Replika, ja e vërteta për
raportin Camaj-Kadare

Replika, ja e vërteta  për<br />raportin Camaj-Kadare
Ky shkrim bahet me dijen dhe pëlqimin e zonjës Erika Camaj. Mbasi në shtyp dolën për herë të tretë të pavërteta për raportin Camaj - Kadare, asht koha për t' iu kundërvu të pavërtetave.
1.) Më 29 tetor gazeta SHEKULLI botoi nji fragment nga libri i kujtimeve të Helena Kadaresë me titull "Rrëfimi i Helena Kadaresë: Dy rastet kur Ismailin e kanë kërcënuar me jetë" ku gjendet ky pasazh në lidhje me ikjen e Kadaresë për në Paris: "Nga njerëzit e shquar të diasporës ishin deklaratat miratuese të shkrimtarit të madh Martin Camaj, nga Munihu i Gjermanisë dhe të personalitetit tjetër, Sami Repishti, nga Nju-Jorku." Nji deklaratë e tillë e Martin Camajt nuk ekziston. Martin Camaj kurrë nuk asht shprehë publikisht, as me shkrim dhe as me gojë, kjoftë miratues kjoftë mosmiratues, për Ismail Kadarenë apo për arratisjen e Ismail Kadaresë nga Shqipnija.
Jopublikisht, Martin Camaj foli për arratinë e Kadaresë. Në nji takim mbas arratisë së z. Kadare, Martin Camaj më tha, fjalëpak siç e kishte zakon: "Kadareja gjendet në Paris. Iku në prag të fitimit të demokracisë".
2.) Më 11 nandor te gazetat SHEKULLI dhe SHQIPTARJA.com u botue teksti i nji interviste të gjatë që i dha Ismail Kadare gazetarit Blendi Fevziu. Në këte intervistë që u botue te SHEKULLI me titull "Ismail Kadare: Marrëdhëniet e mia me femrat" dhe te SHQIPTARJA me titull "Flet Ismail Kadare: S`jam koleksionist femrash", intervistuesi e pyet Ismail Kadarenë ndër të tjera edhe për nji takim me Martin Camajn në vitin 1981. Kadareja flet për praninë e tij në Panairin e Librit të Frankfurtit dhe shton: "Martin Camaj erdhi në Frankfurt dhe në një konferencë u paraqit dhe më tha, unë jam Martin Camaj, a më njeh? Po i thashë. Biseduam në këmbë 3-4 minuta. Jam shumë i gëzuar që ju takoj tha, kaq."
Asht e vërtetë që Martin Camaj më 1981 shkoi në Panairin e Librit në Frankfurt ku iu afrue Ismail Kadaresë dhe foli me te për 3-4 minuta. Mirëpo, z. Kadare shton edhe katër fjali: "Më vonë unë kam pasur shkëmbim mendimesh me të, nëpërmjet ish ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, Verner Daun, ai filloi të vinte në Paris më sillte lajme prej tij, i çonte mendimet e mia atij. Dhe jam i lumtur t'i transmetoj mendimin tim për novelat e tij. Ai u gëzua shumë dhe na ftoi për drekë. Caktuam dhe drekën, por ai vdiq një javë para saj dhe nuk u takuam kurrë."
Për fat të keq, në këto katër fjali asnjena s' asht e vërtetë. Werner Daum nuk ka kenë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, por mëkambësi i ambasadorit Friedrich Kroneck. Mes Kadaresë dhe Camajt nuk ka pasë "shkëmbim mendimesh" as me ndihmën dhe as pa ndihmën e z. Daum. Martin Camaj nuk i ftoi për drekë zotnitë Kadare e Daum dhe as nuk u caktue dreka. Të gjitha këto do duhej ta dinte e shoqja dhe dora e djathtë e shkrimtarit, zonja Camaj, e cila e mohon nji gja të tillë. Për nji "shkëmbim mendimesh" me z. Kadare dhe për ftesën në drekë të z. Kadare dhe Daum, Martin Camaj nuk më ka tregue gja as mue që takohesha rregullisht me te, ku ai më tregonte të rejat e tij, ngjarjet e randësishme dhe gjanat me të cilat merrej si, fjala vjen, lidhjet e tij me intelektualët e rinj të Tiranës (Ardian Klosi, Edi Rama, Preç Zogaj) apo më tregoi gjithë gëzim e lumtuni që i vinin lajme që po hapeshin dyert e burgjeve nga dilnin, siç më tha, shkrimtarët dhe intelektualët e vërtetë shqiptarë.
Lidhun me z. Kadare ma kishte përmendë, përafërsisht 10 vjet ma parë, vetëm takimin me te gjatë Panairit të Librit ku tha që ia shtriu dorën Ismail Kadaresë dhe foli me te për pak minuta.
3.) Pretendimi i tashëm i Ismail Kadaresë ka nji histori paraprijëse. Më 18 shtator 2008, gjithashtu në faqet e gazetës SHEKULLI, ai botoi nji shkrim të gjatë "Raportet e mia me Pipën dhe Camajn" ku e quen z. Daum "një miku ynë i përbashkët" që "më foli për miqësinë e tij me Camajn". Dr. Werner Daum nuk ka kenë mik i Camajt. Bashkëshortët Camaj e kanë pa z. Daum vetëm për nji orë kah fundi i vitit 1991 kur ishin të ftuem te kushërirja e z. Daum prej së cilës e kishin ble trollin e shtëpisë së tyne në Lenggries. Gjatë kësaj ore z. Daum bisedoi sidomos me Martin Camajn. Mbas nji ore, Camajt u larguen dhe as nuk mbetën për darkën e përgatitun sepse Martin Camaj ishte në gjendjë tepër të keqe shëndetësore.
Ismail Kadare shton që Daumi ia paska transmetue Camajt vlerësimin pozitiv të Kadaresë për novelat dhe poezitë e Camajt ku ky i fundit qe shumë i lumtun dhe e ftoi Kadarenë dhe Daumin për drekë...
Pas takimit njiorësh te kushërirja e Daumit, Martin Camaj nuk ka pasë ma kontakt me z. Daum. Në këte mes duhet me shtue që Martin Camaj n' ate kohë ka kenë shumë i sëmutë dhe vuente tmerrësisht nga sëmundja vdekjeprurëse, ku nji çerek viti para vdekjes kishte halle të tjera nga mendimi i z. Kadare.
Nuk mund të them që pretendimet e Ismail Kadaresë për "mikun e përbashkët" Daum dhe përcjelljen e mendimeve, lajmeve dhe të kinse ftesës janë rrena a instrumentalizim i qëllimshëm nga ana e z. Kadare. Ka mundësi që diplomati gjerman kapardisej me "miqësinë" e tij me dy shkrimtarë të shquem dhe që te puna prej kuririt mes atyne të dyve dhe te puna e ftesës për drekë, siç thuhet në gjermanisht, i ati i mendimit paska kenë dëshira. Sidokjoftë, e vërteta qëndron ndryshe dhe ajo duhet thanë që të mos linden të pavërteta e legjenda të tjera shtesë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?