Një nisëm sa e pazakontë aq edhe frytdhënëse është ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për të minimizuar ndotjen në kryeqytet. Punonjësit e bashkisë kontrollojnë qeset e mbetjeve të hedhura në rrugë e më pas identifikojnë ndotësin. Pasi janë indetifikuar, qytetarët kanë pranuar që kanë vepruar gabim duke marrë edhe gjobën për shkeljen.

“Nuk mund të hidhen mbeturinat kështu pa kriter siç janë këto këtu të hedhura në rrugë,” tha inspektori i mjedisit.

“Shpesh herë hasim vështirësi sepse ka një qëndrim jo shumë të mirë, por ne do e bëjmë punën tonë. Duhet të ndërgjegjësojmë subjektet që të mos hedhin plehrat në rrugë ose anash koshave, mos të përsëriten në rastet në vijim,"tregoi inspektoria.

Ndotësit e Tiranës nuk mund ti shpëtojnë dot gjobës së njësive vendore. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë së fundmi një aksion për të marrë masa ndaj të gjithë subjekteve që ndotin ambientin. Report Tv ka ndjekur punën e një ditë të një prej ekipeve që konstatojnë ndotjen, kryejnë pastrimin por edhe gjobisin subjektet shkelëse.

“Në shumicën e rasteve njerëzit janë ndërgjegjësuar për të mos i hedhur plehrat në rrugë, për të mbajtur Tiranën të pastër. Plehrat nuk duhet të hidhen para shtëpisë apo shkollave, subjekteve, lokaleve, bashkë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit jemi në monitorim gjatë gjithë kohës për të gjitha subjektet,” shpjegoi inspektori.

Por edhe administratori i këtij subjekti tregohet koshient ndaj veprimit dhe pasi pranon gjobën e inspektorëve të bashkisë premton se nuk do ta bëjë më atë veprim.

Një tjetër rast u konstatua në rrugën “Hoxha Tahsin” ku një subjekt i kishte hedhur plehrat poshtë një peme. Në këtë rast qytetari pranon që është veprim i gabuar dhe në këtë rast inspektorët mjaftohen me këshillim për subjektin.

Në lidhje me këtë situatë, Arlinda Binjaku, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme nr. 1 në Bashkinë e Tiranës pohon se ka një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve dhe sot Tirana është më e pastër.

“Gjatë gjithë kohës jemi munduar me sugjerime përkatëse apo me konstatimet që u kemi lënë subjekteve që të mos vendosin mbeturinat apo mbetjet aty ku ato nuk kanë destinacionin për të mos ndotur qytetin ka qenë edhe gjoba.

Me vendosjen e gjobës qytetarët janë bërë më koshient nuk i derdhin më mbetjet aty ku s’duhet,”
deklaroi drejtoresha.

Teksa grupi i xhirimit të Report Tv largohet, punonjësit e Bashkisë vijojnë inspektimet edhe në zonat e tjera të kryeqytetit, në ato pjesë ku situata paraqitet edhe më problematike.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com