Ilir Proda u largua nga drejtimi i Policisë së Shtetit pa i bërë 1 vit e 5 muaj në detyrë, i pari drejtor i përgjithshëm i bluve që zgjidhej me konkurs, duke kaluar disa faza të rëndësishme të procesit të përzgjedhjes. Por mandati 5-vjeçar, edhe pse jo më me emërim direkt, pas ndryshimeve të ligjit të Policisë së Shtetit në 2024-ën, sërish nuk solli lavdinë për ta çuar deri në fund. Nëse qeveria e argumenton largimin e tij nga detyra për shkak të incidentit te “Vila 31” gjatë protestës së opozitës të shtunën, duke mos garantuar rendin dhe sigurimin e jetës së artistëve, qasje të ndryshme vijnë nga palë të tjera.
Opozita e sheh largimin e Ilir Prodës pasojë të presionit nga protestat e javëve të fundit, të cilat më shumë se kurdo herë kanë rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejt efektivët e policisë me hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe gurësh. Fakt është që të gjithë drejtorët e përgjithshëm të policisë që prej 2013-ës janë kundërshtuar me forcë prej PD-së. Kritikës nuk mund t’i ndahej edhe Sokol Bizhga, i cili për herë të dytë është komanduar në krye të bluve. Deputeti në hetim nga SPAK për dhunën në protestën e së shtunës, Klevis Balliu, tha se duhet përmbysur sistemi në të cilin krimi bashkëpunon me pushtetin.
Emri i Prodës, akoma pa u emëruar në detyrë, ndërsa gara ishte e hapur në vjeshtën e 2024-ës, u lidh me krimin e organizuar nga opozita dhe qarqe të ndryshme mediatike. Nga lidhjet e supozuara me grupet kriminale të Elbasanit, deri dyshimet e sekuestrimit të celularit nga SPAK. Përgjatë kësaj kohe në detyrë, gjithsesi, Ilir Prodës, përpos të tjerave, i faturohet si meritë ekstradimi i dhjetëra shqiptarëve të Dubait, duke e thyer njëherë e mirë mitin e oazit.
Gara për drejtorin e ri të përgjithshëm
Për herë të dytë, kryepolici do të zgjidhet me konkurs, bazuar në ligjin e Policisë së Shtetit dhe rregullave të Ministrisë së Brendshme për procedurën, të miratuara më 2 shtator 2024. Ministria e Brendshme ka detyrë për hapjen e garës, e cila hap thirrjen e shprehjes së interesit me një afat prej 7 ditësh, përfshirë edhe ditët e pushimit. Aplikimet bëhen online ose më postë, dhe emrat e kandidatëve publikohen pas përfundimit të këtij afati. Brenda 10 ditëve të tjera pune, një Komision i Posaçëm i ngritur, i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër si kryetar, i caktuar nga ministri i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.
Në fund të këtij procesi, harton listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet. Faza e radhës është ajo e intervistimit, ndërsa kandidatët njoftohen të paktën 3 ditë para për ditën e seancës dëgjimore, ku shpaloset platforma e secilit me nga 20 minuta në dispozicion, shtesë parashikohen edhe pyetje nga komisioni. Pas përfundimit, ky komision ka afat 48 orë për të nxjerr rezultatet me pikëzimin e kandidatëve. Jo domosdoshmërish i pari i renditur bëhet drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ligji thotë që njeri prej kandidatëve të pikëzuar, i konsideruar më i përshtatshëm për detyrën, t’i propozohet nga ministri i Brendshëm, Këshillit të Ministrave për emërimin e tij.
Me këtë procedurë ligjore, në varësi të kohës që Ministria e Brendshme hap thirrjen për garën, brenda muajit mars, Policia e Shtetit pritet të ketë drejtorin e ri të përgjithshëm.
Komente











Mbetet nje nder Drejtoret e Policise Shtetit me simpatike dhe kreative. Edhe puna i eci, episode ka patur por jo ngjarje te renda qe lene gjurme.Nuk dilte ne konferenca duke dhene deklarata ne tv me RENEAN apo me te forte sikur beri kete dhe ate, shune modest dhe i thjeshte. Largimi i tij pritej pasi dy vjet eshte rezistence e madhe te perballosh intrigat e politikes,por gjithe ky mllef ndaj tij eshte akoma e pa zbuluar nga i ka ardhur.
PërgjigjuDmth jemi tek shkarkimi nga partia. Sa te mblidhet qeveria. Te shohim ku do e varin shkarkimin. Tek cili nen e germe e ligjit. Cudi do shohim.
Përgjigju