Pas caktimit të masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ nga Gjykata e Tiranës, ka reaguar për herë të parë Ina Xhaxho, e akuzuar së bashku me babain e saj Roland Xhaxho dhe 3 persona të tjerë, për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrje në klinikën mjekësore “Splendent” 2 vite më parë.

Ina Xhaxho shkruan se prej më shumë se 10 vitesh ka qenë pranë pacientëve të saj, të cilët i ka konsideruar si njerëz të afërt dhe a ndarë me ta momente të bukura, por edhe të trishta.

Xhaxho e konsideron profesionin e saj si një mision që e ushtron me dashuri të pastër dhe se pacientët e saj janë forca më e madhe.

Reagimi i Ina Xhaxhos:

Me shpirt e me dashuri

Ka më shumë se 10 vite që rrugëtimi im profesional ka qenë pranë jush. Në çdo buzëqeshje kam parë shpresë, në çdo lot kam ndjerë dhimbje, dhe në çdo përqafim – dashuri të pastër.

Nuk kam qenë thjesht mjekja juaj. Shpesh kam qenë njeriu që ka qarë me ju, është gëzuar me ju, ju ka përqafuar në heshtje dhe ju ka dhënë kurajë kur bota ju dukej e rëndë.

E kam zgjedhur këtë rrugë jo sepse është e lehtë, por sepse është thirrja ime. Sepse çdo herë që shoh një nënë me sy të mbushur me lot falënderimi, çdo fëmijë që buzëqesh pas trajtimit, çdo shpirt që rigjen qetësinë – ndjej se jam aty ku duhet. Nuk ka shpërblim më të madh se të prekësh një jetë me dashuri dhe kujdes.

Më kanë thënë shpesh:

“Mos u lodh kaq, mos u ngarko emocionalisht, bëhu si të tjerët — merre më lehtë, merri rastet si turizëm dentar…”

Por unë nuk di të jem ndryshe. Nuk di të jetoj pa shpirt në atë që bëj.

Ajo që më mban gjallë nuk janë numrat, por zemrat që kam prekur. Janë lutjet dhe mirënjohja e prindërve që shohin tek unë një dritë shprese. Sot, pas më shumë se 2000 pacientësh, ndjej vetëm falënderim.

Për secilin që më ka besuar, për secilin që më ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij. Ju më keni bërë njeri më të fortë, më të butë dhe më të përulur.

Dhe mbi të gjitha…

Faleminderit nga zemra Profesorit tim, njeriut që me 47 vite përvojë mbi supe ka qenë drita që më ka udhëhequr çdo ditë.

Ky është misioni im. Jo thjesht një punë. Dashuri e pastër. Dhimbje. Shpresë. Jetë.

Roland Xhaxho akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Ina Xhaxho dhe Marta Gina akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe mashtrim të kryer në bashkëpunim. Nën akuzë janë edhe dy mjekë të Mjekësisë Ligjore, Elton Serani dhe Erindo Allo, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Këta të fundit janë pezulluar nga detyra. Këto të fundit u dhanë pas mbërritjes në Shqipëria nga Italia të përgjigjeve të akt-ekspertizës së 3-vjeçarit Brian Spahiu.