Relaks dhe terapi mbi një kalë race

Relaks dhe terapi mbi një kalë race
Jeni lodhur nga pikniku? Jeni lodhur nga ecja, por dëshironi sërish të jeni pranë natyrës? Ka akoma një mundësi të mirë për të shijuar krejt ndryshe bukuritë e pranverës. Një shëtitje me kalë në kodrat e buta të të Shqipërisë së Mesme është një propozim i mirë për të kaluar orë të gjata në mes të gjelbërimit dhe ajrit të pastër. Mund të shëtisni në grup ose vetëm me familjen tuaj, nën udhëheqjen e instruktorit, për një ose shumë orë, sipas
dëshirës dhe natyrisht sipas buxhetit të planifikuar për të shpenzuar. Dhe mundësitë, ndonëse për momentin janë të pakta, janë shumë pranë shtëpive ku jetoni dhe punoni, në periferitë e Tiranës dhe të Durrësit. Gjatë një fundjave mund të provoni kalërimin në natyrë, për fillestarët si një kureshtje për tu zbuluar, ndërsa për ata që tashmë e njohin këtë sport, një mënyrë për të mbajtur veten në formë dhe për të shijuar natyrën nga një lartësi e konsiderueshme.

Por, nëse nuk jeni të përgatitur ende për një shëtitje të tillë, mund të filloni me lëvizjet brenda pistës për tu mësuar fillimisht me kalin, për të ditur mënyrën e qëndrimit, komandat e thjeshta, radhën e veprimeve, por mbi të gjitha për ta njohur kalin ndryshe.
Jo më si një kafshë pune, por si një mënyrë tjetër argëtimi dhe si një sport të pazhvilluar tek ne, por me “status” mbretëror kudo në botë. “Organizojmë shëtitje, shumë të bukura, të këndshme në kodrat në Shkëmbin e Kavajës,
në kodrinat përreth” thotë drejtuesi i Kodrës së Kuajve, një restorant i hapur dy muaj më parë që ofron argëtim me 14 kuajt, që janë kuaj të urtë, kuaj galopi dhe kuaj gare. Interesi i njerëzve për të bërë shëtitje me kuaj ka filluar tëzgjohet dhe mosha nuk ndikon fare në këtë dëshirë për të provuar një herë qëndrimin mbi kalë. Ekskursionet janë ende të rralla dhe më të shumta nga të huajt, të cilët janë më të mësuar me këtë lloj argëtimi.

Gjithsesi ata që i njohin kuajt nuk ngurrojnë të mblidhen në grup dhe të organizojnë udhëtime në kodra, të cilat nisin për një orë, por zgjasin më shumë se 3-4 orë. Për një xhiro mbi kale duhet të paguash 500 lekë të reja për 15 minuta. Ndërsa për një ekskursion mbi një orë ka oferta të ndryshme. Për më tepër shëtitjet mund të bëhen në kuaj race, gjakpastër anglezë, të cilët prekën token shqiptare për herë të parë në vitin 2007 kur Arjan Gjyzeli, një emigrant i kthyer për të jetuar sërish në vendlindje, i bleu në hipodromin e San Siros. “Konsulli Italian Stefano Margucio dhe unë kemi sjellë, në të njëjtën ditë kuajt në Shqipëri. Ai na ka përkrahur shumë.

Çdo të shtunë e të diel ai hipte në kalë. Në garën e parë zyrtare, ai na i dha kupat”- tregon Gjyzeli duke na drejtuar për nga Morgana.
Pas mbarimit të mandatit, konsulli i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij për ta lënë pelën frizone në Shqipëri. Kështu Morgana i është bashkuar kuajve të tjerë të racës si Startrip, apo Zhemapel. Të gjithë së bashku kur nuk garojnë sillen në gardhin e rrethuar duke zbavitur fëmijë e të rritur me shëtitje rrotulluese. Ndonjëherë vihet re një galop i lehtë, por instruktorët u japin siguri njerëzve. Dea 9-vjecare pasi ka provuar një kalë poni, ndihet paksa e trembur nga kuajt shtatlartë, por një shëtitje e parë largon frikën duke i lënë vendin kënaqësisë.

KALI, NJË TERAPIST I SHKËLQYER
Përpos shëtitjeve të shumta në natyrë, kali ofron edhe një mundësi mjaft të mirë për shëndetin. Nëpërmjet hipoterapisë njerëzit me problem në ecje, apo individët me aftësi të kufizuar kanë mundësi të stërviten dhe pse jo të përmirësohen falë një trajtimi terapeutik që konsiston në hipjen ne kalë.
Arjan Gjyzeli tregon rastin e një vajze në Durrësi, e cila kishte njohur mjaft përmirësime në shëndetin e saj.”Kali është një ndihmë shumë e madhe për njerëzit që kanë probleme. Kur ta hipin në kalë zhvillojnë disa muskuj që nuk arrijnë t’i vë dot vetë në punë”- thotë Gjyzeli.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)