VIDEO EKSKLUZIVE / Report Tv siguron pamjet të korrupsionit të policëve në Morinë, si i merrnin lekët nën dorë dhe e ndanin ryshfetin me njëri-tjetrin! Fitimet arrinin deri në 8000 euro në ditë

KUKËS- Report Tv ka siguruar videon ekskluzive të efektivëve të arrestuar ditën e sotme për korrupsion dhe shpërdorim detyre në pikën kufitare të Morinës. Siç shihet edhe në video e siguruar nga gazetari Arsen Rusta, pamjet tregojnë mënyrën sesi grumbulloheshin dhe ndaheshin paratë ndërmjet efektivëve. Njëra nga efektivet shihet duke numëruar ryshfetin që ka përftuar nga qytetarët duke shpërdoruar detyrën, ndërsa monitorimi i tyre është kryer nga kamera përgjimi, të vendosura nga prokuroria.

Sipas SPAK, për 32 punonjës të policisë kufitare me funksione të ndryshme përfshirë edhe drejtorin e kësaj drejtorie, Fran Kaçorrin, (i pezulluar nga detyra) janë prerë masat e sigurimit personal nga GJKKO, nga të cilët për 17 efektivë në 'arrest me burg', 14 në ‘arrest në shtëpie’, përfshirë edhe 2 qytetarë, si dhe 3 të pezulluar nga detyra.

Nga hetimi ka rezultuar se policët i merrnin qytetarëve minimalisht nga 10 euro-100 euro, për vepra të ndryshme penale, si kontrabanda, sende të tjera të kundraligjshme etj, të cilat i ndanin më pas me njëri tjetrin në fund të turnit. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Hetimi është kryer nga prokurorët Dritan Premçi dhe Vladimir Mara, ndërsa Report Tv mëson se gjyqtari Erjon Bani ka administruar 250 faqe prova e fakte të 312 episodeve të ndryshme të korrupsionit dhe 'shpërdorimit të detyrës'.

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Bie numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në Greqi

Bie numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në Greqi