Republika Sërpska ofron marrëveshje për 'ndarje paqësore' në Bosnje dhe Hercegovinë

Republika Sërpska ofron marrëveshje për 'ndarje paqësore' në Bosnje dhe Hercegovinë

Republika Srpska

Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të krijojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore", njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

"Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku", tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Sërpska, e as Serbia.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 24/05/2024 03:10

    Mos valle dhe pas asosacionit serb ne V.te Kosoves duhet te shohim nje /ndarje miqesore/ne te ardhmen jo dhe aq te larget?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?