Reportazh, Markel Capo, piktori që
mëson fëmijët me sindromën down

Reportazh, Markel Capo, piktori që<br />mëson fëmijët me sindromën down
Është thjesht një kromozom më tepër që i bën të veçantë nga të tjerët njerëzit me sindromën down.

Për ta kuptuar në mënyrë më shkencore thuhet se gjatë ngjizjes, në vend që të merret një kromozom 21 nga babai dhe një kromozom 21 nga nëna, ka edhe një kromozom shtesë që rezulton nga një ndarje anormale qelizore. Ky çekuilibrim, prania e 47 kromozomeve në vend të 46 (tre kromozome 21), më pas do të jetë i pranishëm në çdo qelizë të trupit të foshnjës. Sindroma Down, ose trizomi 21, ndodh gjerësisht me një rastësi prej një në çdo të 700-tën lindje.

Por, sindroma down nuk është sëmundje, është thjesht një kromozom më tepër. Shenjat që ka një fëmijë me sindromën down është vështirësia për të mësuar.

Edhe pse thuhet se, personat me sindromën Down nuk mund të arrijnë qëllime normale në jetë, me mbështetjen e duhur, ata munden.

Markel Capo, një djalë i ri, i cili dashuron pikturën është gjendur pranë fëmijëve me sindromën down. Ai shkon në qëndrën Down Syndrome Albania vullnetar për të ndarë disa orë me fëmijët, të cilët marrin prej Markelit jo vetëm dashuri por edhe mësime për artin e pikturën.

 “Pjesa e artit për fëmijët me sindromë dhe për fëmijët me aftësi tëkufizuar është terapi. Në të gjithë botën njihet terapia e artit. E rëndësishme është që fëmijët të ndihen mirë dhe të pikturojnë çfarë të duan. Mendoj se piktura duhet të jetë si terapi jo vetëm një orë në javë por edhe më shumë. Ne jemi një shoqëri shumë paragjykuese. Vet shoqëria ime ka thënë pse merresh me ata fëmijë. Pse humb kohën kot. Unë kam dhënë por kam marrë më shumë sesa kam dhënë nga fëmijët me sindromë Down”, thotë Markeli. 

Edhe pse thuhet se personat me sindromën Down janë gjithnjë të lumtur dhe shumë të dashur, ne të gjithë jemi unikë dhe njerëzit me sindromën Down nuk janë më të ndryshëm nga çdokush tjetër në karakteristikat e tyre të personalitetit apo gjendjet e luhatshme të humorit.

Aldo, një fëmijë i mrekullueshëm na surprizon me fjalët e tij. Ai është i veçantë jo se ka sindromën down por ka dashurinë ku me fjalët e tij të ëmbla të bën për vete.
Dalim nga qendra, ndoshta me kokën pas për t`u rikthyer përsëri tek këta fëmijë të mrekullueshëm të cilët të falin vetëm kënaqësi e dashuri. Ecim me Markelin, piktorin i cili pasionin e tij kërkon ta ndajë edhe me fëmijët e tjerë me sindromën down.

 “Është paqja vet tek kjo qendër. Kam 2 vite që punoj si vullnetar në Down Syndrome Albania. Jam bërë si veteran i qendrës (qesh). Irma Nikaj është vajza me sindromën down që e kam ndihmuar të pikturoj. Ajo tashmë është e njohur. Edhe pse lodhej nga rruga pasi çdo ditë vinte nga Bulqiza dhe merrte mësime tek qendra këtu në Tiranë. “Unë jam vepër arti” ishte ekspozita e Irma Nikaj e cila pati shumë sukses. Arritja ime deri më tani me fëmijët me sindromën down është Irma Nikaj”, thotë ai.

Markeli vjen nga qyteti i Pogradecit i cili ka studiuar pikturë në Liceun Tefta Tashko Korçë.
Një letër për birin tim nga Emanuela Pepkola-Zaimi, Themeluese e Fondacionit Down Syndrome Albania e preku në zemër Markelin për të qenë më pas pjesë e qendrës e për të dhënë kontributin e tij.

“Në Pogradec ku unë kam lindur nuk kisha parë asnjë fëmijë me sindromën down. Ishte vetëm një vajzë e vogël të cilën prindërit e mbanin mbyllur. Kur erdha në Tiranë lexova letrën e Emanuelës që shkruante për djalin e saj, Arbrin. Pata kureshtje ta njihja. Ishte dashuri me shikim të parë me Arbrin. I thash Emanuelës që nëse të duhet ndihma ime. dhe kështu vazhdova të jepja mësime për pikturë për fëmijët me sindromë down”, pohon Markeli.

Përballja e parë me fëmijët me sindromën down për Markelin nuk ishte e lehtë. Po ashtu edhe për shoqërinë e tij, e cila nuk i dha mbështetjen dhe kuptimin e duhur Markelit.

“Ju e patë dhe vetë aty sa të mirë janë. Shoqëria jonë paragjykon edhe për mënyrën sesi vishesh dhe jo më të kesh një shenjë dalluese. Në shoqërinë time ka pasur nga ata që më kanë thënë pse harxhon kohën kot. Ka dhe nga ata që janë kurioz të takojnë fëmijët me sindromën down. Unë kam publikuar në rrjetet e mia sociale foto apo video me fëmijët me sindromë down. Në një farë mënyre edhe për të ndryshuar mentalitetin e disa njerëzve që mendojnë ndryshe. Dhe më kanë thënë “o zot sat ë mirë që janë”, thotë ai.

Markel Capo na rrëfen se e ka të vështirë të mbijetojë vetëm me artin nga ana ekonomike. Ai pikturon dhe ka bërë një ekspozitë e cila u prit mirë nga publiku. Tani ka në plan të hap ekspozitën e radhës në qendrën Ten.

Shpesh Markelin e shohim në kafenetë e Tiranës me një stilolaps në dorë ku pikturon edhe në faturën e kafes. Ai nuk qëndron dot pa pikturuar. Madje, së shpejti do të hap dhe një ekspozitë me gjithë faturat që ka pikturuar pasi ka bërë një koleksion.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

‘Musineja ka një shtëpi!’ Çelet në Gjirokastër muzeu i parë për disidenten Musine Kokalari

‘Musineja ka një shtëpi!’ Çelet në Gjirokastër muzeu i parë për disidenten Musine Kokalari