Remo Girone: Nuk jam si
Katani, me një jetë plot femra

Remo Girone: Nuk jam si <br />Katani, me një jetë plot femra
TIRANE - Remo Girone, aktori i mirënjohur italian ka mbërritur sot në mesditë në Tiranë për të qenë prezent në mbrëmjen “Gala” të Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar si i ftuar nderi. Girone, aktori që u bë i famshëm në Shqipëri me personazhin e kryemafiozit Tano Karidi në filmim “Oktapodi” u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në orën 13.00 me një karizmë interesante e batuta të bukura.

Një përgjigje me nota humori ishte edhe ai për krahasimin që iu bë me aktorin Mikele Placido, i cili ka qenë i pranishëm në Tiranë pak vite më parë. Ndryshe nga Placido që luante Katanin e që në Shqipëri bëri për vete me atë personazh mijëra femra shqiptare, Remo Girone që luante në atë film Tano Karidin, kishte një tjetër peshë emotive në raport me femrat. Ai thotë se është natyrë krejt tjetër nga Placido.

“Unë ndryshe nga Mikele nuk jam martuar 25 herë. Unë jam martuar prej 30 vjetësh me Vitorian dhe ka ndodhur vetëm një herë. Dhe kjo më krijon shpesh situatë humori me gazetarët. Kur na bëjnë fotografi më thonë: “Po ne këtë fotografi e kemi”. (qesh)
Do të doja të jepja material për revista Gossip, por unë nuk kam si Mikele disa gra e disa fëmijë. Pra, nuk ka periudha në jetën time që të jetë një mundësi e tillë. Po mund t’ju them se e kam pasur këtë mundësi vetëm në një rol tek Oktapodi ku burri kishte shumë fuqi, shumë pushtet dhe e di që grave iu pëlqen kjo gjë”, tha Girone duke qeshur.

Më tej ai ka folur për karrierën e tij, një komedi me të cilën është marrë së fundmi dhe përshtypjet për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Gazetat në Itali i kanë përfolur shumë shqiptarët, por unë nuk kam paragjykime”, tha aktori, duke theksuar se kjo është hera e parë e tij në Shqipëri, e që deri dje nuk ka patur shumë njohuri për këtë vend.

“Njoh disa artistë e aktorë me origjinë shqiptare, sikurse njoh një vend që quhet Piana dei albenezi, ku banojnë shqiptarë. Më pëlqeu të jem këtu për këtë festival ndaj iu përgjigja pozitivisht ftesës së Qendrës Kinematografike dhe drejtorit të festivalit të Gifonnit zoti Gubitosi, i cili më sugjeroi që të vij këtu”, u shpreh Girone.

Nesër në mbrëmje Remo Girone do të jetë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar, e cila zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit, e ku janë ftuar të marrin pjesë një varg i gjatë personazhesh të njohur nga fusha e artit dhe politikës.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi