Janë njësitë elitë të policisë shqiptare dhe greke, RENEA dhe EKAM, në stërvitjen e tyre të përbashkët përfundimtare.

Në këtë simulim, një autobus u mor peng me pasagjerët në bord.

Ndërhyrja e RENEA-s dhe EKAM është e shpejtë. Në pak çaste agresori dhe bashkëpunëtorët përfundojnë në pranga. 

Ceremonia përmbyllëse e trajnimit të përbashkët 1-javor u zhvillua në repartin e RENEA-s, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Për ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, ky trajnim është shumë më tepër se një stërvitje.

“Është bashkëpunim, ndarje përvoje dhe një besim që rritet mes jush, duke dëshmuar se Policia e Shtetit dhe policia greke mund të fuqizojnë më tej bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta", tha ministri Besfort Lamallari. 

Lamallari shprehu angazhimin për të forcuar bashkëpunimin mes policisë shqiptare dhe homologëve grekë.

"RENEA dhe EKAM, në rastin e homologëve grekë, të cilët janë shëmbëlltyra e misionit fisnik të policive të të dy vendeve, të cilët sigurisht arrijnë deri në sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe të rajonit", vijoi Lamallari. 

Sfidat si krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet transnacionale kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes vendeve, sidomos në kontekstin e integrimit europian. Bashkëpunimi me grekët është shëmbëlltyrë e angazhimit.