Shpëtim Sorra, ‘u zgjua’ i pafjetur mëngjesin e të premtes, me merakun për serat. Në sera kishte mbjellë sallatë rukola për t’i shitur për qytetarët e Tiranës. I veshur me çizme të gjata llastiku, kryefamiljari tregon për Shqiptarja.com, ankthin që ndjeu teksa pa edhe këtë vit serat me shtresa balte. Zotit Sorra duket se bashkë me serat i janë përmbytur edhe shpresat. E vetmja gjë që kërkon është ndërtimi i një ure të mirëfilltë lidhëse me tre fshatrat.

“Nuk është as rasti i parë, as i dytë. Këtë urë e kemi bërë ne me sa kemi mundur, me bunkerët e Enver Hoxhës. Tani u shemb. Na ka ardh’ shpirti në majë të hundës. Asgjë s’kërkojmë, asgjë, as dëmshpërblimet se jetojmë me forcat tona. Ama vetëm duhet që shteti të ndërtojë urën”, tregon Shpëtim Sorra.

Ndërsa, zonja Sorra argumenton për Shqiptarja.com se rukolat e saj vlenin mbi 500 lekë, ndërsa sot nuk ekzistojnë më. “Kemi shpenzuar miliona, mbi 2 milionë lekë dëm”, tha ajo, e cila shton se duhet të paguajë edhe punonjës për të pastruar baltën në sera, pasi produktet nuk vlejnë më. Familja Sorra ka 22 vjet që mbjell perime në sera dhe çdo vit, kur shiu shton pikat, përballet me këtë situatë. Por pse riskojnë çdo vit? “Nuk kemi çfarë bëjmë, me këtë hamë bukë, jemi 7 veta në familje. Duhet të vijnë të bashkisë të lajnë kanalin, është e vetmja zgjidhje”, tregon ajo për Shqiptarja.com.

Familja Lasko
Alban Lasko, së bashku me familjen e tij, të cilët jetojnë në Tiranë, kanë zgjedhur para shtatë vitesh fshatin Bërxullë për të ndërtuar biznesin e tyre, një byrektore. Muri i ndërtesës të vogël njëkatëshe vazhdon të jetë i lagësht. Zoti Lasko tregon për Shqiptarja.com se mjetet e punës janë shkatërruar, ndaj ai ka qenë i detyruar të mbyll byrektoren për tre ditë. Mbi të gjitha për të pastruar edhe rrëmujën që kishte lënë përmbytja. Por a është interesuar shteti për dëmet e byrektores së vogël në një cep të fshatit Bërxullë? “Ju jeni e para që vini dhe pyesni... nuk duam të ndodh më kjo përmbytje katastrofale, shikoje si ka mbetur, shiko dëmet... Më janë prishur me frigorifer, me bumatriçe.

Llucën e kemi pastruar vetë. Për fatura tatimore bëjnë namin këta, ndërsa për ndihmë në këto momente të vështira s’pyet njeri. Të gjitha gjërat janë përmbytur. Uji më arrinte në bel. Ne kemi shtatë vjet me këtë biznes, por këto 2 vitet e fundit ky muhabet”,
tha Alban Lasko, pronari i byrektores për Shqiptarja.com. I pyetur për arsyen që ai mendon se e shkaktoi përmbytjen këto dy vjet dhe jo vitet e kaluara, ai shprehet se është faji i digave të liqenit. “Janë hapur digat e liqenit përnjëherë, jo avash avash por menjëherë kur bie shi, se nuk ka mundësi tjetër dhe normal që do ndodhi kjo...ne kemi disa vjet këtu”, shton Alban Lasko.

Përshkimi i rrugës
Poshtë tunelit që të çon për në fshatin Kus gjendet fadroma me mirëmbajtësit e rrugëve. Këmbët e tyre ishin të ngjyera me baltë, të cilët me lopatat ndër duar përpiqeshin të hiqnin shtresat e dheut të grumbulluara nga reshjet masive të së enjtes. “Kemi tre ditë në këtë gjendje, pastrojmë dhe nuk duket puna”, thanë mirëmbajtësit e rrugëve nëpër dhëmbë. Ndërsa, qendra tregtare ‘Citypark’ edhe pas pesë ditësh, sërish nuk e ka marrë veten. Së shumti, uji ishte larguar por njerëzit merrnin me vete baltën dhe njollosnin brenda pllakat që më parë ndrinin.

Ngjitur parkimit të qendrës tregtare qëndron gjithmonë një fugon që pret banorët e tre fshatrave Kus, Kashar dhe Haskolaj, për t’i çuar në shtëpi. Të enjten që filluan shirat dhe të premten që u bllokuan rrugët për shkak të këtyre të fundit, shoferi nuk punoi, pasi edhe banorët ishin të izoluar, nuk mund të lëviznin. Anësh rrugëve, me shpejtësinë e ecjes së fugonit, mund të shihje ende sasi ujë-dheu, oborre që nuk u dukeshin pllakat apo lëndinat; sera me plastmase të grisur... por pamja më e shëmtuar ishte në urën ‘me njërën këmbë të thyer’ e cila lidhte 700 banorët e tre fshatrave.

Problemet e banorëve
Përballë urës ndodhej edhe dyqani kryesor, ku furnizoheshin banorët e tre fshatrave. Djali i pronarit, 24 vjeçari Tiku tregon për Shqiptarja.com se çdo vit aty ndodh e njëjta situatë. Fati i 700 familjeve të tre fshatrave varet nga ajo urë, ku edhe pse kërkesat në njësitë vendore kanë qenë të vazhdueshme, nuk është marrë asnjë masë. “Është shembur gjysma e urës nga masiviteti i reshjeve. Sa herë bie shi këtu bëhet det, jetojnë njerëz matanë asaj urës.. Duhet ndërtuar ura, këtu është kufiri ku ndahen fshatrat. Ne kemi që në vitin 1994 këtu dhe kjo vazhdon po njësoj, megjithëse mbrëmja e të enjtes ishte ndër më të frikshmet. Kërkesat për rregullimin e urës kanë qenë të vazhdueshme, por nuk ka ndryshuar gjë, situata sa herë bie shi vazhdon po njësoj. Bllokohen rreth 700 familje, për gati tre ditë, të nesërmen nuk bëhet e nuk bëhet fjalë të kalohet”, rrëfen i riu, për Shqiptarja.com. Madje edhe shtëpitë nuk kanë shpëtuar, janë shembur si pasojë e rrëshkitjeve të dheut.

“Ka edhe shumë rrëshkitje dheu, disa shtëpi janë shembur. Ka pasur 5 makina që kanë ndenjur pranë dyqanit duke pritur që të binte niveli i ujit për të kaluar në fshatrat e tyre. Nga ora pesë e pasdites deri në 6 të mëngjesit ka qenë i pamundur kalimi në anën tjetër”, tregon Tiku. Sytë e njerëzve nuk shihnin më qiellin e natës, por strukeshin me duart kryqëzuar që e nesërmja t’i gjente mirë. “Asnjë nuk ka fjetur. Unë, bashkë me familjen time kam ndenjur gjithë natën zgjuar. Kishim frikë sinqerisht, s’kishte arritur ndonjëherë në atë nivel shiu, të jetë bërë ashtu”, tregoi Tiku. Ndërkaq, një problem tjetër që i ka shoqëruar banorët ishte mungesa e energjisë elektrike. “3 netë pa drita, natë mbi ujë dhe errësirë totale”, thotë e ëma e Tikut, e cila shton se ishte ajo që përpiqej të qetësonte familjen. “Gratë janë më të forta, duhej menaxhuar situata me shpresë të paktën”, tha Mirela. 

d.c./shqiptarja.com