REPORTAZH/Cocciante: Elhaida
është birësuar nga populli italian

REPORTAZH/Cocciante: Elhaida<br />është birësuar nga populli italian
TIRANE - Kantautori italian, Riccardo Cocciante, me bashkëshorten dhe këngëtaren shqiptare, Elhaida Dani, dje pasdite kanë hyrë në mjediset e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Mediat prisnin të përqendruara për më shumë se gjysmë ore.

Gazetarët hartonin pyetjet në fletore dhe mezi çprisnin përgjigjet. Ministri Zhiti i thotë Cocciante-s:”Ju jeni një emblemë e kulturës italiane dhe europiane në përgjithësi, keni dhënë gjënë më të bukur dhe më të çmuar të zemrave njerëzore, këngën, e cila tashmë është pasuri e popullit Tuaj, por edhe e shqiptarëve.

Mbase ne jemi vendi ku ju njiheni më shumë e ju duam më shumë, pas atdheut Tuaj”. Pas kësaj ministri Zhiti kujtoi fjalët e Cocciante-s kur zbriti në aeroport, që u shpreh se “vij për herë në tokën e shqiponjave”.

“Por para Jush, vite më parë kishte ardhur kënga Juaj, kishte hyrë, pa vizë, pa leje, klandestine, duke kaluar tela me gjemba, dogana, polici dhe e mbushte ajrin tonë me emocione, nga ato të ndaluarat, të mrekullueshmet, të shenjtat.

Ishte zëri i Europës, i lirisë së saj, që ne e ëndërronim dhe që dënoheshim për këtë ëndërr”, komentoi Zhiti. Ndërsa ministri i Kulturës i rrëfente të kaluarën tonë, sytë e kaltër të Cocciante-s u mbushen me lot.

E preku dhe emocionoi fjalimi i ministrit Zhiti, poetit të dënuar në burgjet e diktaturës, që i kujtonte atij “Në burgjet tona kishte të rinj që ishin dënuar se dëgjonin këngë italiane, se dinin Emrin Tuaj, këngë Tuajat, i vërshëllenin ato, se nuk guxonin t’i këndonin nën zë.

Pastaj Zhiti i tregoi kantautorit të mirënjohur italian sesi kishin biseduar me kryeministrin: “Në zyrat këtu përreth u shkrua me zell dhe gëzim ftesa për Ju, edhe si dëshirë dhe përkujdes i lartë i Kryeministrit Berisha.

Do vijë, do vijë, i thoshim njëri tjetrit me qejf. Faleminderit që erdhët.”  Ministri i kulturës i kujtoi Kocantes se ai bërë shumë familjar për shqiptarët, kur u bë mentori i këngëtares Elhajda Dani që e çoi në finalen e “The Voice of Itali. “Zëri i saj u bë urë në ajër, urë prej kënge e miqësisë së dy popujve tanë”, tha ministri Zhiti.

Riccardo Cocciante i mallëngjyer u shpreh se nuk e kishte imagjinuar se kënga e tij do të prekte zemrat e kaq shumë njerëzve. “Ndihem me të vërtetë i mallëngjyer për këtë pritje.

Para së gjithash unë kam filluar të këndojë që në vogëli dhe nuk e mendoja kurrë që do të arrija të prekja kaq shumë zemra njerëzish dhe për më tepër të arrija të prekja zemrat tuaja. Kështu unë kam kuptuar se nëpërmjet këngës kam shprehur shumë dhe me të vërtetë ndihem i lumtur që kam ardhur këtu”, Tha Cocciante.

Pastaj ai foli për Elhaidën dhe u shpreh se ka parë te ajo një talent shumë të pastër dhe të aftë për të kapërcyer kufinjtë, më i vështiri sipas tij ishte ai i Italisë. Cocciante tha se “pavarësisht këtyre kufijve bashkë me Elhaidën shpalosën se populli Italian hapi zemrën dhe zgjodhi talentin”.

Duke vlerësuar gjestin e popullit të tij, Cocciante u shpreh me humor se “Tashmë Elhaida është birësuar nga populli italian”. Ai tha sesi e kishte vlerësuar që në fillim Elhaidën “për përulësinë dhe thjeshtësinë.

Ka qenë në natyrën thjeshtësia dhe përulësia në jetë dhe kur këto veti i pashë tek Elhaida dhe më lanë shumë mbresë”. Elhaida  e emocionuar  falënderoi për ftesën dhe u shpreh se ishte e befasuar për pritjen e djeshme.

Nuk u lejuan pyetjet nga organizatorët e ministrisë. Mediat u mjaftuan me ato që u thanë në konferencë për shtyp..., por vetë Cocciante na bëri një surprizë, kur u ul në pianon e Ministrisë së Kulturës që dukej megjithatë se ishte paksa e degraduar dhe ai këndoi hitin e tij “Margherita”, duke emocionuar të gjithë të pranishmit, të cilët e shoqëruan jo vetëm me duartrokitje, por edhe kënduan bashkë me të.

Gjatë performancës zëri i mjeshtrit Cocciante gurgullonte, por me sa duket e ndjeu se pianoja e Ministrisë së Kulturës do ta “linte në baltë”, dhe furishëm u ngrit në këmbë dhe vazhdoi të na emociononte me këngën e tij pa nevojën e instrumentit...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt