Reportazhi/ Romët: Më mirë
në çadra se në Sharrë 

Reportazhi/ Romët: Më mirë<br />në çadra se në Sharrë 
TIRANE - Sapo shikon pamjen që të shfaqet para syve, te ish-kazermat e ushtrisë në Sharrë, e kupton se streha e ofruar nga Ministria e Punës për familjet rome, në të vërtetë nuk është një zgjidhje, por tallje. Ata janë në gjendje të mjerueshme. Pasi janë braktisur që prej dy dekadash, gjatë 97-ës, janë shkatërruar thuajse krejtësisht nga dora e njeriut.

Janë shkulur dyert, dritaret, tavanet kanë rënë në tokë, ndërsa për ujë të pijshëm apo për drita as që mund të flitet. Aktualisht, nga qendra pritëse e komunitetit rom, siç e quan Ministria e Punës, janë vetëm disa gërmadha, që kanë mbetur nga shkatërrimi i kohës dhe dorës së njeriut. E megjithatë, këto godina të braktisura janë ofruar si strehë për 37 familjet rome, që janë përzënë nga rruga e Kavajës.  Të cilët e kanë refuzuar këtë propozim. 

Aktualisht në këtë zonë jetojnë katër familje, që kanë ardhur aty thuajse dy vjet më parë, pasi i shpërngulën nga zona e Stacionit të Trenit. Fillimisht ishin 8 familje, por më pas katër prej tyre u larguan pasi për ta ishte më mirë një çadër diku afër Tiranës, se sa kjo çati që u ofroi shteti shqiptar. Tashmë tek ish kazermat e ushtrisë kanë mbetur vetëm katër familje që jetojnë në kushte të mjerueshme, për të mos thënë, aspak më të mira se sa çadrat që ata ngrenë ku të mundin. “Kjo nuk është zgjidhje, - na thotë Natasha Bajramaj, njëra prej banoreve rome, e cila ka 10 fëmijë, – kjo është më keq se në çadër. Të paktën kur ishim te stacioni i Trenit, i kishim gjërat më afër, kurse këtu na duhet një orë më këmbë që të zbresim deri në Kombinat. Pale për të folur për ujë dhe për drita. Na sollën një gjenerator por ai tani është djegur dhe as bëhet fjalë që të na sjellin një të ri. Imagjino pak këtu, ku jemi në mes të pyllit dhe nuk të vjen asnjë dritë. Nuk di ç’të të them...Këtu nuk ka asgjë moj. Era na futet gjithandej, tavanet pikojnë. Ja shikojini vetë”, - na thotë ajo, duke na treguar shtëpinë e saj modeste, me dyshekë të shtruar në tokë dhe një sobë druri për të gatuar. Ndërsa sa i përket vendimit të ministrisë së Punës për të dërguar në këtë zonë edhe 37 familje të tjera rome, ata nuk shprehen kundër kësaj, por thonë se duhet të merren patjetër masa. 

“Ata le të vijnë, por problemi është se këtu po nuk u vu dorë do të shpërthejë ndonjë epidemi. Këtu janë sëmundjet sheshit. Apo nuk ka problem se ne jemi romë?? Askush nuk interesohet për ne. Na sollën me dhunë këtu dhe na lanë si të mos ishim njerëz. Askush nuk kujtohet për ne, si jetojmë, me çfarë jetojmë? Po vdesim për bukën e gojës. Ne jemi katër familje dhe jemi 30 vetë, unë kam 10 fëmijë, pesë i kam të martuar, kam edhe nipër. Imagjino pak të vijnë edhe 37 familje të tjera. Këtu moj nuk ka as vend se ku të rrinë. Megjithatë ne nuk jemi kundër, por shteti duhet të marrë masa. Ata të huajt po thonë që për ne paskan dhënë gjithë ata lekë. Çfarë kanë bërë me lekët tonë?”, - thotë ajo, ndërkohë që të njëjtin mendim me të kanë edhe banorët e tjerë romë që banojnë në këtë zonë, të harruar thuajse nga të gjithë. Ndërkohë ministria e Punës ka garantuar se është fituar projekti, kanë përfunduar procedurat e tenderimit dhe shumë shpejt do të nisë puna për rikonstruksionin e këtyre godinave ushtarake duke i përshtatur në strehë komode për komunitetin rom që do të vendoset të jetojë aty. 

Reportazhi publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator