Requiem për Aldon !

Do i mungosh MTKRS-se Aldo! Ç’të të kujtojnë më parë aty! Ehhh… Energjinë…(hmmm) Oratorinë…(opssss). Rezultatet e pakrahasueshme…(nejse). Ah po! Imazhin Aldo! Do të kujtojnë për imazhin ! Jo atë të “zagarit të sulmit”! Joooo… Atë të imazhit turistiko-kulturoro-rinor! Por duke u ndjerë disi nostalgjik, tani që ti s’je më ministër i MTKRS, (pse ke qenë më parë?! ) po navigoj paksa në ëebsite-in e MTKRS-së, për të rikujtuar imazhin tënd…

Midis të tjerash, vë re, se, paske prezantuar rezultatet turistike vjetore të  vitit të kaluar.
Duke ju referuar edhe  imazhit tënd MTKRS-or , më ra në sy  menjëherë foto e mëposhtme nga prezantimi që ke bërë me këtë rast përpara mediave. Bëhet fjalë për disa nga ato “rezultatet e tua të pakrahasueshme”…

Aldo Bumçi dhe Suzana Turku
(Foto: Suzana Turku, (majtas) Aldo Bumçi, (ne mes) gjatë një konference për shtyp, kur mbante postin e Min. Kulturës) 

“Qaj me sy/qaj me zemër”

Po ndalem pak te foto. Aty ministri shoqërohet nga dy prej zëvendësve të tij. Një foto e shkëlqyer që flet plot sinqeritet. Vihet re qartësisht një atmosferë thjesht e zymtë, pa asnjë grimcë  arome “suksesesh”.  Një shikues i zakonshëm i kësaj fotoje, në pamje të parë e asocion menjëherë me atmosferën e nderë të komunikimit për pushim nga puna, psh, për shkak të shkurtimeve të detyruara.

Shikojeni pak me vemendje dhe zbavituni: tre njerëz të ulur si “mbi gjemba”, të sikletosur aq shumë, sa duket sikur do shpërthejnë në vaj nga momenti në moment… Vëreni ku janë ulur: një copë e kuqe “e trishtuar”, plot rrudha, që mbulon një… tavolinë-arkivol! Sepse, atmosfera  të  sjell më shpejt ndër mend një mort, sesa një tryezë ku ministri, dora vetë, po shpalos suksese kulturore-turistike-rinore!

Zonja, mesa duket ka qenë më e sikletosura; e ka ndjere fytin si të thatë, prandaj i ka marrë shishen e ujit edhe kolegut tjetër ( i cili, si gentelman i vërtetë, sakrifikon të rrijë pa ujë në një situatë të tillë). Do ishte kuptimplotë për atmosferën, që dikush të ishte ulur në pianon në sfond e të luante diçka melankolike, psh “Consolation” të Mendelssohn…Ç’trishtim!!!

Goxha impakt për ministrin e “imazhit shqiptar nëpër botë”!  Për më tepër, fotoja ka rezolucion shumë të keq, me pamje të mjegullt (me siguri e bërë me ndonjë celular shumë të vjetër). Teknologji në rezonancë të plotë me optimizmin e ministrit-imazh (me bateri të skaduar). Dhe të mendosh që ke hyrë  në faqen kryesore të ëebsite-it të  MTKRS !

Domethënë,  nëse click-on në Google < MTKRS>, faqja hapet dhe ti gjen instiktivisht  diçiturën, pa i lënë kohë dikujt të t’a kërkojë: "Tre njerëz- Një hall i madh!".  Aldo, dreqi e mori, pse kjo atmosferë sinqeriteti i trishtë?! Ku ishte problemi?  Sukseset- virtuale që je i detyruar të numërosh? Po se mos është hera e parë! Akoma nuk u mësove?! E pra…qesh z.Bumçi, qesh…edhe ti zonja djathtas , po hë pra, të paktën ti… ti zotëria majtas, të lutem mos qaj…

7 kamiona për 12 bataliona…?

Kalojmë nga figura tëk zëri: Cili është “suksesi” kryesor i “epokës” tënde Aldo?  Statistikat turistike! Epo paska të drejtë Ministër Trishtimi! Sado i mësuar të jesh, qenka hall i madh “të numërohet” ky sukses…

Kalojmë pak më në detaje. Le të mos paragjykojmë...

Statistikat:
Në periudhën janar-dhjetor 2012  kanë hyrë gjithsej 3.4 milion vizitorë të huaj jo-rezidentë.
Numrin më të madh të vizitorëve e përbëjnë ato kosovarë me 48% të ndjekur nga maqedonas 12% malazezë 5%, grekë  7%,italiane 4%, gjermanë  2%, etj.
- 78539 vizitorë anglezë
- 225175 vizitorë grekë
- 147018 vizitorë italianë
- 42546 vizitorë zviceranë
- 58621 vizitorë nga SHBA

 
Epo natyrisht, nuk ka shqiptar, i cili arrin të click-oje në google, që ta besojë këtë. E, sigurisht që nuk mund ta besojë as Aldo vetë! Ai click-on në Google…besoj. Madje, edhe ata që shohin këtë foto nga ekrani i shokut (e zemë se nuk dine të click-ojnë në Google) u avullon edhe ndonjë dyshim i vogël…Kur nuk e beson as vetë ministri!

Por, nëse je dhe më këmbëngulës e vendos të besosh me pahir (sepse ndonjëherë imazhi të gënjen) me siguri do nxjerrësh makinën llogaritëse të verifikosh:

3.4    milione vizitorë x 7% që janë grekë =238,000...opsss, po ministri thotë që bëjnë 225,175!!!

3.4 milionë vizitorë x 4 % që janë italianë=136,000.....opsss, po ministri thotë që bëjnë 147,018!!!

Mos më është prishur makina llogaritëse?!

Po sipas Aldos, gjermanët zënë vendin e 6-të në renditje me 2% (pra 68,000), në një kohë kur në renditjen e përkthyer në numër vizitorësh, gjermanët nuk figurojnë fare! Por kjo nuk pengon të figurojnë zvicerianët dhe amerikanët me shifër më të vogël se 68,000 e  gjermanëve.
U bë pak lëmsh situata, Aldo…

Madje, tani të jap të drejte për pamjen e fotos…trishtohu Aldo trishtohu…edhe ti zonja djathtas, ke plotësisht të drejtë…ti zotëria majtas, mund të vazhdosh të qash…

Epilog statistikor!


Në mbyllje të statistikave, Aldo-ministri  nënvizon :
“Në vitin 2012 parqet dhe muzetë e Shqipërisë janë vizituar nga 1, 4 milion vizitore vëndas dhe të huaj prej të cilëve janë gjeneruar 47,6 milion lekë.”

Pra, 47.6 milionë lekë: 1.4 milionë vizitorë = 34 lekë/vizitor
Domethënë, çdo vizitor (vendas ose i huaj) ka “gjeneruar” në parqet dhe muzetë tona shumën 34 lekë të reja, ose 340 lekë të vjetra !
Ky është sukses i “turizmit” të kësaj qeverie z.Ministër, apo sukses i “statistikave” tuaja?!
Në fakt, të dyja janë lemeri!

Epilog – Prolog!

S’thonë kot, “Çdo e keqe e ka një të mirë!”, dhe “Çdo fund e ka nje fillim!”
Vërtetë turizmi, kultura dhe rinia shqiptare do t’ia ndjejnë shumë mungesën Aldo, poooor, diplomacia shqiptare dhe të gjithë ne jemi krenarë që nëpërmjet imazhit tënd …(ministër –trishtimi?!)…energjisë (hmmm )….oratorisë (opssss) do të arrijmë rezultate të pakrahasueshme…( nejse), në arenën ndërkombëtare!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet/ Daci në Repolitix: PS më e favorizuara nga vota e diasporës! Basha: Do votojnë kundër pushtetit! Muça: Do jetë pjesëmarrje qesharake

Zgjedhjet/ Daci në Repolitix: PS më e favorizuara nga vota e diasporës! Basha: Do votojnë kundër pushtetit! Muça: Do jetë pjesëmarrje qesharake