Reliket false?
Malltezi: Ta vërtetojnë historianët

Reliket false?<br />Malltezi: Ta vërtetojnë historianët
Objektet e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot
Armët e Skënderbeut, mbërritën dje që në orët e para të mëngjesit nga Porti i Durrësit me anije. Pas ceremonisë së pritjes dhe vendosjes së tyre në mesditë në Muzeun Historik Kombëtar, ato do të presin për 24 orë të tjera çastin për t'u hapur dhe ekspozuar në ditën e 22 nëntorit. "Përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut, si edhe gravura e përmasave të mëdha e kodeksit me të dhënat e jetës së Heroit tonë Kombëtar do të qëndrojnë të ekspozuara për 45 ditë", tha dje për "Shqiptarja.com" drejtori i MHK-së, zoti Luan Malltezi. Këto objekte po qëndrojnë ende të ambalazhuara në katin e dytë të muzeut, sepse sipas specialistëve duhet të përshtaten me temperaturat e reja. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, tha se "Është përcaktuar që ekspozita të hapet në Sallën e Skënderbeut, pasi aty është vendi më i përshtatshëm. Objektet janë të mbyllura dhe janë të vendosura me kujdes nga vetë specialistët". Ekspozita me reliket e Skënderbeut do të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar pas datës 22 nëntor në kushte të rrepta të sigurisë, ku një kamera e posaçme është vendosur në mjedisin ku do të ekspozohen armët dhe përkrenarja e Skënderbeut.

Debati për origjinalitetin. Sqarimet në fletëpalosje
Një debat i madh është ndezur për origjinalitetin e këtyre armëve të sjella në Shqipëri, ku studiuesi Oliver Shmitt ka hedhur tezën se armët e Skënderbeut nuk janë origjinale. Gjatë kësaj periudhe në Tiranë historianët nuk kanë gjetur ende argumente për të hedhur poshtë tezën e Oliver Shmitt. Lidhur me origjinalitetin e armëve, edhe vetë drejtori i muzeut, zoti Luan Malltezi nuk është i sigurt. Ai pohon se në fletëpalosje është shkruar shënimi i Faik Konicës për këto armë. Vetë Konica ka qenë një ndër të parët dyshues, pasi ka parë arkivat në Francë e biblioteka të tjera të Europës. Sqarimi në fletëpalosjen e ekspozitës ka një fragment të tillë: "Sipas Faik Konicës që e kishte parë shpatën në fillim të shekullit të 20-të, kishte akoma njolla gjaku në shpatë. Nga ana tjetër, shpata e lakuar, bashkë me dorezën, është 121 cm e gjatë dhe peshon 3.2 kg. Kjo shpatë është e ndikuar prej stilit otoman të kohës dhe siç ka thënë edhe Dhimitër Frengu pesë shekuj më parë, ajo është prej çeliku të Damaskut me shumë zbukurime e stolisje. Sipas Faik Konicës, "vetëm tehu i përket shpatës fillestare të mbajtur nga Skënderbeu. Doreza, e larë në argjend dhe milli e kadifejtë i përkasin një kohe të mëvonë."

Zoti Malltezi, a mund të na thoni diçka për udhëtimin e armëve drejt Muzeut Kombëtar të Tiranës?
-Po. Ne sot kemi pritur zyrtarisht, pasi jemi njoftuar edhe me palën austriake ardhjen e armëve në rrugë detare. Në orën 8.00 ne kemi qenë në Durrës. Anija ka ardhur më vonë. Ne e kemi përgatitur dokumentacionin përkatës me doganat dhe kemi mundësuar kalimin e tyre në Shqipëri. Në Durrës armët kanë ardhur me një makinë të vogël, jo të madhe, të stamposura dhe të rregulluara shumë mirë. Sot (foli dje-red) i kemi vendosur në katin përkatës, por ende s'i kemi hapur. Me përfaqësuesin e tyre zyrtar, sot në orën dy do të vendosim për ekspozimin sipas mirëkuptimit që kemi pasur mes dy palëve.

Pala austriake ka pasur kërkesa të larta për objektet muzeore që do të vinë në Shqipëri...
-Çdo muze ka kërkesa të rrepta për të garantuar objektet muzeale, jo vetëm në muzeun e vetë, por edhe kur shkojnë jashtë shtetit. Në këtë kuptim do të theksojmë angazhimin tonë për kërkesat e austriakeve dhe mbi këtë bazë do të vendosim edhe hapjen e ekspozitës, për të marrë paraqitjen e duhur vendosja e armëve të Skënderbeut dhe e përkrenares. Janë edhe dy materialet e tjera që do të sillen nga Muzeu i Vjenës.

Kushtet e muzeut a janë rregulluar sipas pretendimeve që kishte pala austriake?
-Ne kontaktuam me përfaqësuesit austriakë më parë dhe kemi diskutuar shumë, sepse ata kanë qenë mjaft rigoroz në plotësimin e kushteve dhe të ruajtjeve të objekteve të sigurisë. Kemi vizituar të gjitha ambientet e muzeut, kemi qenë të hapur me ata. Kemi kaluar çdo lloj zgjidhjeje që ne mund ta quanim më të përshtatshme për kërkesat e tyre dhe kemi rënë dakord që ekspozita do të vendoset në katin e dytë tek Pavijoni i Skënderbeut përballë pikturës murale që është atje duke bërë edhe ndryshime përkatëse për të krijuar klimën e favorshme dhe ndryshimin e nevojshëm të objekteve që do të vendosim. Ne si muze kemi marrë ndërkohë të sigurohemi edhe me shërbimin e policisë për ruajtjen dhe garantimin tyre. Do të thosha që një punë e gjatë është bërë dhe me shumë kosto.

Sa shkoi kostoja?
Shiko. Më shumë rëndësi se kjo ka që këto armë sot i kemi në Muze, aktualisht në kohën që po flasim. Me të gjitha këto që bëmë shpresojmë t'i japim kësaj ngjarjeje të madhe gjithë kuptimin simbolik që ka për shqiptarët figura e Skënderbeut, sepse lufta dhe përpjekja e tij është në themel të fitoreve për liri, në themel të 100-vjetorit të Shqipërisë është edhe lufta e tij.

Si u ndodhën armët e Skënderbeut në Austri?
Historia dihet, por dëshira e shqiptarëve për të parë armët e Skënderbeut ka qenë e vazhdueshme. Armët kanë qenë vendosur në Austri shumë kohë më vonë. Historia e tyre shkoi në mënyrë të tillë që ato të merreshin me vete pas vdekjes së Skënderbeut gjatë largimit të së shoqes Donikës në Itali dhe erdhi një kohë që ato përfunduan në Muzeun e Vjenës. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të vazhdueshme që ato mundësisht të jenë në Shqipëri. Edhe qeveria e Zogut madje ka bërë përpjekje që të vijnë në Shqipëri. Kjo ëndërr u bë e mundur me vizitën e tyre sot, ku na plotësohet dëshira për të parë gjurmët që ka lënë heroi ynë kombëtar Skënderbeu në shekuj.

Sa kohë do të qëndrojnë të ekspozuara armët?
-Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj e gjysmë, pra 45 ditë, në kushte të plota sigurie, por do të jetë e hapur për të gjithë shqiptarët e të gjithë moshave. Kjo ekspozitë do të hapet në 22 nëntor zyrtarisht me ceremoninë përkatëse, pra para 28 Nëntorit, sepse e meriton të hapet e para, se është më e vjetra histori që duhet të qëndrojë në themel të ngjarjeve të 100-vjetorit.

Ju personalisht si e vlerësoni?
-Jam i emocionuar. Jemi me fat që kemi kënaqësinë të ekspozojmë në MHK këto armë. Ne kemi bërë një fletëpalosje ku japim disa njoftime shumë të rëndësishme për vizitën e armëve të Skënderbeut në Shqipëri dhe historinë e tyre. Madje aty japim një mendim të Faik Konicës, i cili për herë të parë ka njoftuar për armët e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës.

Ashtu si Konica ka edhe disa historianë që dyshojnë për origjinalitetin e tyre. Si do t'i përgjigjeshin replikave të Oliver Shmitit që thotë se nuk janë origjinale?
-Në opinionin e përgjithshëm ato trajtohen si armët e Skënderbeut. Edhe ne kemi dëshirë t'i shohim të tilla këto armë. Specialistët e veçanërisht historianët kanë detyrë të shpjegojnë karakterin e vërtetë të këtyre armëve. Ne i njohim si armët e Skënderbeut dhe kemi dëshirë t'i shohim si armët e Skënderbeut. Faik Konica, i cili e njeh shumë mirë botën Skënderbejane është bazuar në literaturat e kohës dhe ka shkruar dhe shkrime të tjera. Pavarësisht kësaj ne do të transmetojmë tek shqiptarët figurën e Skënderbeut dhe fitoret popullit shqiptar, emrin e tij. Këtë figurë e kemi gurin e parë të shtetit shqiptar, që hapi rrugën për fitoren e pavarësisë.

Çfarë u tha nga pala austriake për këtë mision?
Janë të kënaqur. Austria nuk e ka zakon të japë armët. Nuk i nxjerrin objektet muzeale nga Muzeu, por në këtë rast në Austri janë bërë ndryshime kushtetuese për të sjellë armët e Skënderbeut në Shqipëri, sikurse kemi bërë edhe ne ndryshime kushtetuese për të realizuar ekspozitën e armëve të Skënderbeut në Tiranë

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi