Report Tv sjell historinë e 31-vjeçarjes së paralizuar nga skleroza multiple! Pacientët: Vetëm 2 ilaçe në vend për kurimin, të pamjaftueshme

Një paralizë e anës së djathtë të trupit e alarmoi Denisën kur ishte vetëm 18 vjeç, por ideja se ishte diçka kalimtare bëri që ta neglizhonte...

5 vite më pas, në vitin 2013, të njëjtat problematika iu shfaqën sërish, por këtë herë djegia muskulore dhe problemet në të ecur, bënë që ta merrte seriozisht mesazhin që po i jepte trupi. Pas ekzaminimit ajo mësoi se vuante nga skleroza e shumëfishtë, që prej një viti e ka lënë në karrocë me rrota. 

“Ishte një moment shumë i vështirë. Kam pasur goxha pamundësi në të ecur. Mpirje në pjesë të ndryshme të trupit. Nuk e njihja si sëmundje. Pas kësaj fillova me mjekim, takova doktoreshën. Unë bëj një vit që jam në këtë gjendje, në karrocë. Kam qenë 18 vjeçe kur kam ndjerë simptomat e sëmundjes. Më është mpirë ana e djathtë e trupit. Situata fatale ishte në 2013. Aty u alarmova. Nëse do i kisha rënë pas, do të ishte më e thjeshtë. Ne jemi popull neglizhent”, tha ajo.

31-vjeçarja nga Vlora teksa tregon problemet me të cilat po përballet, shpreson që një ditë të gjejë një punë dhe të krijojë familjen e saj.

“Me shumë vështirësi. Që nga rampat që nuk ekzistojnë, me punësimin. Ri në shtëpi dhe mërzitem. Kam kërkuar punë, por na lënë pas dore. Ne nuk kemi vetëm një problem. Ka shumë simptoma sëmundja. Për të qenë mirë Probleme me shikimin, artikulimin, ecjen, disa kanë në duar, kemi marrje mendsh”. 

Me sklerozë të shumëfishte bashkëjetojnë edhe Vjollca Koko dhe Tanush Caushi, të cilët ngrenë shqetësimin se në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 lloje medikamentesh, ‘Inteferonet’ dhe ‘Fingolimodi’, që sipas tyre janë të pa mjaftueshme për 5 format e sëmundjes.

“Që nga viti 2014, Shqipëria nuk ka futur asnjë medikament të ri. Janë në botë mbi 64 medikamente. Në Shqipëri ka vetëm 2 fatkeqësisht.  Një pacient gjatë jetës, nuk mund të trajtohet me njolloj medikamente sepse simptomat shfaqen vit pas viti dhe ai medikament nuk bën më punë”, tregoi Caushi.

“Më mirë të rriskoj duke provuar një medikament që është i rrezikshëm, sesa të rri pa medikamente”, tha Vjollca.

Një pretendim i tillë, konfirmohet edhe nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

“Për sa i përket medikamenteve qëndrojnë të gjitha ato që thuhet. Padyshim që ka nevojë për më shumë medikamente, po qëndron në vëmendje”, tha Rakacolli.

Përveç humbjes së kontrollit të trupit, Çaushi thotë se këta pacientë përballen edhe me vështirësi në punësim, mungesën e fizioterapisë dhe infrastrukturës së posaçme. 

“Në Shqipëri nuk ka fizioterapi falas, mungojnë mbështetja për punësimin e këtyre personave. Mungojnë barrierat në rrugë”, tha Caushi.

Sipas një raporti, në vendin tonë janë 1850 persona që vuajnë nga skleroza multiple, teksa mosha mesatare e të prekurve është 35 vjeç.  

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin për pagesat ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin për pagesat ndërkombëtare