Bashkimi i Pushtetit Vendor me Ministrinë e Brendshme ishte lëvizja më e goditur e Edi Ramës në ndryshimet e fundit të qeverisë. Kështu e vlerësoi gazetari i Report TV, Denis Minga, i cili në analizën e tij e cilësoi Ervin Demon njeriun e duhur për të drejtuar ministrinë e re, ndërsa ngriti pikëpyetje për largimin e Besfort Lamallarit, duke theksuar se ende nuk ka transparencë për arsyet e këtij vendimi.
"“Emërimi i sotëm është një surprizë se askush nuk e kishte menduar, aq më tepër për ministra që ishin të angazhuar me paketat e reja të propozuara nga Rama. Në momentin që mbledh ministra e u jep detyra mendohet që ky kabinet do vazhdojë disa muaj. Është një lloj tjetër shoë që kryeministri na ofron sa i përket mënyrës se si e paraqiti ndryshimin e ministrit. Përdori një lloj stafete dhe njërit i tha të mbaroi mandati dhe tjetrit do vazhdosh detyrën. Ministri Lamallari është ndër më jetëshkurtrit. Bashkë me Koçiun janë më jetëshkurtrit duke përjashtuar Z.Demiraj që ishte ministri i Bashës. Në 13 vjet, Rama ka ndryshuar 8 apo 9 ministra. Më jetëgjati është Saimir Tahiri që gati e mbushi një mandat. Pastaj kemi pasur Fatmir Xhafën, Sandër Lleshin. Ndërkohë kemi pasur një periudhë qetësie si në rastin e Blendi Çuçit dhe pastaj kishim Taulant Ballën, Ervin Hoxhën e Albana Koçiun. Reagimi i Demos ishte më normal. Është evidentuar në pushtetin lokal. Kryeministri ka bërë lëvizjen e duhur dhe ka gjetur njeriun që mund të bëjë kalimin dhe të drejtojë ministrinë e brendshme dhe pushtetin lokal. Është një lëvizje taktike dhe ministritë nuk janë të ndara. Kjo ishte një lëvizje e goditur. ” tha Minga gjatë një interviste me Ermal Qorin në emisionin 'Studio Live' në Report TV
Minga u ndal edhe te largimi i Besfort Lamallarit, duke kujtuar se Ministria e Brendshme ka qenë historikisht një nga dikasteret që ka "ngrënë " më shumë koka ministrash. Kësaj here, rasti i Lamallarit është ndryshe sipas Mingës, sepse është hera e parë që shihte një ministër të largohej duke shfaqur një raport kaq pozitiv me kryeministrin Edi Rama.
“Është thënë gjithmonë që Ministria e Brendshme ha koka politikanësh por në rastin e Lamallarit është i vetmi ministër që unë pashë një fytyrë shumë të lumtur që kishte bashkëpunuar dhe ishte rritur nën drejtimin e Ramës. S’mund të themi që ishte ministër i Brendshëm thjesht ishte një i emëruar që u ç’emërua nga kryeministri. Ministria e Brendshme futet tek ato 3-4 ministri elitare: Ministria e Jashtme, e Brendshme, e Mbrojtjes dhe e Financave. Kjo është kupola e një qeverie. Ajo që ka ndodhur sot që duhet vlerësuar është se Rama ka bërë një veprim të mirë që ka përfshirë pushtetin vendor si strukturë me ministrinë e brendshme. Askush nuk e di pse iku Lamallari. Motivi duhej të ishte që s’ka bërë detyrën. Nëse ka qenë i shkëlqyer siç tha Rama pse u hoq atëherë? Asnjëherë ska transparencë për largimin e ministrave” tha Minga









Komente
Komento