Superliga shqiptare e futbollit mbylli javën e 22-të. Këtë të dielë u zhvilluan dy ndeshje në elitën e Shqipërisë, me Dinamon që siguroi tri pikë pasi mundi 0-4 Erzenin. Në Laç, vendasit e Mirel Josës barazuan 1-1 me Vllazninë.
Dueli i "Arena Egnatia" të Rrogozhinës foli për djemtë e Dritan Mehmetit. Dinamo fitoi 0-4 në udhëtim me Erzenin, duke qenë kështu pretendente për "Final 4" në fundin e sezonit, zonë kjo që të bën të garosh për titullin kampion. Për Blutë shënuan Rustem Hoxha dhe Luis Kaçorri në pjesën e parë, teksa Baton Zabërgja dhe Patrik Bardhi në fraksionin e dytë shënuan emrin në listën e golashënuesve.
Në ndeshjen tjetër, Laçi dhe Vllaznia barazuan 1-1 në një ndeshje me shumë raste. Në fundin e pjesës së parë Serxho Ujka nga penalltia kaloi në epërsi kurbinasit, ndërsa Rejan Alivoda në minutën e 51 barazoi gjithçka. Java e 23-të e Superligës luhet fundjavën që vjen.
Deliallisi sinjale largimi nga Erzeni: S'i fshihem asgjëje, gabova me zgjedhjen e lojtarëve
Alfred Deliallisi ka dhënë sinjale largimi nga stoli i Erzenit. Humbja e kësaj të diele 0-4 kundër Dinamos në Superligë duket se ka 'trazuar ujërat' në Shijak, me teknikun që merr përgjegjësitë mbi vete.
"Marrë përgjegjësinë për këtë humbje, nuk i fshihem asgjëje. Këto ishin zgjedhjet e mia në fushë për sot, mund të kisha vepruar ndryshe, jam unë ai që bëj formacionin. Ishte ndeshja jonë më e dobët sot, uroj kundërshtarin. Sot nuk kishim dëshirën dhe agresivitetin që kam kërkuar gjatë javës. Është e patolerueshme. Unë kam një gjë, kështu do të jetë deri në fund si trajner. Kur humbas, përgjegjësinë e mbaj unë. Kur fitoj, merita i shkon lojtarëve", tha për MCN trajneri i Erzenit.