Reportazh/ Një festë ‘sekrete’ në Teatrin e Kukullave

Ky poster i Ketlin Hilës fton këtë fundjavë në premierën e Teatrit të Kukullave. Është vendosur në ballinë të sallës “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik ku gumëzhijnë spektatorët e parë. Në holl pritet bileta me vetëm 100 lekë, sa kafja në barin përbri. Klaudia Hila propozon shfaqjen me kukulla “Shshsht...mbaje sekret”, shkruar nga Elona Medja.

“Motivi i kësaj shfaqje është “Shshsht... mbaje sekret”, por në fakt, ne në mënyrën tonë, nëpërmjet kukullave tona arrijmë të bërtasim dhe t’u tregojmë të rriturve dhe fëmijëve, vlera të cilat janë shumë të domosdoshme në shoqërinë tonë”, thotë regjisorja Klaudia Hila.

Në një teatër gati të braktisur, këngës së parat ia marin merimangat. Mjeshtri i demoralizuar kërkon të heqë dorë, nga profesioni e pasioni, por miku i tij artist, papagalli Rio, ka një tjetër propozim, që ëndrra të vazhdojë... Por a mjaftojnë vetëm skena e talenti, shfaqja vjen edhe si një ftesë për reflektim për të rriturit.

“Ishte shumë e rëndësishme për mua dhe regjisoren Klaudian që ta nënvizonim këtë pikë, t’i jepnim një rëndësi të veçantë që të mund të shkonte edhe pak më larg. Përpos  kësaj ne jemi përpjekur që çdo personazh të vijë me nga një mesazh të vetin, nga një mesazh të fortë për të rritur e fëmijë”, thotë Elona Medja, autore e pjesës.

Nga Ilia Kaçi e Flori Kokona, aktorët në skenë e interpretojnë pjesën “me shpirt” si të ish bërë për ta. Ndërsa kukullat e Matlinda Mehmetajt  i qëndrojnë besnike ndjesive e lëvizjeve së interpretëve pas petkave të zeza. 

“Nga të gjithë komponentët , kukullat e realizuara nga Matlinda Mehmetaj, dhe që janë me të vërtetë magjike, muzika e Adi Hilës, koreografia e Fatjon Sulstarovës, nga grupi fantastik i aktorëve që me shumë përkushtim e dashuri kanë punuar për këtë shfaqje, mendoj që ja kemi arritur një qëllimi të vetëm, jo vetëm që të motivojmë secilin prej nesh që t’ia dalë mbanë gjithçkaje dhe çdo situate, por edhe në kushtet që ndodhet ky teatër, që kuptohet me vështirësi shumë të mëdha, të arrijmë të përçojmë mesazhe të tilla, që nëse ne nuk nënvizojmë dëshirën dhe dashurinë e madhe që kemi për teatrin, askush nuk do të kujtohet më për ne”, shprehet Hila.

E gjitha bëhet për vazhdimësinë e teatrit, dhe të duartroktitjeve të publikut, edhe në kushte jo favorizuese si ato në të cilat artistët e Teatrit të Kukullave punojnë.

Kutia e Pandorës plot mesazhe nga Medja zbërthehet gradualisht; motivimi si ai i mikut Rio ndaj Mjeshtrit, për të mos hequr dorë nga ëndrrat përcillet në një lojë argëtuese teatrale, ku muzika e Adrian Hilës i shton ritmin shfaqjes.

“ Është bashkëpunimi i dytë, unë edhe Adi kemi punuar për të dhënë një produkt të bukur artistik, por në këtë projekt na u bashkua dhe vajza jonë e vogël Ketlin përmes dizajnit. Të gjithë elementët bëhen bashkë për një synim të vetëm që shfaqja të shkojë sa më bukur dhe në të gjithë plotësinë e saj, me mesazhe, tek publiku”, shton më tej Hila.

Sakrifica e papagallit Rio, që mbledh të gjitha kafshët duke zgjuar në to dëshirën për të shfaqur talentet e tyre, do të shpërblehet. Një çmim do të ketë edhe për publikun.

“Shfaqja të mban gjatë gjithë kohës pezull. Mendon gjatë gjithë kohës çfarë do të ndodhi tani dhe çfarë mesazhi do të marim tani. Dhe po është e vërtetë, do të ketë me patjetër edhe një mesazh për publikun. Sepse ndonjëherë jo vetëm pjesëmarrja është e rëndësishme por edhe që të kemi një çmim të parë”, thotë Medja.

Spektatorët e vegjël, i gëzohen asaj që panë e përjetojnë në mënyrën e tyre emocionet e shfaqjes.

Pjesa do të vijojë të mbahet në sallën Tonin Harapi, e më pas do të shfaqet edhe në rrethe.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë