TIRANE- Familjarët e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha të zhdukur prej 17 vitesh paralajmërojnë se do të bëjnë vetëgjyqësi nëse nuk do të vihet drejtësia në vend.

Sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda ishte përcaktuar të zhvillohej pretenca, por seanca është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit të cështjes, Elisabeta Ymeraj. Djali i tij, Ardian Hoxha në një prononcim për gazetarët deklaroi se nëse nuk do të jepet drejtësi atëherë do të ndiqet ligji shqiptar i kanunit.

“Po na vonohet drejtësia prej 17 vitesh. Është drejtësi e mohuar. Çështjen do e çojmë edhe në instancat ndërkombëtare. Do të ndjekim dhe ligjin shqiptar të Kanunit. Kemi pritur prej 17 vitesh të zbatohet drejtësia të kapen autorët e të tregojnë ku janë groposur eshtrat e babait tim.”-deklaroi djali i madh i Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro- maqedonas të zhdukur që prej tetorit të 1995. I pyetur nëse është kërcënim, Hoxha tha: Si të dojë le ta marrin, janë 17 vite dhimbje”.

Për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen pa lënë gjurmë të Remzi Hoxhës akuzohen ish kreu i SHISH të Tiranës, Arben Sefgjini, dy zyrtarë të SHISH, Ilir Koldashi dhe Ilir Kumbaro.
(sg/shqiptarja.com)