Rëndësia e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, profili i njeriut që kërkoi 460 milionë euro dëmshpërblim nga Shqipëria

Rëndësia e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, profili i njeriut që kërkoi 460 milionë euro dëmshpërblim nga Shqipëria

Francesco Becchetti

Dje, më 2 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg bëri publik vendimin e saj të datës 10 maj 2022, për të refuzuar aplikimin me Nr. 33104/15 , në formën e kërkesës së kompanisë mediatike “AGONSET SHPK.” të sipërmarrësit Francesco Becchetti(në shqip, Françesko Beketi), të paraqitur në vitin 2015, për të mbajtur shtetin shqiptar përgjegjës, pasi sipas saj, është shkelur e drejta e saj për lirinë e shprehjes dhe e drejta për të mos u diskriminuar. Për këto shkelje, kompania e sipërmarrësit Beketi kërkoi në aplikimin e saj pranë Gjykatës së Strasgurgut, një dëmshpërblim prej 350 milionë euro nga shteti shqiptar.

Profili i njeriut që kërkoi 460 milionë euro dëmshpërblim nga shteti shqiptar

Profilin e sipërmarrësit Beketi e ka ndërtuar vetë shtypi italian. Revista online “MagazinedonnaNews.it”  e fillon shkrimin e saj me titull “Mister Agon Channel bën të dridhet edhe ENEL-in”, në këtë mënyrë: “Ka shumë prej nesh që bëhen të pasur, duke ndërtuar diçka ose duke u shërbyer njerëzve. Por ka edhe raste shumë të rralla, ndoshta unikale, kur pasurohesh duke mos e ndërtuar atë që projekton dhe duke fajësuar nëpër gjyqe ortakët që të kanë besuar sipërmarrjen” https://www.magazinedonna.it/mister-agon-channel-fa-tremare-anche-lenel/21985/). 

Tabela 1. Profili i gjahtarit të gjyqeve Beketi

  • Viti 1997. Merr nga shteti shqiptar një leje për të ndërtuar një digë(hidrocentral) me fuqi 80 megavat mbi lumin Vjosë, në luginën e Kalivaçit
  • Viti 2000. Bind administratorin e gjigandit energjetik italian ENEL Franco Tatò dhe Presidentin Chicco Testa të ndërtojnë së bashku një hidrocentral me fuqi 100 megavat në Shqipëri. Hidrocentrali në Kalivaç nuk ndërtohet dhe Beketi hedh në gjyq ENEL. I kërkon 440 milionë euro dëmshpërblim
  • Viti 2007. Bind bankën gjigande gjermane Deutsche Bank të investojë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri, me 45% të aksioneve.
  • Viti 2009. Pasi investimi nuk kryhet, fajëson Deutsche Bank dhe i kërkon të paguajë 45% të 48 milionë eurove për 911 ditë pune. Deutsche Bank nuk pranon dhe përfundon në tre gjyqe ndërkombëtare. Dy i humb dhe vendos t’i paguajë me dhjetëra milionë euro dëmshpërblim Beketit, duke e mbyllur çështjen.
  • Viti 2015. Beketi hedh në gjyq shtetin shqiptar në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet, një gjykatë ndërkombëtare pranë Bankës Botërore. Në vitin 2019, fiton gjyqin. Gjykata i kërkon shtetit shqiptar t’i paguajë Beketit 110 milionë euro dëmshpërblim.
  • Po në vitin 2015, Beketi aplikon pranë Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kërkon 350 milionë euro dëmshpërblim, për mënyrën e te sjellurit me kompaninë mediatike të tij “AGONSET SHPK.” në Shqipëri. Në vitin 2022, Gjykata e Strasburgut ia refuzon aplikimin dhe kërkesën.

Si ia mori dhjetra milionat e eurove Deutsche Bank

Gjuetia e gjyqeve ndërkombëtare e ka zanafillën me lejen e marrë nga shteti shqiptar në vitin 1997, për të ndërtuar një digë(hidrocentral) me fuqi 80 megavat mbi lumin Vjosë, në luginën e Kalivaçit. Për të marrë lejen, Beketi themeloi shoqërinë aksionere “Kalivac Green Energy(në anglisht-Energjia e Gjelbër e Kalivaçit)”. Në këtë shoqeri, me njohjet e dajës së tij,  Mario Cerroni-t, manjatit italian të prodhimit të energjisë nga plehrat, pronar i fushës së plehrave më të madhe të Evropës, Malagrotës pranë qytetit të Romës, mundi të tërheqë si ortak, fillimisht gjigandin shtetëror italian të energjisë ENEL dhe më vonë  superbankën gjermane Deutsche Bank. Po ç’ndodhi mes Beketit dhe  ENEL? Revista online “Magazinedonna.it”,  thotë se në vitin 2000, Beketi bind administratorin e ENEL Franco Tatò dhe Presidentin Chicco Testa të ndërtojnë së bashku një hidrocentral me fuqi 100 megavat në Shqipëri. Italianët e ENEL u bindën, pasi Beketi ju tha se energjia e prodhuar do të transportohej pastaj në Itali me një kabllo nëndet të quajtur Unaza Mesdhetare. Falë kësaj infrastrukture dhe marrëveshjes dypalëshe Itali-Shqipëri, energjia elektrike shqiptare do të shitej në Itali me zbritjet e taksave për energjinë e rinovueshme. Mirëpo marrëveshja nuk u zbatua dhe Beketi mendoi ta hedhë në gjyq ENEL.  I kërkoi 440 milionë euro dëmshpërblim. Mes procedurave të arbitrazhit, sekuestrimeve paraprake të pasurive dhe konfiskimeve, mosmarrëveshjet e Beketit me ENEL kanë vazhduar rreth 18 vjet. Deri më tani janë  zhvilluar pesë procedime ndërkombëtare gjyqësore, të iniciuara nga Françesko Beketi me kompaninë “Beg(Becchetti Energy Group) Ambient Shpk” në Francë, Hollandë, Nju Jork, Luksemburg dhe Irlandë. Çështja ende peshon si një Shpatë Damokleu në buxhetin e ENEL. Në raportin e fundit të buxhetit të ENEL, ekspertët financiarë të gjigandit shtetëror italian  i kushtuan asaj 3 faqe. Në vitin 2002, kompania e ndërvarur nga ENEL “Enelpower” fitoi në kasacion, por Françesko Beketi kishte fituar një gjyq në një gjykatë shqiptare dhe i kërkoi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të zbatojë vendimin shqiptar. Gjykatësit e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e vlerësuan kërkesën si të papranueshme. Ky ishte refuzimi i parë nga Strasburgu për Beketin. Por ai nuk u ndal dhe iu drejtua gjykatave të gjysmës së botës.

Ndërkohë, sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e tij “Agon Channel-mashtrime miliona euro dhe riçiklim i jashtëzakonshëm parash: akuzat ndaj Beketit”, të datës 14 dhjetor 2015 në gazetën italiane “Fakti i ditës” (https://www.ilfattoquotidiano.it/2015/12/14/agon-channel-truffe-milionarie-e-enorme-riciclaggio-le-accuse-a-becchetti/2303476/), Françesko Beketi bind investuesit e bankës gjermane Deutsche Bank të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri dhe e kalon shoqërinë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” që zotëron nën kontrollin 100 për qind të kompanisë “Hydro srl”. Kjo shoqëri gjate viteve 2007-2013 kalon 55 për qind në pronësi të familjes Becchetti, nëpërmjet grupit energjetik Beg(Becchetti Energy Group) sha dhe 45 përqind në pronësi të Deutsche Bank. Sot ajo i përket vetëm grupit energjetik Beg sha (ku aksioner me 10 përqind është daja i tij manjati i reçiklimit të plehrave, Mario Cerroni. Po si? Sepse shoqëria aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” pagoi për të ndërtuar hidrocentralin kompaninë “Energij”, një kompani tjetër të familjes Becchetti, me pronar kryesor shoqërinë “Costruzioni srl”, në pronësi të nënës së Françeskos. Në vitin 2009, Françesko i kërkon Shoqërisë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” një kompensim prej 48 milionë eurosh për 911 ditë punë të “Costruzioni srl”që nuk janë paguar kurrë. Deutsche Bank nuk pranon të paguajë 45 përqind të kësaj shume. Beketi e hedh në gjyq në Shqipëri dhe gjykata jonë vendos në favor të tij. Sigurisht, Deutsche Bank nuk pranon të paguajë për punë që nuk janë kryer kurrë. Mirëpo Beketi, me vendimin e gjykatës shqiptare në dorë, e hedh në tre gjyqe ndërkombëtare bankën gjermane Deutsche Bank. Dhe letrat, marrëveshjet flasin në dobi të tij.  Në dy nga këto tre gjyqe ndërkombëtare, Deutsche Bank humbet dhe vendos të mos e çojë më tej. Gjithnjë sipas mediave italiane(vetë banka nuk ka konfirmuar) i paguan dhjetëra milionë euro Beketit, që hiqet si viktimë se nuk i kanë bërë punën.

Pse ka rëndësi vendimi i Strasburgut?

GJEDNJ-ja argumentoi se kompania mund t'i drejtohej Gjykatës Administrative Shqiptare duke qenë se kjo e fundit kishte pezulluar tashmë një herë konkursin e AMA-s dhe e detyroi atë të rishikonte rregulloren e saj. Lidhur me argumentet e Agonit se ajo nuk kishte besim se do të ishte e suksesshme përpara gjykatave shqiptare, GJEDNJ argumentoi se “ekzistenca e dyshimeve nuk është një arsye e vlefshme".

Pretendimet e Beketit u kundërshtuan me profesionalizëm  nga qeveria e Shqipërisë, kundërshtime të cilat janë gjetur të bazuara, nga ana e Gjykatës. Vendimi i Gykatës prestigjoze evropiane të të Drejtave të Njeriut  vjen katër muaj pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për ta dënuar Beketin me 17 vite burg.

Tabela 2. Akuzat e drejtësisë shqiptare për Beketin

  1. Vjedhje duke shpërdoruar detyrën
  2. Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
  3. Falsifikim dokumentesh
  4. Krijim të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar(TVSH).

Lind pyetja. Përse nuk pati asnjë reagim nga shteti italian për një shtetas të tij të dënuar në Shqipëri, për më tepër, një sipërmarrës i rëndësishëm, i cili ngriti një televizion italian në truall shqiptar dhe ftoi shumë personalitete të spektakleve italiane për intervista, madje edhe punësim tek Agon Channel? Arësyet i ka dhënë vetë media italiane me kohë, sikurse i parashtruam më sipër. Vetë gazetat italiane na thonë kush është Françesko Beketi dhe nga influencohet. Është nipi i Manlio Cerroni-t, manjatit italian të prodhimit të energjisë nga plehrat, pronar i fushës së plehrave më të madhe të Evropës, Malagrotës pranë qytetit të Romës. Sipas shtypit italian, Cerroni është arrestuar nga policia italiane më 9 janar 2014 (https://www.ilfattoquotidiano.it/2014/01/09/rifiuti-7-arresti-a-roma-anche-il-patron-malagrotta-manlio-cerroni/836318/ ), nën akuzat e krijimit të një grupi kriminal, mashtrimit dhe trafikut të paligjshëm të mbeturinave. Kështu e njohin mediat italiane nipin e Cerronit, Beketin, i cili u dënua më 23 shkurt 2022 me 17 vjet burg në Shqipëri dhe dje, më 2 qershor 2022, iu mohua akuza e ngritur pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për shkelje të së drejtës së lirisë së shprehjes, pas mbylljes nga shteti shqiptar të televizionit të Beketit, “Agon Channel”. Ky mohim është i rëndësishëm, pse hedh dritë në prapaskenat dhe lobimin e zhvilluar nga Beketi në gjyqin e fituar në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet, gjykata ndërkombëtare pranë Bankës Botërore, e cila trajton edhe ankesat e sipërmarrjeve ndaj shteteve ku investojnë.  

Ndoshta kjo Qendër duhej të ishte informuar më në hollësi rreth natyrës së “investimeve” të ankuesit Beketi në Shqipëri dhe raporteve të mëparshme të tij me partnerët në investim, si ENEL dhe Deutsche Bank. Gjykata pranë Bankës Botërore ndoshta nuk e pa në tërësi natyrën e “investimeve” të ankuesit Beketi.

Ndërsa shteti italian po! Ja përse miku ynë strategjik, shteti fqinj italian, nuk reagoi për dënimin e rëndë të një qytetari të vet, në mungesë, nga një gjykatë shqiptare, katër muaj më parë.  

E.K/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë