Report Tv ka siguruar dosjen hetimore për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili shkoi të rregullonte dhëmbët 2 vite më parë në klinikën Splendent dhe nuk u zgjua kurrë nga anestezia.

Sipas kësaj dosje, ndërhyrja u bë në datë 28 shtator 2023.

Mjekja Ina Xhaxho u kishte thënë familjarëve që 3-vjeçarit do t’i mbushen 2 dhëmbët e fundit pa specifikuar se cilët, ndërsa do të bëhet pastrim gurëzash në dhëmbët e tjerë.

Në dosje thuhet që familjarët e 3-vjeçarit i kishin thënë mjekëve të klinikës dentare që Briani kishte bërë ndërhyrje në zemër në moshë më të vogël.

“Ata i thanë edhe që djali kishte bërë ndërhyrje në zemër dhe doktor Rolandi i tha që nuk kishte problem, pasi kishte folur me doktorin Altin Veshti. Gjithashtu, ata e pyetën për anestezinë dhe nëse kishte efekte anësore dhe ai i tha që do të përdoret anestezi e lehtë, nga ajo që përdoret në të gjithë botën dhe nuk asnjë efekt anësor”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës.

Mjekët i thanë që e gjithë procedura për ndërhyrje kirurgjikale në dhëmbë do të zgjaste 2 orë, ndërsa anestezia do t’i dilte pas 45 minutash.

Në orën 10:20, fëmijës iu bë gjilpërë me qetësues. Pesë minuta më vonë, 3-vjeçari ishte nën efektin e narkozës.

Prej këtij momenti, për rreth 8 orë, familjarët e 3-vjeçarit u interesuan 5 herë për djalin e tyre, teksa i mituri ishte ende në ndërhyrje kirurgjikale dhe nën efektin e narkozës, duke tejkaluar çdo afat apo orar që ishte dhënë.

Kështu, familjarët u interesuan për herë të parë për Brianin në orën 13:00, më pas në orën 15:00 ku doli doktoresha dhe u tha që ndërhyrja përfundoi dhe po presin t’i dalë narkoza. Por nuk ndryshoi asgjë. Më pas në orën 15:20 ata u interesuan sërish dhe doli doktori, duke u thënë që po presin t’i dalë ende narkoza.

Në orën 17:15 familjarët u interesuan përsëri. Recepsionistja u tha se presin ende t’i dalë narkoza. Në orën 18:00, përsëri u interesuan familjarët. Doktoresha ju tha që ndërhyri në 14 dhëmbë, nga 2 që ju kishte thënë para ndërhyrjes. Sipas saj, ishte e nevojshme ndërhyrja në 14 dhëmbë. Më pas ju tha se “djalin do ta nxirrnin rreth orës 19:00”.

Teksa Brian Spahiu ishte ende nën efektin e anestezisë, e që pas disa ditësh ra në koma e humbi jetën pasi nuk u zgjua kurrë, recepsionistja po bënte llogaritë financiare për ndërhyrjen në 14 dhëmbë.

Fatura ishte 70 mijë lekë, pasi ndërhyrja në një dhëmb kushtonte 5 mijë lekë.

Krahas kësaj fature, familja bëri edhe një pagesë shtesë prej 330 mijë lekë. Doktoresha ju tha që duhet ta paguajnë pasi ishte përdorur anestezi shtesë për 4 orë e gjysmë.

Familjarët e paguajtën. E në fakt, ata paguan ekzaktësisht atë shtesë anestezie, që u mori jetën djalit të tyre 3-vjeçar, anestezi nga e cila Briani nuk u zgjua kurrë.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria e Tiranës ka vendosur nën akuzë pesë persona. Në arrest shtëpie janë mjeku anestezist Roland Xhaxho, vajza e tij mjeke dhe që ka klinikën Ina Xhaxho dhe Marta Gina. Për Roland Xhaxhon, Prokuroria e Tiranës kërkoi masë arrest në shtëpi dhe e njëjta u caktua nga gjykata. Ndërsa për Ina Xhaxhon dhe Marta Ginën, organi i akuzës kërkoi arrest në burg, por togat e zeza caktuan arrest shtëpie.

Nën akuzë janë edhe dy mjekë të Mjekësisë Ligjore, Elton Serani dhe Erindo Allo, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Këta të fundit janë pezulluar nga detyra.

Pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë Tiranë:

Në datën 28.09.2023, së bashku me djalin Brian, bashkëshorten *******, babanë e tij Guri dhe kunatin Elsi Qosja kanë shkuar në klinikë, kur rreth orës 10.05 ka ardhur doktoresha ******* *******, e cila e ka parë djalin nga dhëmbët dhe u tha shprehimisht që “djalit do t’i mbushim dy dhëmbët e fundit, në të dyja anët, pa specifikuar konkretisht dhe do të bëjmë pastrim gurëzash të të gjithë dhëmbëve”. Pas rreth 5 minutash erdhi doktor ******* *******, i cili e vizitoi me stetoskop, i pa edhe gojën. Ata i thanë edhe që djali kishte bërë ndërhyrje në zemër dhe doktor Rolandi i tha që nuk kishte problem, pasi kishte folur me doktorin Altin Veshti. Gjithashtu, ata e pyetën për anestezinë dhe nëse kishte efekte anësore dhe ai i tha që do të përdoret anestezi e lehtë, nga ajo që përdoret në të gjithë botën dhe nuk asnjë efekt anësor.  Të dy doktorët, Rolandi dhe ******* u thanë që i gjithë procesi i rregullimit të dhëmbëve do të zgjaste rreth dy orë dhe dalja e anestezisë 45 minuta. Në kohën që doktori i tha që do t’i vendoste një vigon për bërjen e analizave, djali u tremb dhe donte të largohej.

Doktori ******* ******* u tha që do t’i bënin një gjilpërë me qetësues, i cili ishte i lehtë nga ata që përdoren për t’i vënë fëmijët në gjumë dhe pasi ka bërë gjilpërën në krah dhe pas rreth 5 minutash djali u këput dhe mbylli sytë. Një vajzë infermiere e ka marrë djalin dhe ka zbritur poshtë te shkallët dhe në këtë kohë ora ka qenë 10.25. Në këtë moment të pranishëm kanë qenë shtetasi Bledar Spahiu, bashkëshortja e tij ******* Xahxho, babai i tij, doktorët ******* dhe Rolandi, dhe një vajzë që mori lekët më pas dhe dy infermierë. Pas këtij momenti doktoreshë ******* në prezencën e recepsionistes u tha për të kryer pagesën 300 euro të anestezisë, të cilën shtetasi Bledar Spahiu e bëri duke ia dhënë lekët recepsionistes. Pastaj i dha disa letra për të firmosur duke  i thënë që këto ishin për konsensusin për procedurë. Shtetasi Bledar Spahiu i ka firmosur të gjitha vetë por në emrin e  bashkëshortes, pasi ajo kishte kartën e identiteti me vete. Gjithashtu doktoreshë ******* i tha që pagesën për dhëmbët do e bënin në fund të procedurës së ndërhyrjes. Ata dolën jashtë dhe pritën tek shkallët e jashtme të ndërtesës. 

Rreth orës 13.00, duke qenë se shtetasi Bledar Spahiu  u  shqetësua i ka rënë derës  së hyrjes në katin e dytë dhe ka dalë recepsionistja, e cila i tha që mjekët janë në sallë dhe po vazhdohet puna. Pastaj rreth orës 15.00 kanë trokitur përsëri dhe ka dalë recespionistja dhe doktoresha ******* *******, ku kjo e fundi tha që djali mbaroji rregullimin e dhëmbëve dhe po prisnin t’i dilte narkoza, ndërkohë  që shtetasi Guri Spahiu i ka thënë asaj që duhet të bisedonin  me doktorin. Pas 5 minutash,  rreth orës 15.20, ka dalë doktori ******* *******, para derës hyrëse në katin e dytë, i cili u ka thënë  shtetasve Bledar Spahiu, Guri Spahiu dhe Elsi Qosja që çdo gjë shkoi në rregull dhe do prisnin sa t’i dilte narkoza.

Rreth orës 17.15, ata trokitën përsëri te dera ku ka dalë prapë recepsionistja, e cila u tha që po prisnin t’i dalë narkoza. Rreth orës 18.00 përsëri i kanë rënë ziles dhe me ngulm i kanë kërkuar që të futeshin brenda për të parë djalin, dhe në këtë moment, shtetasit Bledar Spahiu, ******* Spahiu dhe Guri Spahiu kanë hyrë në sallonin e katit të dytë ku ishin edhe në mëngjes dhe pasi kanë pritur 5 minuta, ka ardhur doktoreshë ******* dhe më pas një infermiere, që ka shoqëruar shtetasen ******* Spahiu, në një dhomë për të parë djalin Brian, e cila ndodhej tek pavioni që e kishte derën hyrëse përballë sallonit. Ndërkohë doktoreshë ******* i ka dhënë shtetasit Bledar Spahiu një kartele, ku i ka shpjeguar duke i thënë shprehimisht që ndërhyri në 14 dhëmbë pasi ishte e nevojshme.  Ajo i dha edhe një recetë ku i shpjegoi që djali mund të kishte temperaturë dhe do të përdorte Algofren, dhe i dha edhe një antibiotik për qetësimin e mishrave të dhëmbëve dhe një multivitaminë. Ajo i tha që për çdo problem që mund të kishte djali, mund ta telefononte në numrin celular që ishte vendosur te kartela, që ia dha ajo vetë. Ndërkohë aty pranë recepsionistja po bënte llogarinë duke i thënë që 14 dhëmbë kushtojnë 70.000 lekë, pasi një dhëmb kushton 5,000 lekë. Gjithashtu, doktoreshë ******* i tha që duhet të bënte edhe një pagesë prej 330 mijë lekë, pasi ishte përdorur anestezi shtesë për 4 orë e gjysmë. Shtetasi Bledar Spahiu ka bërë pagesën në total duke i dhënë shumën e lekëve recepsionistes, në prezencë të stomatologes ******* ******* dhe babait të tij. I pranishëm në këtë moment ishte edhe doktori ******* *******, i cili nuk ka folur. ******* ******* nuk i dha ndonjë letër për llogaritjet e këtyre pagesave por i bënë me gojë, dhe nuk i dhanë as kupon tatimor. Të dy doktorët ******* ******* dhe ******* ******* i thanë që “djalin do ta nxirrni në orën 19.00” dhe ata pastaj u larguan.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë