Reportazh/ Shkodër, banorët pranë 
lumit Kir të rrezikuar e të pambrojtu

Prej 25 vitesh dhjetëra familje kryesisht nga zonat e thella të Dukagjinit kanë zbritur në qytetin e Shkodrës për një jetë më të mirë. Një prej zonave ku janë vendosur është lagja “Skenderbeg” në afërsi të brigjeve të lumit Kir pranë shinave të trenit.
 
Edhe pse kanë 25 vite aty dhe shumë prej tyre paguajnë rregullisht taksat, vuajnë për shumë probleme. Kanë një mungesë të theksuar të infrastrukturës, amortizim të rrjetit elektrik por edhe mungesën e ujit të pijshëm. Një realitet i hidhur me të cilin përballen çdo ditë. Banorët e asaj zone shprehen të shqetësuar për atë gjendje ku ndodhen prej vitesh.

Duke mos patur ujë të pijshëm janë detyruar që të bëjnë shpime nën tokë dhe të krijojnë puse por shëndeti i tyre është i rrezikuar sepse e gjithë ajo pjesë rezulton e ndotur duke qenë se parë shërbente si zonë industriale dhe për vite me radhë është përdorur si e tillë.
 
Ne këtu jetojmë si në mesjetë. Nuk na ofrohet thuajse asgjë. E dimë se kemi ardhur nga larg por shumë prej nesh janë taksapagues të rregullt. Nuk kemi ujë të pijshëm dhe e kemi zgjidhur ose me firma private ose me puse nëntokësore por zona është e ndotur dhe kemi frikë. Gjithsesi nuk kemi zgjidhje tjetër dhe pijmë atë ujë. Infrastruktura mungon totalisht sepse rrugët mbushen me ujë dhe disa prej tyre nuk janë të asfaltuara. Ne jemi të harruar plotësisht disa herë kemi kërkuar që të kemi shërbime si gjithë të tjerët por zëri jonë nuk është dëgjuar. Kur ka fushata elektorale vijnë dhe i marrin votat pastaj zhduken duke na lënë në harresë. Për ujin e pijshëm detyrohemi ta depozitojmë ujin edhe në bidonë, një gjë absurd në ditët në të cilat jetojmë”-thotë një banore e zonës.

banoret prane lumit kir shkoder

Jo më pak shqetësuese për këta banorë është edhe linja hekurudhore që kalon ngjitur me banesat e tyre duke krijuar një rrezikshmëri të lartë sidomos për fëmijët.
 
“Treni që kalon këtu na rrezikon jetën e fëmijëve por edhe të moshuarve. Nuk ka asnjë lloj sinjalistike vetëm kur shohim trenin që afrohet. Banesat tona janë shumë afër dhe gjithnjë jemi të rrezikuar. Dikush thotë që vetë keni ardhur këtu afër trenit, është e vërtetë por nuk kemi patur zgjidhje tjetër dhe kemi ardhur për një jetë më të mirë dhe këtu na është lejuar që të ndërtojmë dhe tashmë duhet gjetur një zgjidhje sepse jemi qindra familje dhe nuk kemi ku të shkojmë pas 25 vitesh”-tregon një banor tjetër. Në fakt linja hekurudhore ngjitur me banesat disa herë është bërë shkak  për aksidente të ndryshme. 

banoret prane lumit kir shkoder

Për të mos mjaftuar brigjet e lumit Kir vijojnë të përdoren si vend depozitimi për mbetje urbane dhe inerte. Fotot flasin qartë se si apelet e institucioneve vijojnë të bien në vesh të shurdhër pasi çdo ditë mbi argjinaturën e këtij lumi dhe në shtratin e lumit shumë pranë banesave të lagjes “Skënderbeg” hidhen tonelata mbeturinash  dhe inertesh duke krijuar një situatë mjaft problematike dhe shqetësuese.
 
E ndërsa institucionet që e kanë për detyrë të marrin masat e duhura mbyllin sy e veshë duke lënë të rrezikuar shëndetin e banorëve të asaj zone. Janë vetë që pohojnë se mbetjet urbane dhe inertet e depozituara mbi këtë argjinaturë dhe shtratin e lumit vijnë nga qyteti duke e kthyer kështu këtë zonë në një landfill mbeturinash edhe pse landfilli i vërtetë ku duhet të shkojnë është në Bushat. Jo vetëm se rrezikohet shëndeti i banorëve që është mjaft e rëndësishme por në të njëjtën kohë prurjet e inerteve kanë ndikuar edhe në devijimin e shtratit të lumit Kir apo përmbytjet e herë pas hershme që kanë ardhur në Shkodër.

banoret prane lumit kir shkoder

banoret prane lumit kir shkoder

banoret prane lumit kir shkoder

banoret prane lumit kir shkoder

“Jemi të mbytur nga mbeturinat. As nuk mundemi që të hapim dyert dhe dritaret e banesave tona sepse kundërmon një erë shumë e rëndë. Fëmijët nganjëherë dalin e luajnë aty edhe pse ne mundohemi që t’i ndalojmë por është e pamundur gjithë kohën. Këto mbeturina e inerte vijnë nga qyteti dhe nuk jemi ne që i hedhim edhe pse dikush mund të na akuzojë. Shpesh herë e kemi ngritur si problem por sërish situata vijon e njëjtë dhe nuk e dimë se çfarë të bëjmë më. Jemi në një situatë të vështirë dhe bëjmë apel që të gjendet një zgjidhje sepse nuk mund të vijohet kështu”-thotë një tjetër banor.

banoret prane lumit kir shkoder

Në këtë zone  nuk po zbatohet as vendimi i qeverisë që ndalon gërryerjet në shtratin e lumenjve, një fenomen ky që pothuajse është prezent gjatë gjithë vitit, ku individ apo subjekte të ndryshme ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën për diell, të pa shqetësuar nga askush me pretendimin se kanë kontrata apo se nuk bëjnë dëme. Këtë më së miri e tregon situata e lumit Kir dhe jo këto kontrata false.
 
Prezenca e mbeturinave, gërryerja e shtratit të këtij lumi dhe prania e inerteve e kanë dëmtuar ndjeshëm bazamentin e tij, e për pasojë duke rrezikuar qindra banesa e banorë. Përballë kësaj situate të gjitha institucionet përgjegjëse tregohen indiferente edhe pse janë të vetëdijshme për dëmet që mund t’i shkaktojë ky lum qytetit të Shkodrës dhe banesave aty pranë. Banorët rrezikohen e ndodhen të pambrojtur ndërsa institucionet bëjnë sikur janë në gjumë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen