REPORTAZH/ Në shtëpinë e varfër
të Ismail Qemalit, takimi me pinjollët

REPORTAZH/ Në shtëpinë e varfër<br />të Ismail Qemalit, takimi me pinjollët
Ndërsa entuziazmi për 100-vjetorin e Pavarësisë ka përfshirë sheshet dhe qytetet e Shqipërisë, zgjedhim një mjedis shumë intim për të kujtuar themeluesin e Pavarësisë, Ismail Qemalin. Trokasim tek dera e trashëgimtarëve të familjes Vlora, që këto ditë rri gjysmë e çelur. Në derë shkruhet mbi të kuqe: "Familja Ismail Vlora". Kjo është familja e Arjana Vlorës, stërmbesës së Ismail Qemalit. Ariana jeton ende në shtëpinë vjetër të prindërve të saj. Një apartament i vogël, i ngushtë në Tiranën e Re. Shenjat të mezidukshme të varfërisë, mbuluar me shkëlqimin e fisnikërisë, pastërtisë, finesës në rendin e gjërave më të nevojshme, dhe dinjiteti i kësaj dere mikpritëse bie në sy sapo hyn brenda. Arjana Vlora na pret së bashku më të vëllain, Darling Vlorën. Në muret e dhomës të shfaqet fotoja e madhe e stërgjyshit, Ismail Qemalit. Në një kornizë të vogël është e vetmja foto e stërgjyshes, Kleoniqit, gruas së Ismail Qemalit, pastaj me radhë djali i vogël i Ismail Qemalit, babai i tyre, nip i Ismail Qemalit. Quhet edhe ai Ismail. Brezat janë aty, sy për sy. Po pse nuk flitej për këta trashëgimtarë deri dje...?!

Familja Ismail Vlora pret urimet
Kalvari i vuajtjes së familjes Vlora në diktaturë është bërë i njohur, megjithatë ende mbetet një histori absurde. Arjana dhe Darling rezervohen të flasin shumë për peripecitë. E prapë, nuk mund të harrojnë sesi është persekutuar i biri i Ismail Qemalit, gjyshi i tyre. Në regjimin komunist, ai jo vetëm nuk u zu në gojë, as edhe kur u burgos, por i hoqën edhe mbiemrin. Arjana dhe Darling tregojnë se mbiemrin e tyre e rifituan me sakrifica. Duke ngjitur shkallët e ngushta, ku të merret fryma nga lagështia e një pallati shumë të vjetër pesëkatësh, me shtesa ndërtimesh që kanë zënë edhe dritën e shkallëve, asnjë shenjë nuk të tregon fillimisht se je duke hyrë në derën e një familjeje kaq të rëndësishme në këtë 100-vjetor. Megjithatë, dy palë vështrime të ngrohta të Arjana dhe Darling Vlorës po presin urime për 100-vjetorin e Pavarësisë. "Gëzuar festën e 100-vjetorit.

E ku më mirë se në derën tuaj mund të tingëllojë kaq i bukur ky urim!,u themi. Rrotull dhomëzës së ngushtë, syri takon vetëm një bibliotekë me libra, ndenjëset dhe një perde fare të thjeshtë. Por ka ajër të pastër, dritë që vjen nga sytë e lumtur të pinjollëve që sfiduan dallgët e jetës, duke pasur idhull stërgjyshin. Portreti i Ismail Qemalit i bërë në moshë të re na dukej edhe neve më familjar aty. Dhe ja tek mollëzat e fytyrës së Darling Vlorës gjen patjetër diçka të ngjashme me stërgjyshin. "I ngjan!", themi ne. "I ngjan shumë thotë Arjana me sy të qeshur. Kjo strehëz e thjeshtë na grish, jo vetëm se aty rrjedh gjaku i Ismail Qemalit, por se pinjollët janë aq të denjë me vlerat që kanë trashëguar. Dera rri hapur këto ditë. Familja pret miqtë dhe urimet, mirënjohjen për themeluesin e shtetit modern shqiptar. Si ndihet 100-vjetori brenda familjes së Ismail Qemalit. "Në të vërtetë, thotë Arjana, ne kemi pasur festë brenda shtëpisë çdo 28 nëntor". Në shtëpinë tonë, edhe pse nuk ka qenë aq e përmendur publikisht kjo datë ishte një festë e veçantë. Në shtëpi që kur lindëm, ne u rritëm me idenë e kujtimit dhe festimit të kësaj feste. Ne ishim koshient më shumë se çdokush, se Ismail Qemali kishte bërë një vepër të madhe për kombin. Kjo na e bënte edhe më të dashur, edhe më të afërme figurën e tij".

Zhdukja e relikteve dhe fakteve sesi vdiq Ismail Qemali
Në të vërtetë jemi kureshtarë të na tregojnë edhe ndonjë relikte të familjes. "Nuk kemi, nuk trashëguam. Ashtu siç iku jeta e tij në mënyrë misterioze, ashtu dhe relikte e tij u zhdukën..., thotë Ariana, që e ka peng të mësojë sesi vdiq Ismail Qemali. "Historianët duhet ta zbardhin këtë fakt", thotë ajo. Brezat e Vlorajve ikën nga kjo botë me këtë brengë: "Vdiq apo e helmuan?!" Nëna e Arianës, gruaja e nipit të themeluesit, Ismailit, edhe kur dha shpirt pak javë më parë,pyeste" "Ç'po bëhet, mësuat gjë." Hija e këtij misteri ka mbetur ende në familjen Vlora. Ende nuk ka fakte. Po reliktet si u zhdukën. Pse muzetë kombëtarë nuk kanë ende një objekt të Ismail Qemalit. Në fakt, ata e kishin një relikte në shtëpi. Relikte që "i mori më qafë". Një relikte që u bë pretekst për kalvarin e vuajtjeve të familjes. Një armë e vjetër, një pistoletë antike që zhduket pa lënë gjurmë nga dera e Vlorajve prej sigurimit të shtetit.

Ajo shërbeu si pretekst për të arrestuar djalin e vogël të Ismail Qemalit, Qamil bej Vlorën në vitin 1946. Ai është gjyshi i Arianës dhe i Darling. "Historia e armës ishte një pretekst", thotë Darling. "Nëpërmjet arkivit të brendshëm, në bazë të këtyre dokumenteve dajli i Ismail Qemalit ishte në survejin, sepse konsideroheshin si simpatizantë të imperializmit aglo-amerikan. Pritej një shkak dhe shkak u bë arma e trashëguar, antike, relikte e familjes. Babai e dorëzoi armën, edhe pse me dhimbje për ndarjen nga kujtimi i familjes dy ditë pas afatit të dorëzimit. U dënua u arrestua. Ajo armë mund të mos ishte dhe funksionale dhe u konsiderua si armë lufte. Se çfarë mund të bënte gjyshi ynë me një revolver të tillë?! Por nëse nuk do t'i dilte si shkak arma, do të ishte një shkak tjetër. E patën më të thjeshtë të gjenin këtë për ta dënuar. Djali i Ismail Qemalit u arrestua për një kohë të pacaktuar dhe u gjykua me gjyq ushtarak", rrëfen Darling për gjyshin e tij. Ismail Qemali ishte edhe në atë kohë një figurë historike dhe paradoksalisht askush nuk foli për Vlorajt në faqet e historisë mbi 50 vjeçare të diktaturës. Ku ndoshet sot ajo relikte, e pyes Darling Vlorën. "Ajo armë u zhduk, por sidoqoftë ishte një relikte e familjes. Madje procesverbalet e gjyqit nuk janë të sakat. Njëri shkruan armë antike turke, tjetri shkruan armë gjermane". Darling nuk është i sigurt nëse i përkiste kjo relikte vetë Ismail Qemalit apo të parëve të tyre. "Gjyshi im u arrestua në 46-n si Qamil Vlora dhe doli nga burgu në '47-n si Qamil Ismaili. Në harkun kohor të një viti dhe kjo është e trishtueshme, babait tim iu ndërrua mbiemri", thotë Darling. Ai thotë se arma që ka 70 vjet që ka humbur, "mund të jetë në ndonjë koleksion". Darling nuk beson se ndërrimi i mbiemrit të tyre u bë për të fshehur një incident të politikës komuniste; arrestojnë djalin e themeluesit të pavarësisë me një pretekst banal. Ai e vuan faktin që akuza ishte se sabotoi pushtetin popullor.

 "Gjyshi nuk pranoi bashkëpunimin me komunistët. Atij sistemi i interesonte figura e Ismail Qemalit e veçuar. Dhe për atë sistem ishte e mira që të mos kishte lidhje me familjen Vlora. Donin ta shkëpusin këtë trashëgimi familjare, ndaj u zgjodh mënyra të ndryshojë mbiemri. Mirë që ia hoqën mbiemrin Vlora, por nuk e vlerësuan si intelektual me vlera. Unë nuk mendoj se duhet të ishte mbrojtur thjesht se ishte djali i Ismail Qemalit", thotë Darling, ende i irrituar për akuzën se ishte "sabotator i pushtetit popullor, i biri i themeluesit të shtetit. "Për atë sistem më e mira ishte të mos kishte pasardhës. Mbiemri Vlora është një trashëgimi familjare dhe historike. Jo vetëm që i hoqën mbiemrin Vlora, por nuk i ruajtën as mbiemrin Qemali. Im at lindi Ismail Qemal Vlora", thotë Darling. Dëshira për ta shkëputur këtë lidhje familjare, me një mënyrë të rafinuar u bë një barrë e rëndë për familjen, me pasoja të rënda në statusin e tyre. "Babai që quhej Ismail Vlora deri në '46-n me ndërrimin e mbiemrit do të humbiste lidhjen familjare. Ne ishim të vetmit familje Vlora në Shqipëri. Në fund të viteve '90, Komiteti Ekzekutiv i PPSH-së, pas dhjetëra kërkesave, ia ktheu më në fund mbiemrin familjes. Babai sapo mori mbiemrin Vlora, nuk jetoi gjatë dhe vdiq...", rrëfen Darling.


Fotoja e vetme e Kleoniqit, gruas së Ismail Qemalit
Një fotografi na tërheq vëmendjen. Një çift të rinjsh simpatik. Në atë foto Ismail Vlora, nipi i Ismail Qemalit dhe gruaja Esma Rushiti kanë dalë më 5 tetor 1949. Ishin të fejuar, të bukur. Sidomos Esmaja, është aq e bukur, aq fluide. Madje më tej është edhe fotoja e tyre e dasmës, por duken të trishtuar. Esmasë sapo i kanë arrestuar babanë me 15-vjet burg dhe gjyshin Javer Rushiti ia kanë dënuar me pushkatim. Edhe babai i Ismailit është në burg. Skena të brishta të historisë familjare. Sytë na shkojnë vazhdimisht tek fotografia e madhe e varur në mur, një fotografi që mendohet të jetë e vitit 1984. Ismail Qemali në moshën 40-vjeçare, dalë në Stamboll. Ka qenë koha kur sapo ishte liruar nga internimi. U internua siç thonë historianët si një reformator liberal, që e ka çuar perandorinë osmane drejt zhvillimit, sepse ky zhvillim demokratik do ta çonte çështjen e Shqipërisë në fitoren e e autonomisë së Shqipërisë. "Po të kishte fituar antoniminë nënë kuadrin e reformimit të perandorisë osmane kufijtë do të ishin më të zgjeruar", thotë Darling, i sigurt për largpamësinë e stërgjyshit të tij. Po kjo? "Është Kleoniqi, gruja e Ismail Qemalit". Emri i saj grek duket paksa ekzotik. Është e vetmja fotografi që kanë mundur të kenë. "Si është njohur me Kleoniqin?" "E ka thënë vetë, në kujtimet e tij. Ismail Qemali ishte një gurvernator në një provincë bullgare dhe kishin shtëpitë afër dhe ata u dashuruan të dy. "Është martesa e dytë, apo jo?". "Po. Ai djali që vdiq në Maqedoni, ishte nga martesa e parë. Martesa e dytë erdhi pas vdekjes tragjike të një gruaje që mori Ismail Qemali nga Konica. Ajo vdiq gjatë lindjes me vajzën që kishte në bark. Me Kleoniqin pati dhjetë fëmijë". Stërnipi tregon, ndërsa Kleoniqi pozon aty prej vitesh fisnikërisht. Në këtë foto ajo ka dalë me të birin Qamilin, më të voglin nga gashtë djemtë e Ismail Qemalit.

Ka pak ditë që ua largua nga jeta nëna jonë Esmaja

"Ne lindëm në Tiranë. Jemi pesë fëmijë. Kaluam një jetë me peripeci të mëdhaja,me hallet të strehimit e punësimit. "Deri në fëmijën e tretë prindërit tanë ishin pa shtëpi. Kjo shtëpi e vogël më në fund është e prindërve të mi. Nuk donim privilegje, por të na jepej e drejta të shfaqeshim si ishim, të na jepej shkolla", thonë ata. "Ne pavarësisht se rrugës së jetës na bllokuam të vetmen gjë që mund të ruanim ishte dinjiteti i familjes", rrëfen Darling. Është festë dhe është mirë t'u largohesh historive kaq të trishta. Kështu lusin së paku sytë e Arjana dhe Darling Vlora. Fotoja e lumtur dhe e trishtuar një vit më pas e Esma Rushitit nuk të hiqet lehtë nga mendja. "Mamaja deri në fund të jetës tregonte gjithë historinë, peripecitë e familjes me atë mënyrë që të mos i trishtonte fëmijët. "Mjerë ata që kanë bërë këto gjëra, jo mjerë ne që na i kanë bërë", u thoshte Esma Rushiti fëmijëve...


DARLING VLORA SJELL "KUJTIMET E ISMAIL QEMALIT" NE ANGLISHT

Librin “Kujtimet” të Ismail Qemal Vlora në gjuhën angleze të autorëve Story dhe Ëilliam Morton Fullerton, Darling Vlora e ka sjellë të ribotuar “si dhuratë” për stërgjyshin e tij Ismail Qemalin në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Libri është përgatitur për shtyp, si dhe është pajisur me një analizë shpjeguese nga stërnipi i Ismail Qemalit, z. Darling Vlora. Të pranishëm ishin mjaft diplomate të përfaqësive të huaja ne Tirane, punonjës të Shërbimit te Jashtëm Shqiptar, studiues dhe gazetare, si edhe pasardhës te familjes se themeluesit te Shtetit tone. Darling Vlora, i cili e ka pajisur botimin edhe me një aparat të tërë shpjegues si edhe shume artikuj gazetash me fame ndërkombëtare, e falënderoi posaçërisht ministrin e Punëve të Jashtme dhe nëpërmjet tij qeverinë shqiptare për mundësinë që i dhanë për te paraqitur para opinionit publik, në këtë jubile te 100-Vjetorit, këtë libër te Ismail Qemalit, i cili për here te pare u publikua ne anglisht, ne Londër, ne vitin 1920. “Kujtimet” Ismail Qemali i shkroi në tre vitet e fundit të jetës kur udhëtonte në Europë. Influenca e tij ishte e madhe në atë kohë.

Autorët e mbështetën. “Story e intervistoi për një kohë të gjatë ku mundi dhe ku ta gjente”, thotë Darling Vlora. Kjo përmbledhje e pasur nxjerr në dritë eksperiencën e gjatë në perandorinë osmane, që sipas Darling është “baza ku duhen nisur studimet për Ismail Qemalin. Kujtimet janë përkthyer të plota në gjuhë të tjera dhe në gjuhën shqipe, por Darling thotë se “E solla anglisht sepse desha të jetë në Shqipëri në origjinal kjo vepër. Në kopertinën e ribotimit është një portet nga artisti Eltjon Valle, që Darling e quan një pikturë shumë të arritur. Janë vendosur në këtë botim disa artikuj plotësues nga media dhe personalitetet që kanë vlerësuar librin. Darling ka zgjedhur një pjesë nga Ismail Kadare, shkruar në 2011-n, te libri “Mosmarrëveshja”: “Themeluesi ndjek që larg ngjarjet. Të Shqipërisë natyrisht, të Europës e të krejt botës. Është pa etje për pushtet, e sidomos pa mllefe e hidhërim, gjë e rrallë për një shqiptar. Pra është kohë e artë për kujtime, dhe i shkruan ato. Është kohë e artë për kureshtitë, për të fshehtat, sidomos tani që gjysma e shteteve që kanë lidhje me to kanë rënë. Ai prapë tregohet i ndryshëm. E shpall që ka enigma, por nuk i rrëfen. Pranon të dëmtojë veten, por jo vendin e vet. Duke shpallur se të fshehtat do t’i marrë me vete dhe këtë e bën sepse fati përveç shansit që i ka dhënë duke e shënjuar si themelues i ka dhënë një shans edhe më të lartë, pajisjen me një ndërgjegje prej themeluesi”, shkruan Ismail Kadare.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi