Reportazh – Në Stamboll, te përditshmëria e armenëve

/ATSH-AFP/ - Po të ishte për publicitet, Jasmin Rostomian nuk do të fliste kurrë për origjinën e saj.
Njëqind vite pas masakrave të 1915-ës, kjo armene përpiqet me mund të jetësojë kulturën dhe historinë e familjes së saj në këtë vend, në Turqi.
Gati çdo ditë, kjo nënë 42-vjeçare sakrifikon me rutinën e saj në dyert e shkollës.
Në zemër të Stambollit, në krahinën e Sislit, dy fëmijët e saj mësojnë në njërën nga 20 shkollat armene të këtij qyteti gjigant me marrëveshje me autoritetet turke, të cilat presin gati 200 nxënës nga kopshti deri në gjimnaz.
Këtë pasdite, oborri i shkollës oshëtin në të dyja gjuhët, një simbol ky i zbehjes së tabuve për çështjen armene në Turqi.
"Jemi shumë të kënaqur me këtë shkollë, fëmijët tanë mund të mësojnë aty gjuhën tonë normalisht", thotë e kënaqur Jasmina.
"Në kohën tonë ishim më të fshehtë, nuk flisnim armenisht në rrugë, por babai im ngulte këmbë që të merrnim mësime, sepse kjo gjë ishte shumë e rëndësishme për atë", shton ajo.
Shkolla "Karagozian" bën mësim në turqisht dhe armenisht si edhe respekton kalendarin e të dyja besimeve myslimane dhe të krishtere.
Nëpër muret e klasave, vizatimet dhe pikturat janë akoma të mbuluara me lëvozhga të vezëve të Pashkëve.
"Ne kemi mësues të kulturës turke dhe mundohemi që t'i bëjmë dy kulturat tona të bashkëjetojnë", krenohet drejtoresha e shkollës Arsuvak Koç-Monet.
Megjithatë, sfida është e madhe. I zhytur mes një popullsie 77 milionëshe, me shumiqë të theksuar myslimane, komuniteti i krishterë armen i Turqisë, në shifra zyrtare vlerësohet të jetë në ditët e sotme rreth 60 mijë persona.
Numri i tyre në fakt është më i lartë.
Gjatë Luftës së Parë botërore, dhjetëra e mijëra armenë janë konvertuar në fenë islame për t'i shpëtuar vrasjeve të Perandorisë Otomane dhe kanë varrosur identitetin e tyre në skajet më të thella të kujtesës së tyre.
Disa prej trashëgimtarëve të tyre, sapo kanë filluar ta nxjerrin në dritë origjinën e tyre.
Familja Rostomian nuk i ka harruar rrënjët e veta.
As kujtesën e deportimit, të masakrave dhe të qindra mijëra viktimave të vitit 1915.
Në apartamentin e Jasminës, fotoja e stërgjyshit, i vrarë gjatë këtij viti, është e ekspozuar në bufenë e sallonit, mes fjalorëve.
- Sekret i madh -
"Nuk kemi dëgjuar kurrë të flitet për gjenocid gjatë fëmijërisë, ishte një sekret i madh. Duke e fshehur, disa mendonin se mund ta linim në hije gjithë këtë. Më vonë e kuptova, në adoleshencë", tregon Jasmina.
Pavarësisht rëndesës së kësaj të kaluare të largët, familja Rostomian ka refuzuar gjithmonë të emigrojë, ndryshe nga shumica e armenëve të tjerë.
Gjatë viteve 1950, familja iku nga Amasia, buzë Detit të Zi, dhe u shpërngul në Stamboll.
U vendos në një banesë në lagjen "Bomonti", një "ishull" i vockël armen mes "oqeanit" turk, ku u përpoq të jetojë larg stuhive të së shkuarës, në fshehtësi, pa rënë në sy.
"Jemi më të qetë sot. Jemi të sigurtë", thotë e sigurt Jasmina.
Por kujdesi mbetet: "U them edhe sot fëmijëve të mi në shtëpi, më thërrisni mama, ndërsa në rrugë anne', (turqisht - mama).
Në rrugë, vështrimet ulen dhe gojët mbyllen në momentin që bëhet fjalë për origjinat.
Ata që pranojnë ta deklarojnë publikisht, janë akoma të paktë.
Jeta e përditshme është ndonjëherë e vështirë, por jo deri në atë pikë sa të mos jetohet në Stamboll.
"Turqia është atdheu im, dhe nuk dua të iki" këmbëngul Jasmin Rostomian "dhe dua që edhe fëmijët e mi të mos jenë të detyruar të ikin. Nëse do mundnin të vazhdonin të jetonin të lumtur këtu, kjo do të ishte e mjaftueshme që unë të isha e lumtur".
Njëqind vite pas dramës së vitit 1915, ajo do akoma të besojë se përkujtimet e 14 prillit të jenë rasti për ndërgjegjësimin, që turqit të pranojnë më në fund atë që ajo konsideron si realitet të ngjarjeve.
Por pa shumë iluzione.
"Nuk shpresoj më te politika, por pres diçka nga miqtë e mi. Do të doja që ata të më thonë: "E dashur Jasmin, për fajet tona..." -përshpërit ajo - "fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk e dinë se çka ndodhur".
Në Turqi, fjala gjenocid nuk ekziston në librat e historisë.
Dhe neni 305 i Kodit Penal turk dënon ata që guxojnë ta përmendin, për "fyerje" ndaj Turqisë./ (Nga Philippe Alfroy) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Afera ‘Partizani’/ Berisha duhet të paraqitet sot në SPAK, mobilizon militantët në protestë! Paralelisht seanca paraprake në GJKKO