100 vjet shtet? Ndoshta, por duhet të hiqni Liqenasin, komunën me 9 fshatra dhe zyrtarisht rreth 4500 banorë, në pjesën lindore të rrethit të Korçës. Atje nuk ka as simbole të shqiponjës me dy kokë, vetëm ylli 17 cepësh që pretendohet edhe nga grekët dhe nga maqedonët. Shqiponja duket vetëm te disa postera që tregojnë për bashkëpunimin shqiptaro-gjerman. Në komunë, shkollë, rrugë e kudo simbolet janë greke, por që pretendohen sot se janë maqedone.

Në murin e një shtëpia njëkatëshe buzë rrugës së pluhurosur, një tabelë blu në alfabet latin dhe në cirilikë tregon një rrugë. Përpara saj është hyrja e qendrës shëndetësore. Sipër është shkruar "Qendra Shëndetësore Liqenas". Poshtë në tabelën blu të thellë "Medicinski Centar Pustec". Në krye të tabelës në cirilikë është ylli 17 cepësh, i njohur si ylli i Verginas, ose ndryshe edhe ylli i maqedonasve, që u zbulua në 1977 nga arkeologu Manolis Andronikos në rajonin e Verginas, në veri të Maqedonisë greke. Simboli që thuhet se ka qenë përdorur gjatë dinastisë së mbretit Filipi II i Maqedonisë dhe që ishte babai i Aleksandrit të Madh prej vitit 1993 ishte simboli zyrtar i Parlamentit grek, por në vitet 1992-1995 ishte edhe simboli i flamurit të Maqedonisë. Për këtë yll me 17 cepa Greqia në 1995 i kërkoi Organizatës Botërore për Pronësinë Intelektuale, mbrojtjen e saj nga maqedonasit, që kërkuan po ashtu të njëjtën gjë.

Dhe ndërsa grekët e maqedonasit zihen, në tokën shqiptare, ngulet një simbol që veçse me Shqipërinë nuk ka lidhje.
Gjithçka ka ndodhur nën hundën dhe miratimin e qeverisë shqiptare. Dhe vëtëm pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, kur zona u mbush me tabela blu që ishin përgatitur me ndihmën e qeverisë së Shkupit. Përveç këtyre në 9 fshatra e komunës u vendosën tabelat e rrugëve dy gjuhë, shqipe dhe atë sllavo-maqedonase. Kryetari i komunës Edmond Themelko, që në fushatë garoi në siglën e koalicionit qeveritar të drejtuar nga PD, mbronte vendimin si të marrë nga këshilli komunal dhe të miratuar nga prefekti i Korçës, Andrea Mano.

Një nga banorët e paktë të Liqenasit kalon në rrugën e pluhrosur të Liqenasit.
Ku mund ta gjej kryetarin?
Burri i kërrusur të sheh me dyshim, por pastaj përgjigjet:
Kë? Aha duhet të kalosh matanë atje, përtej është kufiri dhe shko në Resnjë, se atje e gjen. Këtu vjen kur ka ndonjë punë të vetën për të bërë.
I moshuari ikën i kërrusur pasi ngul gishtin në ajër në drejtim të tokës dhe e mbyll sllavisht: Ovde je Makedonia (Këtu është Maqedoni". Dhe ashtu duket. Banorët thonë se janë 100 për qind "shule", minoritet maqedonas. Pasi të japin fjalët e para në shqip pjesën tjetër komunikojnë vetëm në maqedonisht.
Në tavolina shërbehet birra "Skopsco", ujë me gaz "Pelisterka" dhe ai pa gaz "Kaika". Në rrugë dhe në parkingje makina me targa bullgare. Maqedonas apo bullgarë janë? Askush nuk di të përgjigjet. Por kanë ngulur simbole të huaja në një tokë që të paktën në 100 vjet pavarësi ka qenë pjesë e Shqipërisë.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)