TIRANE - Sekretari për programin i Partisë Socialiste, Ilir Beqja tha sot në një deklaratë për shtyp se Kryeministri Berisha “vazhdon avazin e sulmit ndaj PS dhe heziton të flasë për rendin publik”, kur sipas tij, “vrasjet vazhdojnë nën hundën e policisë”.

"Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë në hundën e policisë së shtetit. Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë lajm nuk ka për zbulimin e fajtorëve të atentatit mafioz ndaj drejtuesve të “Ceament Albania”, tha Beqja. Ngjarje kjo në të cilën palestinezi 43-vjeçar, Anwar Rizik, u ekzekutua më 9 maj, 2012 nga një kurth me granatë në derën e shtëpisë në Tiranë, vetëm pak metra larg ambasadës amerikane. “Ceament Albania” ishte kompania ku palistinezi ishte punësuar si nëndrejtor.

Një tjetër pikë që sipas Beqes, Berisha heziton ta trajtojë dhe pranojë, është edhe borxhi publik. Sipas tij, “Saliu duhet të flasë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë”. Ai vijoi duke thënë se “nuk mund ta zgjidhin çështjen e borxhit të njëjtët njerëz që kanë miratuar në mënyrë të përsëritur buxhete vjetorë të parealizueshëm”.

“Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Përgjigja e regjimit të Saliut është kërcënim për denoncuesin që detyrohet të arratiset nga Shqipëria pas 21 vjetësh të ndryshimit të sistemit politik”, deklaroi Ilir Beqja.

Sekretari për programin i PS, vijoi me akuzat ndaj qeverisë duke thënë se Berisha “dështoi në prokurimin elektronikë”.

Së fundi, Beqja foli edhe për programin e Partisë Socialiste i cili synon të rishikojë të gjitha kontratat e partneritetit publik e privat dhe do të kërkojë anulimin e atyre që shkelin ligjin. Sipas tij ato janë në dëm të shqiptarëve e të lidhura me interesat e oborrit qeveritar të Berishës.

(Gre.M/Shqiptarja.com)