Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Roland dhe Ina Xhaxhon, ndërsa ka ndryshuar masën për Marta Ginën, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrje në klinikën mjekësore “Splendent” 2 vite më parë.
Ndërsa ndaj dy mjekëve të IML, Elton Serani dhe Erindo Allo është hequr masa “pezullim nga detyra”, pasi Gjykata e Tiranës e kishte caktuar këtë masë vetëm për një periudhë 1 mujore.
Brian Spahiu humbi jetën 2 vite më parë në klinikën detare “Splendent”, pas ndërhyrjes në 14 dhëmbë, si pasojë e mbidozës së anestezisë. Roland Xhaxho akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Ina Xhaxho dhe Marta Gina akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe mashtrim të kryer në bashkëpunim. Dy mjekët e Mjekësisë Ligjore u vunë gjithashtu nën akuzë për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Ata u pezulluan nga detyra pas mbërritjes nga Italia të përgjigjeve të akt-ekspertizës së 3-vjeçarit.
Ekspertët italianë konstatuan shkelje të rënda të mjekëve. Sipas tyre, 3-vjeçari humbi jetën nga shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive të shumë organeve. Sipas ekspertëve italianë, nuk janë kryer kontrollet e nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit. Që do të thotë se i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrën e përshtatshme, pa një diagnozë të saktë dhe pa kryer testet e nevojshme për gjendjen klinike.
Gjithashtu, ndërhyrja kirurgjikale ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për overtreatment.
Në dosjen e siguruar nga Report TV, thuhet se ndërhyrja u bë në datë 28 shtator 2023. Mjekja Ina Xhaxho u kishte thënë familjarëve që 3-vjeçarit do t’i mbushen 2 dhëmbët e fundit pa specifikuar se cilët, ndërsa do të bëhej pastrim gurëzash në dhëmbët e tjerë. Në dosje po ashtu thuhet se familjarët e 3-vjeçarit i kishin thënë mjekëve të klinikës dentare që Briani kishte bërë ndërhyrje në zemër në moshë më të vogël. Prindërit kishin paguar edhe lekë shtesë për anestezinë shtesë.
Komente









