Reportazh/ Fshati Bajkaj i Delvinës në 'luftë' me etjen! Një dramë njerëzore mes premtimeve të pambajtura dhe shterimit të burimit të ujit

Prej më shumë se tri javësh, rreth 300 banorë të fshatit Bajkaj në Delvinë nuk kanë uji i pijshëm. Burimi kryesor është tharë, duke shfaqur një skenë të dhimbshme të furnizimit me bidona dhe kova. Ndërsa një pjesë e madhe e banorëve, të moshuar dhe të pafuqishëm, përballen me vështirësi që tejkalojnë kufijtë e imagjinatës.

Kryetari i fshatit, Ilirjan Liçaj, shprehet me zemërim se ujësjellësi është ndërtuar me mundin dhe kontributin e banorëve, duke u mbështetur në rrjedhjen e lirë të burimit natyror. Por çdo vjeshtë, ky burim shteron dhe ata mbeten pa ujë.

“Kemi kërkuar disa herë hapjen e një pusi nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Sarandë, por jemi lënë në harresë,” deklaron ai, duke theksuar se premtimet e bëra prej vitesh kanë mbetur vetëm fjalë boshe”, tha ai.

Banorët e Bajkajt kanë ndjekur çdo rrugë institucionale për të gjetur një zgjidhje, por Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, Sarandë nuk ka marrë masa konkrete për të zgjidhur këtë problem jetik. Përgjegjësi i UK për Delvinën, Vasil Marga tha se ‘do të kërkojmë planifikimin e një fondi për hapjen e një pusi në vitin 2025’ por kjo përgjigje nuk është zgjidhje reale për banorët e Bajkajt, të cilët kanë nevojë sot për ujë, jo vitin tjeter.

Ironia e hidhur qëndron në faktin se 184 abonentë vazhdojnë të paguajnë faturat e ujit tek Ndërmarrja e Ujësjellësit, pavarësisht se nuk marrin asnjë shërbim gjatë muajve të vjeshtës. Ky realitet i pabarabartë ka shkaktuar zemërim mes banorëve, të cilët ndihen të tradhtuar dhe të lënë në mëshirë të fatit.

Bajkaj është ndër fshatrat më të populluara të Delvinës. Banorët më të rinj mundohen të plotësojnë nevojat duke mbushur ujë në puse të largëta, por për të moshuarit është e pamundur.

“Çohemi në mëngjes dhe nuk kemi ujë të lajmë banjën,” thotë një grua e moshuar me lot në sy. “Turp i botës në 2024. Vetëm ujë, asgjë tjetër. Lutim djemtë e fshatit të na sjellin një bidon me ujë”, shprehet ajo.

Situata në Bajkaj është një shembull i qartë i një sistemi që dështon të mbështesë njerëzit që e mbajnë gjallë me kontributet e tyre. Ky fshat, që dikur përbënte një qendër të vogël shprese dhe bashkëpunimi, tani përballet me një krizë të thellë që kërkon vëmendje urgjente.

Banorët e Bajkajt kërkojnë nga institucionet që ta trajtojnë këtë problematikë me seriozitetin dhe urgjencën që meriton. Ata nuk mund të presin vitin 2025 për një pus të ri; ata kanë nevojë për veprim tani. Nëse edhe këtë herë zërat e tyre do të bien në vesh të shurdhët, Bajkaj nuk do të jetë vetëm një fshat pa ujë; do të jetë një simbol i braktisjes dhe i dështimit të solidaritetit institucional.

 

R.D/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë