Report TV ishte sot në konviktin ku jetonte Erjon Selimaj, 26-vjeçari që kërcënoi ditën e djeshme se do të hidhej nga vinçi në kantierin e ndërtimit të stadiumit të ri në kryeqytet.

Ne ishim me kameran tonë në konviktin e shkollës industriale në qytetin e Vlorës, në dhomën ku ka jetuar Erjoni me babain e tij.

26-vjecari jetonte vetëm me babain, i cili ka probleme të shëndetit mendor, pasi e ëma i ka braktisur dhe jeton në Itali.

Drejtoresha e konviktit, Zara Balla thotë se Erjoni ishte problematik dhe me çrregullime mendore. Sipas Ballës, ai kishte shfaqur vazhdimisht probleme, si për punonjësit ashtu edhe për familjarët dhe nxënësit që jetojnë në konvikt.

Sipas saj, Erjoni kishte konflikte të vazhdueshme me të atin, ndaj të cilit ka ushtruar edhe dhunë për t'i marrë lekët e pensionit. Sipas Ballës, 26-vjeçari ka refuzuar edhe punën.

“Joni është i sëmurë, ka probleme. I gjetëm punë dhe nuk pranoi. Shkoi dy ditë dhe iku. Kur ngelej pa lekë krijonte probleme. Ka pasur konflikt me babain e tij, i mori tokat dhe pensionin. I mori edhe kartën e identitetit. Njëherë ai e rrahu babin e tij dhe ia hodhi rrobat e trupit nga dritarja dhe kishte lënë vetëm rrobat e brendshme të trupit. Sillte probleme në konvikt herë pas here. Unë babain e Erionit e kam shoqëruar për në polici aty ku bëri edhe kallëzimin për djalin që e kishte rrahur” tha ajo.

Në konvikt jetojnë edhe dy familje, banesat e të cilëve u përmbyten 1 vit më parë. Njëra nga banorët pohon se Erjoni ishte kthyer në problem për të gjithë, e veçanërisht për nxënësit. 

E kam pasur përballë, ai jetonte me babain e tij dhe kur vinim në dhoma dëgjonim se bënin llafe. Edhe fëmijët na i shqetësonte, ka qenë problematik” tha ajo.

Kushtet këtu janë mesatare” tha një fëmijë. 

Në konvikt janë të akomoduar nxënësit e shkollave profesionale që vijnë nga rrethe të ndryshme të jugut.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)