe të tjerë. U kalua edhe në fyerje dhe sharje.

Ndodhia filloi të marrë përmasa të mëdha. Ajo shërbeu si nxitje, për veprime ngacmuese midis godinave, veprime që studentët i marrin si pa të keq, si “lodra”. Në godinën e Inxhinierisë së Ndërtimit, u dogj një copë leckë, ndokund u ndezën letra dhe ndonjë fshesë. Disa studentë, dolën dhe jashtë godinës. Pati nga ata që hidhnin fjalë të ndyra. Në përgjithësi, turma e studentëve këndonin këngë me përmbajtje të shëndosha, ose bënin sehir. Jehona e ndodhisë, i kaloi caqet e Qytetit “Studenti”.

Në këto momente, ndërhynë edhe organet e hetuesisë, gjë që u vlerësua si e pavend dhe e gabuar, duke qenë se nuk pati probleme për to. Nga takimet dhe diskutimet me rininë, në grupe të lira dhe organizatat e saj, themi me bindje se, ngjarja nuk pati asnjë nuancë politike, asnjë element organizimi. Nisi si një lojë dhe veprime spontane, qejflinjsh këngësh dhe për forcë inercie, përfshiu masa të mëdha studentësh.

Në përpjesëtime më të vogla, nga këto ngjarje, kanë ndodhur dhe herë të tjera në konvikte, kur ka ndonjë ngacmues të rastit, sidomos në kohë provimesh. Por, me përmasat që mori, me ndonjë element apo dukuri që u manifestua, e që s’përputhet me normat tona morale, ngjarja u vlerësua me të drejtë, si një ngjarje e jashtëzakonshme.

Prandaj dhe u bë mbledhje e jashtëzakonshme të Komitetit të Partisë e të organizatave bazë të fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, Shkencat e Natyrës, Ekonomik dhe Histori-Filologji, në masën më të madhe, u bënë edhe mbledhjet e organizatës së rinisë, më datën 21, kurse më datën 22, në të gjithë Universitetin, u bënë diskutime në të gjitha organizatat e Partisë dhe të rinisë.

Kudo është krijuar shqetësim serioz, për atë që ndodhi, diskutohet dhe mbahet qëndrim kritik me frymë partishmërie, dilet në konkluzione dhe detyra. Shkaqet e ngjarjes, organizatat e rinisë dhe të Partisë në radhë të parë, i gjejnë në dobësitë e punës edukative të rinisë konviktore, dhe rinisë studentore në përgjithësi, sidomos në drejtim të formimit të saj qytetar dhe moral, dhe të përgatitjen e saj siç duhet për jetën, që ajo të dijë të dallojë të keqen, dhe të mbajë qëndrim ndaj ngjarjeve e ndodhive të papëlqyeshme, ndaj situatave, kur i kalojnë kufijtë e humorit dhe shakave, dhe bëhen të pakëndshme dhe shqetësuese. Shumë aktivistë rinie, të zgjedhur dhe në këshilla godinash, nuk veprojnë me iniciativë në parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Në godinat 4 dhe 14, ku u gjetën kryetari dhe nënkryetari i shtabit të Qytetit “Studenti” ndërhynë dhe e ndaluan menjëherë, përfshirjen spontane të studentëve të këtyre godinave, në ngjarjen që ndodhi. Në punën edukative me rininë, nuk angazhohen të gjitha forcat. Detyrat që u shtruan për luftën kundër tutelës, për nxitjen e iniciativës dhe vetëveprimit të rinisë, nuk janë kuptuar kudo si duhet.

Jo në pak raste, nuk ka një konceptim plotësisht të saktë të pozicionit, të katedrës dhe pedagogut, në raport me rininë dhe organizatën e saj. Në këtë shpjegohet edhe në disa shfaqje të tërheqjes së punës edukative me rininë, gjë që gjen shprehje në faktin se, shpesh në katedra, nuk gjen as plane pune edukimi. Së dyti, nga ngjarja që ndodhi, u nxuar konkluzioni, se; lufta kundër shfaqjeve të huaja, s’mbahet gjithnjë e ndezur, se ajo zhvillohet kurdoherë nga pozita sulmuese.

Ka indiferentizëm dhe liberalizëm. Nuk zbatohet rregullorja e konvikteve, duke lënë kështu shteg të hapur, për manifestimin e shfaqjeve të huaja. Sportelistët, nuk e kryejnë si duhet detyrën, nuk ndjejnë përgjegjësi për punën, pasi disa kanë ardhur me ndërhyrje e me detyrim nga zyrat e punës, edhe pse janë krejt të papërshtatshëm për mjediset universitare. Dhe të tillë, në Qytetin “Studenti”, na janë grumbulluar shumë, edhe për kategori të tjera punonjësish. Ka pasur edhe raste grindjesh dhe rrahjesh të punonjësve të konvikteve me studentët.

Mendojmë se është rastësi, që kjo të shihet dhe të korrigjohet, me ndërhyrjen e Komitetit të Partisë së rrethit. Veç kësaj, nuk mbahet qëndrim ndaj atyre studentëve që thyejnë normat e jetesës kolektive në konvikte, nuk është ndaluar si duhet, në raste analoge, kur ka prishje qetësie nga grupe studentësh, të një apo disa godinave, nuk është qëndruar kurdoherë e s’janë marrë masa, ndaj disa elementëve të prirur, që ua kanë marrë dorën nismave, për prishje e qetësisë e rregulli, megjithëse nganjëherë, edhe njihen disa prej tyre, dhe ata e ndjejnë veten të pa shqetësuar. Me të meta dhe dobësi, zbatohet edhe rregullorja e shkollës.

Thyerjet e disiplinës dhe rregullit në konvikte, janë reflekse të indiferentizmit dhe shfaqje të liberalizmit në auditore. Ka pedagogë që janë të mefshtë, sehirxhinj dhe të pafuqishëm për të përballuar shfaqjet e huaja, edhe në qëndrimin ndaj detyrave themelore, si futjen në orar në mësim, frekuentimin e detyruar të tij, respektin e normave tona, në paraqitjen e jashtme dhe mënyrën e sjelljes në auditorë, e jashtë tyre.

Ka edhe nga ata që nuk dinë të orientohen drejt në marrëdhëniet me studentët, sidomos pedagogët e rinj. Nga mbledhjet e organizatave bazë të rinisë, doli se, në tërheqjen e disa pedagogëve, nga konfrontimi për thyerjen e disiplinës prej studentëve, ka ndikuar dhe në mosmarrjen e masave, ndaj disa rasteve ekstreme.

Shkaqet janë të lidhura dhe në dobësitë e forcën e organizatave të rinisë. Megjithëse disa hapa që u shënuan në ngritjen e funksionimin e këshillave të godinave e të Shtabit të Qytetit “Studenti”, përsëri roli i tyre, si leva të organizatave të rinisë, është i zbehtë, pasi edhe vetë jeta e organizatave të rinisë, në disa raste, është e vaktë. Kjo vjen, edhe sepse jo gjithmonë e kanë pasur si duhet, ndihmën e kujdesin e organizatave bazë të Partisë, nga afër.

Në shkaqet e ngjarjes, organizatat e Partisë dhe të rinisë, panë edhe një sërë dobësish të punës së Drejtorisë së Qytetit “Studenti”, lidhur me kontrollin dhe kërkesën e llogarisë ndaj punonjësve. Nuk funksionojnë në rregull, dezhurnët. Vetë punonjësit e administratës, nuk e kryejnë shërbimin si duhet. Natën e ngjarjes njëri, që e ka thyer disiplinën në mënyrë të përsëritur, nuk ishte në krye të detyrës.

Për këtë, ky punonjës, u pushua nga puna. Drejtoria, nuk ka vendosur rregull, në sistemin e lajmërimit. Gjendja shkon gjer atje, sa edhe drejtori i Qytetit “Studenti”, u njoftua për ngjarjen, pas një ore, jo nga punonjësit e konvikteve, por nga një i afërm i tij, që e ka shtëpinë pranë këtij qyteti, kurse Sekretari i Komitetit të Partisë, njoftohet nga ora 1 e natës.

Më në fund, duke qenë se edhe herë të tjera, ndodhitë që kemi patur, kanë nisur nga godinat që anë qenë në hyrje të Qytetit “Studenti”, ku banojnë studente dhe studentë të Institutit të Lartë të Arteve, mendojmë që këtë masë studentësh, ta sistemojmë në godina të tjera. Vërejtjet dhe sugjerimet që u bënë për këtë nga organizata e Partisë e Histori-Filologjisë, na u dukën të drejta dhe do të marrim masa që t’i realizojmë ato, në fillimin e vitit të ri shkollor.

Në këto drejtime, Komiteti dhe organizatat e Partisë dhe nën drejtimin e tyre edhe organizatat e rinisë, u ndalën dhe nxorën përgjegjësitë që kanë. Puna që u bë deri tani, u konsiderua si fillimi.

Kudo, dolën me konkluzione dhe vendimin që të mblidhen përsëri, për të bërë analiza, për të nxjerrë përfundime dhe detyra më të plota, për një punë më të kualifikuar me rininë, në konceptin e realizimit praktik nga organizatat e Partisë dhe levat e tyre. Sipas planit të punës vjetore, këto ditë, për këtë problem, do të zhvillojmë edhe një aktiv të zgjeruar partie.

SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË

                                       Ilia Kongo 

      Shënim

Më 17.4.1989, në takime të veçanta ju vumë në dukej drejtuesve të Institutit të lartë të Arteve, (Shokut Jakup Mato, drejtor dhe shoku K…G…, sekretar i organizatës bazë të Partisë), si dhe sekretarit të Komitetit të Partisë të Universitetit “Enver Hoxha”, të Tiranës, shokut Ilia Kongo, mendimin tonë në lidhje me qëndrimin që do të mbahet për ngjarjen e ndodhur në Qytetin “Studenti”, ne pajtohemi me qëndrimin ndaj çështjes dhe masat që mendohen të merren, por theksojmë se duhet të rezervohemi në marrjen e masave kapitale që do çonin në përjashtimin me përgjithmonë, nga shkolla dhe konvikti.

                          Anastas Kondo

                          Llukan Puka

17.4.1989

                                                            INFORMACION

Sipas njoftimeve që na bëjnë nga Komiteti i Partisë së Universitetit “Enver Hoxha”, dhe nga drejtoria e Institutit të Lartë i Arteve, del se janë mbajtur këto qëndrime ndaj disa studentëve, me rastin e ndodhisë në Qytetin “Studenti”, më datën 20 mars 1989. Në Institutin e Lartë të Arteve, studentët Xh.Gj., E.S., E.Gj. dhe V.G., përjashtohen për një vit nga shkolla, për thyerje të rëndë të disiplinës në shkollë dhe në konvikt. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • kit: 31/05/2023 08:23

    Me te keqen e analizes, ne koke gjerave! Cojani PD te marr shembull.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë