Por edhe djathtas pas vitit 1990, duke deformuar në mënyrë të paskrupullt vullnetet e lira të njerëzve. Jam në një prej perlave të natyrës shqiptare, ku shteti shqiptar mungon pothuajse krejtësisht. Dhe doren e “nënës” prej gati 7 vjetësh këtu e ka shtrirë shteti mik gjerman. Përmes Ambasadës së saj në Tiranë dhe GIZ - një fondacion gjerman që po implementon prej disas vitesh një projekt: “Peaks of Balkans” - Majat e Ballkanit, që përfshin veç Alpeve të Shqipërisë dhe Bjeshkëve të Namuna të Mujit e Halilit, edhe ato të Kosovës e Malit të Zi. Sivjet ky projekt fitoi çmimin “Turizmi i së nesërmes” në konkursin Word Travel and Tourism Council 2013.
Dhe janë mbi 250 mijë Euro të investuara nga shteti gjerman përmes Ambsadës së saj në Tiranë dhe nga fondacioni GIZ, si një fondacion donacionesh falas në ndihmë të biznesit të mesëm dhe sipërmarësve të vegjël në veri të vendit. Përkundrejt asnjë investimi nga të gjitha qeveritë shqiptare. Ah, dhe me që jam këtu në Theth, ju bëj me dije se mbrëmjeve këtu nuk ka drita, prej më shumë se një viti. Banorët vendas thonë se shteti luan kukafshehti me ta, duke e sjellë energjinë elektrike vetëm disa minuta në ditë. Edhe ajo një energji aq e dobët, sa një fije spango. Por rrofshin gjermanët e GIZ-it që kanë menduar edhe për këtë gjë! Prej vitesh, në një pjesë të mirë të kullave të malësorëve, apo në hanet e tyre, ata kanë bërë të mundur instalimin e paneleve diellore. Përmes të cilëve malësorët sigurojnë të paktën pak ndriçim për banesat e tyre të gurta dhe ujë të ngrohtë. Kaq.
SHTRENGIM DUARSH
Unë jam pjesë e një grupi gazetarësh, që kanë udhëtuar për dy ditë në Alpet e Shqipërisë, ose më saktë në Theth. Në këtë udhëtim ne jemi ftuar nga Ambasadori i Republikës së Gjermanisë z.Hellmut Hoffman, që ka udhëtuar edhe ai deri këtu bashkë me zonjën e tij të nderuar, disa diplomate dhe specialistw të fushës së ekonomisë në Ambasadën Gjermane, si dhe përfaqsuesi i Projektit të lartpërmendur për Shqipërinë, “Majat e Ballkanit”, z.Ismail Beka. Miqtë gjermanë kanë ardhur mes Alpeve për të prekur edhe ata ndryshimet e vogla, por të dukshme, në disa prej investimeve modeste të Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe investimeve në formë donacionesh të fondacionit gjerman GIZ. Në sheshin e fshatit Theth mysafirët rrethohen miqësisht nga banorët vendas. Të cilët, pasi i urojnë “dojçëve” mirëseardhjen, i udhëheqin fillimisht drejt Qendrës Shëndetsore të rehabilituar në mënyrë të pjesëshme nga fondet dhe donacionet e shtetit gjerman.
Ambulanca, siç janë mësuar ta thërasin malsorët, është e vogël dhe për nevoja emergjence. Në te shërbejnë vetëm një mjek dhe një infermier. Vetëm për vizita mjeksore dhe ndihma emergjente. Më së shumti lindjet e nënave të reja thonë ata, kryhen në Shkodër ose në kullat e malësorëve, në mënyrë rrethanore ende primitive dhe me asistencën e një mamie të vjetër, që gëzon pensionin e saj tashmë. Malësorët guxojnë të thonë se shteti nuk është kurkund dhe se ata kanë nevojë për ilaçe dhe farmaci; kanë nevojë për një autoambulancë në raste urgjencash. Këtu kryetari i komunës Shalë z.Balë Vuksani hesht dhe bashkohet me zërin e malsorëve, duke kërkuar ndihmë nga Qendra Rajonale Shëndetsore e Qarkut Shkodër. E cila prej vitesh nuk ka akorduar asnjë lek për shëndetsinë në komunë. Ah, po. Mjeku dhe infermiri i kësaj ambulance të vogël, thonë malsorët, janë gjithmonë aty, sidomos në stinën e verës, kur vijnë turistët e huaj. Sivjet, në tre raste, ata i kanë shpëtuar jetën turistëve gjermanë, të rrezikuar gjatë shetitjeve të lira nëpër pyje nga helmimet e gjarpërinjve. Qeshim dhe vemë buzën në gaz të gjithë nga pak. Por kjo nuk mjafton.
Pak më vonë, i gjithë grupi pushon dhe drekon në një prej bujtinave në qendër të fshatit. Këtu shërbehet gjithçka bio, sipas traditës së zonës: bukë fshati - kulaç; ferliku, ose mishi i pjekur i qwngjit; trofta e përroit të Thethit; mish pule fshati; sallatë dhe nënproduktet e qumështit: salcë kosi me speca dhe kabashë me kos; tavë me patate në furrë, byrek ose flija e famshme e veriut; ëmbëlsirë fshati gatuar me miell misri; raki rrushi dhe kumbulle nga ato të Thethit sigurisht dhe verë e kuqe vendi. Pas drekës dhe kafesë, sipas programit, grupi niset drejt lagjes “Ndreaj” për të kryer vizita në Kishën e fshatit, ku rreth 100 vjet më parë ka marë pjesë në një meshë edhe udhëtarja e famshme angleze Mis.Edith Durham, si dhe vizitë në Kullën e Ngujimit, një banesë e vjetër 300 vjeçare e ruajtur si vepër muzeale dhe Monument i Trashëgimisë sonë Kulturore. Po deri aty, na prêt rrugën një malsor i vjetër, Pal Rupa. Pali i ka kapërcyer të 70-tat, por mbahet fort. Ai është babai 7 fëmijëve, disa prej të cilëve punojnë jasht Shqipërisë: një vajzë jeton dhe punon si ekonomiste në Angli, një vajzë tjetër në Holandë, në Gjykatën e Hagës; një tjetër në Itali.
Ndërsa një vajzë, Roza, është drejtore e Muzeut në Kalanë e Shkodrës. Pali thotë se ka punuar si mësues dhe është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” si Mësues i Merituar. Ndërsa kulla, ose hani i tij, është me nam në të gjithë zonën. Aty edhe na prin. Duke ngjitur shkallët e drunjta për të na treguar dhomat e hanit, ku priten mysafirët. Të cilët mund të akomodohen në 4 dhoma të freskta me 8 shtretër. Gjatë ditës, thotë Pali, ne u sigurojmë turistëve venda dhe të huaj edhe shetitje në bjeshkë. Çmimi për çdo turist është vetëm 15 - 20 Euro nata, ku përfshihen fjetja, mëngjesi, dreka dhe darka. Ku ka më mirë? - e mbyll Pali.
E shoqja, një malsore e rrahur goxha nga jeta dhe që ka punuar e punon ende vullnetarisht si mami në fshat, zgjatet në dollapin e ushqimeve dhe nxjerr prej aty një shishe të madhe me esencë thane dhe një kavanoz me reçel kumbullash. Dhe ja zgjat me bujari zonjës Hoffman. “Merri, i thotë, kujtim nga unë, prej Thethit…” “Danke, danke shen…” Dy zonjat përshëndeten ngrohtësisht, edhe pse i “ndan” muri i padukshëm i dy gjuhëve. Pastaj udhëtimi vazhdon drejt Kishës e më tej, drejt Kullës së Ngujimit. Por më parë, le të flasim për “mbledhjen” e shkurtër me z.Ismail Beka, drejtuesin e Projektit “Majat e Ballkanit” pwr palwn shqiptare.
"MAGJIA E GJERMANEVE"
Sy e veshë nga Ismaili, ne nxjerrim blloqet e shënimeve dhe mësojmë çfarë është bërë në këto 7 vjet nga fondacioni gjerman GIZ dhe Ambasada Gjermane në Tiranë. Çdo gjë është bërë dhe llogaritur me laps ekonomik. GIZ, thotë Beka, vepron këtu qysh prej vitit 2007. I gjithë investimi dhe donacionet gjermane kapin shifrën e 250 mijë Eurove për të gjithë fshatrat e përfshirë në Projekt: nga Thethi në Okol, nga Ndërlysa në Ulaj, nw Valbonw, Bogw e më tej, në të gjithë ato fshatra që hyjnë në hartën e Bjeshkëve të Namuna këtej kufirit shqiptar. E ndërsa ne, thotë ai kemi investuar e shpenzuar ate shumë të konsiderueshme, shteti shqiptar ka hedhur në këto zona vetëm 1 milion lekë. Ndryshim i dukshëm, që s’do fjalë.
Në formë projektesh të vogla GIZ, Ambasada Gjermane dhe përfaqsuesit e saj kanë ndihmuar në ngritjen e disa objekteve me karakter public, nëpërmjet investimit për blerjen e materialeve. Si barrierat mbi lumin Shalë, psh. Nga të cilat banorët vendas mbrohen nga përmbytjet e shirave dhe erozionet e ujrave të rrëmbyer. Apo mbledhja dhe seleksionimi i mbetjeve: kanoce dhe shishe qelqi nëpër fshatra, të cilat më pas dërgohen në Bushat të Shkodrës për riciklim. Modeste, por shumë të prekshme dhe me impact të madh kanë qenë edhe finacimet e vogla për ringritjen ose restaurimet e kullave, apo haneve të banorëve vendas. Me fonde modeste, deri 200 Euro për familje, janë ndërtuar dhe rregulluar kuzhinat dhe tualetet, në disa raste edhe dhomat e gjumit për turistët. Shumë eficente kanë qenë edhe trajnimet e studentëve shqiptarë, bashkarisht me ata gjermanë, pwr kulturën e turizmit dhe ky është vetëm fillimi, thotë z.Beka.
Me fonde modeste, por të efektshme, janë bërë hartat turistike tw fshatrave në zonat e Thethit, Bogës dhe Valbonës. E prekshme është edhe ndërhyrja për restaurimin e pjesëshëm të shkollës 9 vjecare të fshatit Theth, duke parë gjendjen e saj shumë të rënduar, më së shumti për arsye subjective dhe për mosndërhyrje nga ana e shtetit dhe Qendrës Rajonale Arsimore - Shkodër. Duhet theksuar se kjo shkollë ka pasur dikur më shumë se 200 nxënës. Por largimi i banorëve të zonës për shkaqe ekonomike kryesisht, ka bërë që sot me fillimin e vitit të ri shkollor 2013 - 2014, ate ta frekuentojnë vetëm 10 - 15 nxënës. Funksionimi i shkollës së verës, në bashkëpunim edhe me fondacionin anglez “Parku i Paqes” është gjithashtu një investim në formë donacioni, për tërheqjen e fëmijëve në këtë shkollë, me synim mësimin e gjuhës angleze nga ana e fëmijëve, si një asset të mundshëm për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre. Të cilat presin gjithnjë e më shumë turistë nga Europa kryesisht, por edhe nga Amerika e Largët. Dhe z.Beka nuk le pa harruar sërish Guest Hous-et, apo hanet turistike, duke përmendur sërish investimet për panelet diellore, për ndërtimin e kuzhinave dhe tualeteve. Por, thotë ai, në plotësimin e haneve me panele diellore, ne u kemi kërkuar edhe banorëve të investojnë nga vehtja e tyre 100 Euro për blerjen e paneleve.
Përftimi i energjisë solare ka rritur në mënyrë të dukshme edhe kulturën e shërbimit dhe anën ekonomike të çdo familjeje, që vitet e fundit po zhvillojnw me sukses turizmin familjar, si bazë për ekonominë e tyre. Vitin që vjen, shton z.Beka, panelet diellore do të shtohen. Dhe, nëse 12 vjet më parë, ne ishim ftuar nga shoqëria civile të vinim në Alpet e Shqipërisë dhe fshatrat e zonave Theth, Valbonë e Bogë për të rivendosur paqen e humbur për shkak të ngjarjeve tronditëse të pas ’97-tës, tash GIZ dhe Ambasada Gjermane janë këtu për të mëkëmbur ekonominë e vogël e të familjeve dhe sipërmarrjen private, me destinacion turizmin familjar. Aktualish, vetëm në Theth funksionojnë 25 guest house, ose hane, të gatshme për të pritur turistë nga Europa dhe gjithë Bota.
Fakt është që verën që sapo shkoi, Thethin dhe fshatrat për rreth i kanë frekuentuar mbi 15 mijë turistë. Kryesisht zviceranë, austriakë, francezë, gjermanë, çekë, polakë ( motociklistët e famshëm )turistë nga Amerika e Kosova, etj. GIZ dhe bashkë me te edhe përfaqsues të Ambasadës Gjermane që janë të pranishëm vazhdimit në zbatimin e prjektit “Peack of Balkans” - “Majat e Ballkanit” kanë kërkuar nga banorët vendas të shmangin ndërtimet urbane, kryesisht me beton, për të mos u larguar nga tradita qindravjecare e ndwrtimeve tw malsisë shqiptare. Dhe, nëpërmjet investimeve e donacioneve të shumta, të arrijnë t’i bëjnë presion qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera shtetërore, të jenë më present, më afër banorëve të Alpeve shqiptare. Me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, rregullimin e infrastrukturës, furnizimin normal me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, funksionimin gjithashtu normal të qendrave shëndetsore dhe shkollave fillore e të mesme, si dhe trajnimet e domosdoshme të brezit ë ri sidomos dhe të amvisave, për marjen e një kulture të plotë në shërbim të turizmit.
NDËRLYSË: DED NIKA DHE FERMA E TIJ
Bie shi vjeshte dhe temperaturat janë ulur dukshëm. Banorët thethianë thonë se dimri është në prag dhe ka të ngjarë që sivjet, ashtui si vitin e kaluar në dimër dëbora të bllokojë gjithçka: jetëm dhe rrugët e komunikimit me Shkodrën dhe botën përreth. Grupi I gazetarëve, I udhëhequr sërish nga amabasadori gjerman z.Hoffman niset drejt fshatit Ndërlysë. Një tjetër fshat ky ku projekti “Majat e Ballkanit” ka pasur një impact shumë të dukshëm dhe frytdhëbës. Pasi kemi përshkuar jo pa vështirësi për shkak të lagështirës disa kilometra mbi kanionet e famshme, mbi grykat e përrenjve dhe ndanë pyjeve me pishë e bredha të bardhë, pasi kemi lënë pas edhe disa shtretër të vegjël të lumit Shalë, ecim përgjatë rrjedhës së tij. Deri sa vijmë në fshatin Ndërlysë. Një fshat I vogël, me pak kulla. Por shumë piktoresk dhe mjaft i pasur me bukuri natyrore.
Këtu gjendet mrekullia e kanionit të Grunasit, me gjatësi 2 km, 40 - 60 metra i thellë dhe vetëm 2 - 3 metra i gjerë. Përveç kanionit, në Ndërlysë pothuaj gjatë gjithë rrigës, ne jemi ndeshur me ujvarat karakteristike dhe, bash mbi çatitë e bardha e grit ë kullave malësore, ngrihet I buku dhe I rreptë, mali I Jezercës. Zot, sa I bukur, por edhe I frikshëm. Sidomos tash, kur ai është mbuluar pothjuajse krejtësisht nga mjegulla dhe shiu dhe herë pas here, ndonjë vetëtimë blu prej majave të thepisura, na bën ta kthejmë kokën pas…Por, është Beka që na tërheq në një kullë të moçme. Tek ajo e z.Dedë Nika. I përmndur për suksesin e tij në ndërtimin e një ekonomie private, tip ferme të vogël, ndihmuar edhe ky me donacione të Ambsadaës Gjermane dhe Fondacioni donator gjerman GIZ. Deda është një burrë fisnik rrteh të 50- tave. Ai është baba i 4 fëmijëve.
Por baza e familjes dhe fermës së tij ngelet ai vetë, Shpresa - e shoqja, një malsore tipike dhe e mençur, si dhe nëna e tij, 85 vjeçarja Prena Nika. Deda thotë se ata kanë në fermën e tyre 100 kokë dele, një lopë dhe një viç, 30 pula fshati, rreth 30 koshere me bletë. Por, mbi gjithçka ai ka qejf të tregojë për rrjetat e peshkimit, hobin dhe profesionin e tij të lindur. Ai thotë se çdo natë hedh rrjetat tek kanioni afër kataraktit të lumit Shalë, vetëm 50 metra larg kullës së tij. Të nesërmen ngrihet herët, në orën 5 të mëngjesit dhe i mbledh ato, duke marw çdo ditë të paktën 3 - 5 kilogram peshk troftë me pika të kuqe, karakteristikë kjo e peshkut troftë në lumenjtë alpinë. Por, nëse këtu trofta është pikaloshe me njolla të kuqe, në Valbonë ajo është me pika të bardha. Deda shton se bashkë me te ngrihen herët edhe Shpresa dhe nanë Prena. Të cilat gjithashtu shërbejnë nga mëngjesi deri në mbrëmje në fermën e vogël të familjes. Ato mbjellin në arën e tyre pataten, misrin, domatet, specat, zarzavate dhe sa e sa fruta të zones: kumbullat, thanat, mollët dhe rrushin kryesisht. Por ai thotë se atyre u mungojnë perimet, që nuk bëhen në zonë dhe për këtë atyre u duhet t’i blejnë në treg, sipas nevojave.
Kur vjen fjala për turistët në Ndërlysë dhe mysafirët në hanin e tij, ai ndjehet i kënaqur. Sivjet, kullën e tyre e kanë frekuentuar mbi 1500 turistë të huaj. Kryesisht gjermanë, thotë ai. Por edhe austriakë dhe amerikanë. Dhe për këtë i falenderohet shumë Bekës dhe Ambasadorit gjerman, z.Hoffman, si përfaqsues i shtetit gjerman, që e kanw ndihmuar me fondet e dhëna në ngritjen e atij biznesi aq fitimprurës, siç është ferma e familjes. Lart, në katin e dytë ai ka disa dhoma të kompletuara në mënyrë modeste për mysafirët. Të cilët i shoqëron vetë gjatë ditës në shetitje në malin e Jezercës, apo edhe përtej tij, në Dukagjin. Ai thotë se nuk lodhet kurrë dhe se punon shumë, bashkë me gruan dhe nënë e tij të mirë.
Veç, tash në nëntor ai duhet të shkojë në Shkodër. Sepse këtu gjithçka zbardh nga dëbora e lartë deri në 2 metra e gjysëm. Dhe në fshat, shton Deda, ngelet vetëm një çift pleqsh. Të cilët nuk largohen kurrë nga kulla e tyre dhe duan ta mbyllin jetë që u ka falur perëndia këtu, në fshatin e tyre të lindjes. Largimi bëhet edhe që të mos shkëpusë fëmijët nga shkolla, thotë Deda. Kthimi, në marsin e ardhshëm. Jasht vazhdon të bjerë shi. I imët dhe i ftohtë. Por Deda na e sheh lodhjen ndër sy dhe të ftohtët, që na bën të hukasim duart. Atëhere ai dhe nëna e tij, Prena 85 vjeçare, ndezin oxhakun. Pastaj një tepsi me gështenja. Të cilat piqen shpejt dhe mysafirët gjermanë, kryesisht vajzat e reja dhe zonja Hoffman, mrekullohen me romatikën e kullës së Dedës. Ishte një mëngjes për të mos u harruar, kurrë.
Hani i Paulinit dhe Kulla e ngujimit
Paulin Palini është një malsor nw moshw relativisht të re, 27 vjeç. Shumë shqiptarë, sidomos vajzat, e njohin si personazh të spektaklit Big Brother Albania tre vjet më parë. Pas një aventure për arsye emigrimi në Itali, ai ju rikthye sërish Thethit, vendlindjes së gjyshërve, prindërve dhe atij vetë. Me ide të qarta në kokë: të zhvillojë turizmin familjar. Me disa gjuhë të huaja të mësuara në shkollë të mesme dhe vetë, autodidact, dhe me ndihmën edhe të GIZ dhe disa miqve të tij, ai e rindërtoi kullën e bardhë të gjyshit dhe e ktheu në një guest hous të pëlqyeshëm për mijra vizitorë nga Europa kryesisht. Vetëm sivjet, dhomat e hanit të Paulinit i frekuentuan më shumë se 1000 turistë dhe ai thotë me krenari se xhiroja e kësaj vere i kapi të 20 mijë Eurot. Që do të shërbejnë për investime të reja vitin e ardhshëm.
Nuk mungojnë as këtu paneli diellor dhe kuzhina. Por Paulini thotë se do të rinovojë të 5 dhomat dhe se shumë shpejt do ketë gati një hartë turistike të zonës, për t’ua shërbyer turistëve. Më të shumtët e të cilëve edhe ai i shoqëron vetë në shetitjet në pyjet dhe mallet përreth Thethit. Madje deri ne Mal të Zi. Një natë më parë hanin e Paulinit e frekuntoi një çift zvicerianësh me dy fëmijë. Të cilët mbetën të befasuar nga gatesat e traditës sidomos, përgatitur nga Vlora, zonja kosovare e Paulinit. I kërkojmë ndihmë të na shoqërojë tek Kulla e Ngujimit. Ai vjen bashkë me ne. Ajo është po në lagjen Ndreaj, rreth 100 metra larg hanit të Paulinit dhe kur shkojmë atje, gjithçka shëndrrohet në një mit legjendash. Jemi ngjitur me lumin Shalë dhe mbi një shkëmb, zbardh Kulla e Ngujimit. Zot! Sa jetë të shuara aty.
Për shkak të gjakmarrjes, kësaj plage tragjike për një pjesë të mirë të fshtrave në veri të Shqipërisë. Mirëpo burri që na prêt brenda në kullë pasi kemi ngjitur një palë shkallë të drunjta dhe kemi hyrë në katin e dytë, na thotë i bindur, se tash gjaqet në të gjithë zonën janë falur dhe fenomeni vrastar i gjakmarjes nuk godet, nuk ekziston më. Ngelet që ai vetëm të shpjegojë, si ka funksionuar kjo kullë ndër 300 vjetët e jetës së saj dhe të burrave, që kanë jetuar në ferrin e Kullës së Ngujimit. Në dyshemenë e drunjtë një qilim i leshtë, një sofër, mbi të cilën: një xhezve kafeje, një filxhan i bardhë kafeje, një çifteli. Ndërsa në mur, disa ndërresa të vjetra, njw djep i drunjtw dhe i vjetwr dhe fotografia e Lekë Dukagjinit. Kur vajzat që ndjekin rrëfimet dhe kallzimet e rrëfimtarit të Kullës gati - gati tmerrohen nga kallzimet absurde dhe të frikshme, burri rrëfimtar e ndërpret historinë e Kullës së Ngujimit, duke kujtuar se tash gjithçka i takon së kaluarës së hidhur.
Jemi në një Kullë Muzeale pra, si pjesë e historisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kulturore qindravjecare. E shkuara s’kthehet më. Gjithç. Thotë ai, me sytë nga e ardhmjas. Nga paqja dhe puna, nga miqësia dhe dashuria.
Këtu mbyllet dhe reportazhi im. Nuk jam më në kuotën më të lartë të Alpeve. Dhe jo i vetëm. Por i gjithë udhëtimi la tek unë gjurmë të pashlyeshme. Unë isha në Theth, në kurorën e argjendtë të Alpeve tona. Mysafir në disa kulla të bardha e hane tradicionale mikpritëse shqiptare. Të cilat ma bëjnë me sy dhe më ftojnë sërish: “ Mirëse të vish, si turist herën tjetër!” Ashtu u bëftë…
Tiranë, 10 tetor 2013
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)