Reportazh/ Përtej BUNK‘ART-it të së kaluarës


TIRANË, 26 Nëntor/ATSH-Zina Tosku/.- Dy ushtarë qëndrojnë para nesh për të na kërkuar mjetet e identifikimit. Poshtë nesh gjallon rruga që lidh periferinë e Tiranës me pjesët e tjera të saj. Me qindra makina kalojnë pa u ndalur nëpër të tatëpjetën për të shkuar në bunkerin e nëndheshëm të zbuluar të shtunën  e javës së kaluar.
Çuditërisht, zhurma e makinave duket sikur nuk mbërrin në lartësinë e kodrës ku ndodhemi. Vetëm 20 minuta na u deshën për t'ju larguar qendrës së kryeqytetit e për të mbërritur në tunelin anti-bërthamor të komunizmit, brenda të cilit gjithçka është kthyer në art.
Duke ngjitur rrugën për të mbërritur në bunkerin e nëndheshëm, posterat me ngjyra dhe me simbolin tanimë të quajtur "Bunk'art' së bashku me shenjën e drejtimit, na shoqërojnë përgjatë rrugës  deri në "pallatin e nëndheshëm" , duke krijuar një atmosferë e cila të fton të ecësh duke të kuriozuar për atë çka ofron. Ajri i pastër dhe i ftohtë është karakteristike për këtë zonë ushtarake.
Duket si një qytet më vetë, ku një pjesë e rrugës është e rregulluar dhe një pjesë jo, për të treguar të kaluarën e "mundimshme" për të gjithë shqiptarët.
Kureshtarë në këto ditë, të gjithë banorët ngjisin të tatëpjetën e kësaj zone ushtarake e mbushur plot mistere të fshehura, pas rrugëve me lagështi, pas fortesave të nëndheshme, me dyer të mbylluara me një rrjetë të gjelbëruar për të mos u dalluar nga pyjet, si një "skutë' për të mos diktuar hyrjen. "Po si e ka ndërtuar pallatin e nëndheshëm Enveri, kushedi sa ka ndërtuar si ky ai", dëgjohet biseda e një të moshuari me shtat të lartë dhe të rrudhur, përgjatë ngjitjes. Mbërrijmë në hyrjen e Bunk 'art.Nis me kujtimet
Askush nuk e di me saktësi, por mendohet se historia e ish diktatorit të komunizmit Enver Hoxha me këtë ndërtesë të nëndheshme nis me mbledhjet e byrosë politike të asaj kohe, në rast sulmi.
Dy makina qëndrojnë jashtë hyrjes së Bunk 'art. Në të majtë qëndron dhurata që Stalini i bën Enver Hoxhës, në vitin 1950, një makinë Zim-12, blu të errët në të zezë, luksoze dhe prodhim nga fabrika ruse Gorki.
Në të djathë qëndron një autoveturë BJ 212 Vehicle , prodhim kinez ky, i ardhur pas 1975, i përdorur si mjet ushtarak. Ngjitur me të , një motor Guzzui, prodhim i 1967 por  i ardhur në Shqipëri në 2003 është përdorur nga policia ushtarake. Nga e kaluara fton për bisedë të këndshme vendpushimi i rrethuar, me stola të ngjitur në formë rrethore me çati në ngjyrë të bardhë dhe stola në ngjyrë kafe të errët, në afërsi të hyrjes.
Dy dyer betoni me trashësi të konsiderueshme të shoqërojnë njëra pas tjetrës pas derës me hekura menjëherë sapo hyn.
Bunkeri me 5 dyer të blinduara, i emërtuar në vitet e regjimit komunist si "Objekti 0774?, është pesë kate nën tokë , me mbi 106 dhoma. Mes tyre qëndron dhe dhoma e ish-diktatorit të komunizmit Enver Hoxha dhe e kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu.
Gjithçka e mbajtur sekret për 36 vjet. Komandanti suprem i Forcave të Armatosura në epokën e ndërtimit të bunkerit ishte Enver Hoxha. Krejt, në pamjen e parë sapo hyn në brendësi, duket si një tunel i gjatë dhe i ndarë në dhoma çdo 1 metër, vetëm nga e djathta.
Është e dukshme dëshira e madhe e vizitorëve, për të parë dhomat një e nga një, sidomos vizitorë të moshës së tretë, për të prekur një pjesë të fshehtë të së kaluarës që ata vetë e jetuan. "Shiko këto këpucët këtu, shiko mor ne që jetuam në këtë kohë,..boooh ca kujtimesh", na pëshpërit një plak ndërsa ne jemi duke dalë nga dhoma për të vizituar pallatin gjigand të nëndheshëm.
"Enveri dhe Mehmeti" që vizitohen më shumë se kurrëPërgjatë vizitës sonë në pallatin 5 katësh të nëndheshëm, shoqëruesi ynë, një burrë i veshur me një pallto disi të vjetër, në ngjyrë kafë të errët , me një kapele të zezë dhe rrudha në fytyrë, me zërin gjysëm të ngjirur për shkak të moshës, pëshpërit ndërkohë që shikon objektet e pranishme në çdo dhomë.
"U deshën 4 vjet për ta ndërtuar këtë pallat të nëndheshëm, me oficerë që punuan me tri turne, dhe jo të burgosur për shkak të sekretit që ruante ky vend", pëshpërit ai, duke shpjeguar se një mik i tij, në dijeni të këtij sekreti i kishte treguar vite më parë, një officer dhe ai në kohën e ndërtimit të pallatit.
Shpesh dëgjojmë .."Enveri jetonte në lukse, populli ishte i varfër", por faktikisht, zyra e tij, krahasuar me atë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, nuk ishte ndonjë gjë. Zyra e përbërë nga një paradhomë në të cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjo. Një mobilim
esencial ai i zyrës së Enverit dhe pse jo i ndonjë luksi të veçantë, sërisht mbetet më eleganti se të gjitha mjediset e tjera.
Në paradhomë është vendosur një tel mbi tavolinën në të cilin qëndronte sekretari, ndërsa tablonë e dhomës e paraqesin dy kolltuqe të vendosura përballë njëra tjetrës, një kanë ujë mbi tavolinë dhe një gotë bosh që në dukje të jep imazhin e gotës së ujit të sapo pirë nga ish-diktatori.
Ndërsa ne vizitojmë zyrën e së kaluarës, vizitorët e tjerë, sapo hyjnë fillojnë të bëjnë foto, qoftë në tavolinën ku qëndron një radio e vjetër me llampa, gazeta "Zëri i Popullit" mbi tavolinë, dhe kapardina e tij tipike që i mbante veshur shpesh, në ngjyrë bezhë mbi kremastar dhe kapelja e zezë, me të cilën bëheshin foto të panumërta.
Me një bibliotekë të thjeshtë, në të cilën pjesë ishin dhe veprat e tij, si vepra e parë e tretë, ajo që binte në sy ishte dhoma e gjumit.
Me Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në buzë të krevatit, mbi komedinën e vendosur buzë krevatit, në të dyja anët, ajo dhomë gjumi të ofronte dhe psikologjinë me të cilën vepronte ish-diktatori Hoxha.
Mendohet se Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë këtu, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inagurimit zyrtar që u bë me 24 qershor 1978. Por ideja për të ndërtuar këtë bunker u kishte ardhur ushtarakëve të diktaturës gjatë një vizite në Korenë e Veriut. Tuneli ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë.
Ndërsa në dhomat e Enver Hoxhës muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut janë të veshur me dru lisi . Harta e Shqipërisë është prezente në çdo zyrë, qoftë të Enverit, qoftë të Mehmetit.
Dhoma e Mehmet Shehut "duket më e bukur", buzëqesh shoqëruesi ynë..por Enveri mbetet Enveri ", pëshpërit ai, dhe ne që ngremë supet duke qenë vizitorë të thjeshtë të një së kaluare të lexuar nëpër libra.
Por televizori i vjetër i ndezur që transmeton video nga Republika Popullore e asaj kohe, në zyrën e Mehmet Shehut, krijon një lloj ndjesie që të bën pjesë të asaj të kaluare apo të ndonjë fantazme, të mbetur në muret e kësaj dhome.
Duke vazhduar me vizitën nëpër pallatin e nëndheshëm, lexojmë muzeun e ndërlidhjes, muzeun e grave në zonën e ndërtimit, dhomën e oficerit, jehonat e luftës, muzeumin e telekomunikaconit, Shqipërinë nën pushtimin gjerman, Shqipërinë nën pushtimin italian, Shqipërinë nën pushtimin fashist e në përfundim të pesë kateve, qëndron e ashtuquajtura "bufe".
Një pankartë e madhe që të fton "diktatura që nuk vrau dot shpirtin', sapo hyn në kafenenë e dikurshme. Tetë tavolina qëndrojnë të vendosura në mënyrë jo të njëtrajtshme dhe bufeja e mbyllur me xhama, ku vetëm pjesa e mesit qëndron e hapur për t'i shërbyer vizitorëve aty, me kafe, çaj, ujë apo ndonjë pije freskuese.
Flitet ndër bisedat e vizitorëve, se në barin e rikthyer në funksion do të shërbejë Natasha, e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake.
Natasha tashmë 56 vjeçe, nënë e dy vajzave dhe gjyshe e tre nipërve rrëfen se këto 30 vite shërbim tek Forcat e Armatosura kanë qenë një eksperiencë e vështirë, por ajo thotë se ka mësuar shumë. Në të djathtë të "bufesë", qëndron një telefon i vjetër, tanimë një relike e së kaluarës, që na flet me heshtjen e objektit. Amfiteatri, në fund të katit të pestë të pallatit të nëndheshëm, ofron 87 vende për t'u ulur, vende që kanë shërbyer për mbledhjet e dikurshme të byrosë politike.
Sapo fillon e largohesh nga ambienti i "nëndheshëm, në tunelin e gjatë e të ngushtë, kthesat e tunelit ngjallin historinë, të kaluarën e izolimit, frikës, sulmit, misterit që sot, me ëndje vizitohen, preken dhe qëndrojnë në errësirë për sa kohë që e vërteta mbetet ajo e jetuara dhe jo ajo e shkruara.
/m.m/

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë