PRIZREN- Mungesa e reshjeve ka bërë që ujërat e Liqenit të Vërmicës në Prizren të shterojnë, ndersa pranë doganës së sotme Kosovë-Shqipëri ka dalë në sipërfaqe, kufiri i vjetër ndërmjet ish-shteteve komuniste, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë. Sot dallohen qartë rrënojat, bunkerët dhe piramida D/10 e ndërtuar në vitin 1948.
Piramidat e komunizmit janë për banorët e zonës kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, kujtime të hidhura. Ata ndajnë në Report TV, rrëfime të kohës kur shqiptarët e ndarë në dy shtete nuk guxonin të takonin njëri-tjetrin, ndonëse kishin lidhje farefisnore.
Ish-studenti i asaj kohe, Nexhat Hoxha nga Zhuri kujton: "Ma mirë është mos me i pa ato gërmadha, sepse paraqet një të kaluar të popullit tonë shumë të idhët. Nëse edhe kë kqyr përpara nga kufiri, të kanë dënuar policia, nëse ke ba me gisht anej është Shqipëria, të kanë marrë menjiherë."
![]()
"Veçanërisht familjet që nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me ta kanë qenë të përndjekura, të ekspozuara pranë terrorit, e në raste të ndryshme, kanë ardhur në shtëpi, i kanë marrë, i kanë çuar te kufiri, i kanë ekzekutuar, ia kanë lënë një armë pranë, gjoja se ka dashur të dalë në Shqipëri", tha Bujar Pulaj, banor i Vërmicës.
Kufiri i vjetër ka funksionuar deri në vitet 80-të, kur zona u mbulua me ujë nga ndertimi i Hidrocentralit të Fierzës në vendin tonë.
R.D/I.M/Shqiptarja.com"Kjo zonë këtu, afër kufirit, në atë kohë nuk ka mundur të afrohet kush pa një leje të posaçme, qoftë për bagëti, qoftë për punët e fushës, sepse kjo pjesë këtu është mbjellë, ka qenë tokë pjellore. Nëse ka pasur dikush mysafir, është dashur t'i lajmërojnë, tek kryetari, apo përfaqësuesi i fshatit, ta lerë letër njoftimin aty e të tregonte se kemi mysafir filan fistekun", shtoi Bujar Pulaj.
Gjatë luftës së Kosovës kjo zonë shërbeu për kalimin e armatimit për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së por më shumë e njohur u bë në mars të 1999-ës, kur banorët e dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë u strehuan në Shqipëri.
Komente

