Replike/ 2 prilli, ku gabon gjyqtari
Artan Broci për procesin

Shtysën për këtë shkrim ma dha një intervistë e dhënë para pak kohësh në TV “Shijak” nga zoti Artan Broci, vëllai i të cilit u vra më 2 prill 1991 në Shkodër gjatë një proteste dhe në përballje me forcat e rendit. Z. Broci është prononcuar disa herë (me të drejtë) lidhur me atë ngjarje dhe, thuajse çdo herë, ka thënë te njëjtat gjëra dhe të njëjtat konkluzione. Natyrisht që nuk do kisha shtysë për të shkruar, nëse z. Broci do ishte një qytetar i thjeshtë, që shpreh konceptet, mendimet dhe ndjenjat e tij për një ngjarje të dhimbshme. Por, konceptet dhe qëndrimet e z. Broci kanë tjetër peshë, sepse ai është gjyqtar në gjykatën e Apelit të Tiranës dhe, si i tillë, ka për detyrë të jap drejtësi i bazuar në ligj dhe në prova. Konceptet dhe qëndrimet e tij marrinë një rëndësi të dorës së parë edhe për shkak të marrëdhënieve që ka me politikën, posaçërisht me z. Berisha. Rëndësia qëndron edhe në faktin e njohur se zgjidhja “juridike” e ngjarjes së 2 prillit ka pasur për protagonist Sali Berishën. Ajo zgjidhje, praktikisht, shënjoi marrëdhëniet e Sali Berishës me drejtësinë dhe zanafillën e gjendjes në të cilën drejtësia ndodhet sot. Meqenëse në atë kohë pata shërbyer përkohësisht si ndihmës i avokatëve mbrojtës të të dënuarve, e pata ndjekur me shumë vëmendje gjyqin e zhvilluar, reagimet e forcave politike dhe të shtypit. Ndërkohë, kam lexuar nja tre libra që janë botuar për atë ngjarjeje. Ngjarja e 2 Prillit 1991 në Shkodër, ashtu si të gjitha ngjarjet e tjera të kësaj natyre, ka tre aspekte: aspektin human, politik dhe atë juridik. E shoh të arsyeshme të ndalem në qëndrimet e zotit Artan Borci në të tria aspektet. 1. Në aspektin human, zoti Artan Broci është një qytetar shqiptar që ka humbur vëllain para 21 vitesh dhe që, me të drejtë, ndien dhe do të ndiej dhimbje gjithë jetën. Jo vetëm ai, por gjithë shqiptarët e ndershëm duhet të ndihen solidarë me këtë dhimbje. 2. Zoti Artan Broci, edhe këtë radhë, krahas dhimbjes për humbjen e vëllait te tij, ka shprehur edhe konsiderata politike lidhur me atë ngjarje. Deri këtu, çdo gjë është normale dhe e mirëkuptueshme. Problemi qëndron në faktin se si e trajton ai çështjen në këtë aspekt. Ashtu si edhe në intervistat e mëparshme, zoti Broci i përmbahet pikëpamjes se protesta e 2 Prillit ishte “protestë kundër diktaturës komuniste”. Një gjë e tillë nuk është fare e vërtetë. Protestat kundër diktaturës u zhvilluan në dhjetor 1990. Të pretendosh se po proteston kundër diktaturës katër muaj pas lejimit të pluralizmit politik dhe dy ditë pas zgjedhjeve pluraliste politike, të certifikuara si “shumë të mira” nga gjithë grupet vëzhguese ndërkombëtare dhe të pranuara nga opozita e kohës, do të thotë se je duke kërkuar një alibi, ose je naiv. Në një intervistë të dhënë para pak viteve, zoti Broci shkon më tutje kur thotë: “Meqë u pa se nuk mund t’iu merrej pushteti komunistëve me votë, atëherë duhej një revolucion...”. Nëse ky pohim është i vërtetë, pra, se dikush po përdorte “revolucionin” për të marrë një pushtet që populli nuk ia jep me votë, atëherë nuk duhet që fajin për pasojat ta kërkosh gjetkë. Të ndërmarrësh akte të tilla do të thotë të veprosh në kundërshtim me ato çfarë propagandon dhe me ato çfarë pretendon se do të arrish. Gjithashtu, kjo do të thotë se po vepron edhe në kundërshtim me ligjin. Me aq sa e njoh ngjarjen e 2 Prillit 1991 (dhe besoj se e njoh mirë), ajo nuk ka të bëjë fare me “revolucion”, por thjesht me një manipulim dhe keqpërdorim të popullit për qëllime politike. Në intervistën e tij, zoti Broci i ndan forcat kryesore politike të Shqipërisë në xhelatë dhe engjëj. Sigurisht që engjëjt janë në partinë në pushtet dhe xhelatët në opozitë. Nisur nga ky pohim, i bije që vetë zoti Broci të jetë gjysma xhelat (pasi dajat e tij kanë qenë komunistë) dhe gjysma engjëll (pasi i ati ka qenë i dënuar politik). Është një pohim ekstrem dhe i përçmueshëm që nuk ka nevojë për komente. 3. Ato që të lënë pa mend në intervistën e tij, janë pohimet dhe konkludimet e tij juridike. Kur njeriu ka parasysh që ky individ është anëtar i Gjykatës së Apelit, atëherë çështja bëhet shqetësuese dhe e vajtueshme për drejtësinë, e cila është interes i përbashkët i shoqërisë. Katër personat e vrarë më 2 prill kanë qenë të pafajshëm. Ky ka qenë jo vetëm konkluzioni i organeve të hetimit dhe atyre gjyqësore, por edhe pohimi i ish-të dënuarve për atë ngjarje. Ky ishte edhe qëndrimi i presidentit Ramiz Alia, i qeverisë dhe i PPSH që ishte në pushtet. Të vërteta të tilla i duhen kujtesë sonë se, duke krahasuar ato qëndrime me këto që mbahen për ngjarjen e 21 janarit 2011, arrihet në përfundime objektive. Mirëpo, pafajësia e viktimave nuk mund të shërbejë si alibi për të akuzuar këdo dhe për të dënuar këdo, pavarësisht fakteve dhe provave ekzistuese. Në intervistën e tij zoti Broci thotë se “para 1990... ishte Partia që i bënte dënimet”. Në fakt, nuk është e vërtetë. Pa përjashtuar as mundësinë dhe as rastet konkrete të ndërhyrjeve politike, e vërteta ka qenë se Partia bënte ligjet, të cilat, në sferën e të drejtave të njeriut, ishin larg standardeve të vendeve Perëndimore, veçanërisht me standardet e pas viteve ’60. Ndërsa dënimet i jepte gjykata. Zotëria e di shumë mirë se vendimi për dënimin e pesë personave, lidhur me ngjarjen ku ka humbur jetën vëllai i tij, është marrë në Presidencën e atëhershme të Shqipërisë. Këtë të vërtetë ka pasur mundësi ta mësonte nga pjesëtarët e familjes së tij, që takuan presidentin e kohës (Sali Berishën) në Zyrën Presidenciale përpara se të bëhej akuza; nga avokati i familjeve të viktimave, zoti Nafiz Bezhani dhe nga burime të tjera të pushtetit që menaxhonin procesin gjyqësor. Më tej, në intervistën e tij, zoti Broci thotë se “PDja nuk i ka pasur të gjitha pushtetet që të zbardhte këtë ngjarje... di që deri më 1996, kur ishte PD-ja në pushtet, u bënë disa tentativa për ta rihapur këtë çështje....”. Nga ky pohim lindin tri pyetje: Cilat pushtete nuk ka pasur PD-ja gjatë viteve 1992-1997? Përgjigjen e kësaj pyetje, pavarësisht duan apo jo ta pohojnë, e dinë të gjithë. PD-ja i kishte të vetat: presidentin, parlamentin me mbi 60%, qeverinë, SHIKun, Prokurorinë e Përgjithshme dhe të gjitha shkallët e tjera të hetimit dhe gjykimit penal. Por mbeten t’u përgjigjet z. Broci dy pyetjeve të tjera. E dyta, tentativat për rihapjen e çështjes u bën se kishte prova të reja, apo për përdorim politik të çështjes, siç thotë z. Nafiz Bezhani në librin e tij? Dhe, e treta, nëse u bënë tentativa të tilla, përse nuk u çuan deri në fund, kush i pengoi ato? Autori i intervistës, siç ka bërë edhe në intervista të tjera, pretendon se “Kam rreth 12 volume të dosjes së “2 Prillit”, të cilat në vitin 1997 u tentua të asgjësoheshin...”. Mund të shmanget pyetja, ka apo nuk ka përgjegjësi penale një shtetas që trajton si mall të tijin dokumentet origjinale shtetërore, por nuk mund të shmangen disa pyetje të tjera: Përse i mban shtetasi Artan Broci këto dosje, përse nuk i ka paraqitur në organet përkatëse të ndjekjes penale (në të vërtetë, ato janë dosjet e prokurorisë së regjimit të Sali Berishës)? Nëse ato dosje fajësojnë të dënuarit apo ndokënd tjetër, pse gjykatat e komanduara nga Sali Berisha nuk i dënuan ata? Kur mendon ky zotëri se duhen përdorur ato dosje, se PD-ja ka shtatë vjet në pushtet, veç pesë viteve të mëparshme? Kush ishin ata që tentuan të djegin dosjet dhe kur? Mos ato dosje shfajësojnë të dënuarit dhe fajësojnë dikë tjetër? Në intervistë, zoti Broci shpreh brengën se “U bënë disa arrestime, por u liruan në 1997... Nuk ka pasur asnjë tentativë për të kërkuar falje (nga të dënuarit-shënimi im,S.L.)”. Prej kujt e kërkon faljen juristi Broci? Prej atyre që “Nuk kishin kurrfarë lidhjeje me krimin”, siç e ka pohuar edhe përfaqësuesi ligjor i familjes së tij, z.Nafiz Bezhani? Prej atyre që “Ishin të pafajshëm me provat që disponoheshin”, siç ka pohuar ish-Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur nga PD-ja, apo nga ata që: “As kanë vrarë dhe as kanë dëshiruar që të vinin pasojat e ngjarjes së 2 Prillit”, siç shprehen në vendimet përkatës gjykatat e të tri shkallëve? Me të drejtë, z. Broci ankohet se në atë ngjarje, “Është bërë këqyrje ligjore dhe ekspertiza ka ardhur dy orë përpara se të varrosej”. Mirëpo, Broci nuk thotë pjesën e dytë të së vërtetës, atë se ishte familja që nuk e lejoi bërjen e autopsisë, çka është e kuptueshme dhe nuk mund t’i fajësosh. Por kjo pengesë do ishte kapërcyer, siç është kapërcyer në shumë raste të ngjashme. Ai që nuk u kapërcye ishte kundërshtimi i disa drejtueseve të PD-së në Shkodër, me Ali Spahinë në krye (!). Ndoshta Broci e ka të qartë arsyen e këmbënguljes së përfaqësuesve të Partisë Demokratike për të mos e lejuar autopsinë, por kur ke prirje për të zbuluar të vërtetën e kupton se atë që di ti duhet ta dinë edhe të tjerët, opinioni. Është e çuditshme se si një jurist (edhe pse është i afërmi i viktimave të ngjarjes) i beson më shumë propagandës politike se sa organeve të drejtësisë të shtetit “të vet” dhe avokatit të familjes së tij, i caktuar po nga Sali Berisha (shih librin e N.Bezhanit, “Procesi i Shekullit”)? Lexuesi mund të thotë se juristi është njeri dhe dhimbja për vëllanë pushton shpirtin e cilitdo. Kështu është, por dhimbja nuk duhet të pushtojë arsyen, veçanërisht të gjyqtarit, nga i cili shtetasit presin të jap drejtësi. Të madhe e ka dhimbjen për vëllanë e vrarë edhe zoti Ardian Dvorani, gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Madje, plaga e tij është shumë më e re, se vëllai ju vra tre vjet më parë në shpërthimin e Gërdecit, por, kur i kërkohet të shprehet për përgjegjësitë penale dhe politike, arsyeton dhe flet si jurist. Nga pikëpamja juridike, tingëllojnë shumë të varfra pohimet e z. Broci se vrasjet e 2 Prillit edhe mund të klasifikohen si “gjenocid”. Përkufizimi i konceptit gjenocid është i pranuar nga të gjitha Kodet Penale të vendeve të qytetëruar, nga OKB-ja dhe të gjitha konventat ndërkombëtare. Normalisht, një jurist e njeh përkufizimin e gjithëpranuar dhe, për rrjedhojë, e di se as vrasjet e 2 prillit, as ato të 21 janarit, as vrasjet që kanë ndodhur e ndodhin në botë gjatë konfrontimit të policisë me turmat, nuk mund të klasifikohen si gjenocid. Por duket se gjyqtari Broci ka zgjedhur të shprehet ashtu për të qenë në një linjë me propagandën partiake. Një pohim tjetër i z. Broci është se, “Kam bërë një investigim, nga ku del se, të gjithë ata persona që kanë marrë pjesë në zbardhjen e çështjes së 2 prillit kanë pasur një karrierë shumë të suksesshme”. Ka të drejtë, por meqenëse Broci nuk e gjykon të arsyeshme përmendjen e emrave të tyre, unë mendoj se ia vlen t’i kujtojmë, të paktën shumicën dhe më kryesorët prej tyre. Ata, që u graduan menjëherë pas hetimeve dhe gjyqit, ishin: Alush Dragoshi Prokuror i Përgjithshëm, Avni Shehu Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kristofor Peçi Ministër i Drejtësisë, Metush Saraçi anëtarë i Gjykatës Kushtetuese, Arben Qeleshi kryeprokuror i Rrethit Tiranë, Neshat Fana drejtor në Prokurorinë e Përgjithshme, Qazim Gjonaj kryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prelë Martini kryetar i Gjykatës së Apelit (e vetmja në atë kohë në Shqipëri) dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është i njohur dhe s’ka nevojë të shpjegohet fakti se të gjitha këto poste u janë dhënë nga Sali Berisha. Të gjitha “lajthitjeve” të mësipërme ua vë vulën një fakt tjetër shumë domethënës. Sikur të ishte rregulluar nga dora e Perëndisë për të testuar bindjet demokratike dhe moralin qytetar e juridik të atyre që pretendojnë se luftuan e luftojnë për demokraci. Para pak muajsh, zoti Broci kryesoi një trup gjykues, i cili duhej të përcaktonte masën e sigurisë për ishkomandantin e Gardës, të cilit i është provuar nga ekspertiza e FBI-se se ka vrarë njërin nga demonstruesit e 21 janarit 2011. Zoti Broci dhe kolegët e tij vendosën lënien tij të lirë. Të kërkosh që të shkojnë në burg ata që “as kanë vrarë dhe as kanë dëshiruar vrasjen” e dikujt (qoftë ky edhe vëllai) dhe, nga ana tjetër, të vendosësh lënien të lirë të dikujt tjetër që i është provuar vrasja e një njeriu (edhe kur i vrari nuk është i afërm i yti), do të thotë të vësh emocionet mbi arsyen, fitimin mbi të drejtën, favoret që të garanton politika mbi moralin. Në sitet, që pasqyruan këtë vendim të Brocit, komentet ishin jashtëzakonisht të shumta dhe të hidhura. Nuk mund të thuash se në ç’masë ishin të merituara, por mund të thuash me siguri se njerëzit të njohin dhe të gjykojnë ashtu si je dhe jo ashtu si kërkon të dukesh. Dhe, në fund, kam dy këshilla për zotin Broci, që shkojnë edhe për të ngjashmit me të. Së pari, meqë do më shumë Partinë se të vërtetën, është më mirë të merret me politikë se sa të shfaqet edhe më i politizuar se Aranit Çela. Së dyti, të ketë parasysh këshillën e Monteskiesë se, “Kur e kërkon borxhin në vend të gabuar, rrezikon të hysh vetë në borxh”.
(Shkrimi u botua dje ne gazeten Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave