Reshat Gega: E kam licensën, Tare
jep llogari për mozaikun e Melanit

Reshat Gega: E kam licensën, Tare<br />jep llogari për mozaikun e Melanit
TIRANE - Shumëkush më pyet se si a ka hallin Auron Tare që të është qepur e s’po të lë rehat në punën tënde. Shumëkujt i bën përshtypje demostrimi i një inati të verbër e pandalim që Auron Tare vazhdon të shkarkojë ndaj punëve dhe profesionit tim edhe pse, ai vetë nuk ka asnjë lidhje me fushën e trajtimit dhe restaurimit të monumenteve të kulturës.

Nga këshillat e ndonjë miku të sinqertë shpesh jam nxitur që ta lë rehat Taren në “hallin” që e ka zënë e të mos merrem me budallallëqet që prodhon truri i tij. Duhet të them se me variantin e të lënit pa përgjigje ndaj sharlatanit Tare dështova. Dështova pasi vura re se z.Tare paska instikte që e çojnë në drejtimin e kundërt të asaj që duhet të ndodhte normalisht.

Me lënien rehat ai më shumë u ndërseka dhe eksitohet deri në ekstazë prej nga fillon flet e leh duke tentuar përherë e më shumë për të të kafshuar, duke të sulmuar pa asnjë logjike e argument, e duke të dëmtuar në opinion me sajesa e mashtrime nga më të habitshmet.

Por çudia me e madhe, për mua e shumë të tjerë që e njohin Tare “specialistin” është se aty ku ai ka shpallur frontin e tij kryesor të “betejave” “shpëtimtare”, për trashëgiminë kulturore që po ia dëmtojnë, për sitet arkeologjike që po ia “zhvasin” e për Manastirin e Shën Kollit që po ia “rrëzon” Reshat Gega, pikërisht në këtë sferë ai figuron me dosje në prokurori për shpërdorime e abuzime, vjedhje e katranosje në kohën kur “mbretëroi” si kaporal në Parkun e Butrintit.

Ndërkohë është zënë si miu në çark kur zhdukte thesaret që ndodheshin në nëntokën e Qytetit antik të Melanit të cilat, sot e kësaj dite nuk dihet se ku kanë përfunduar. Ky Don Kishot i Trashëgimisë Kulturore shqiptare gjen kurajon e bën gati “armët” për të luftuar “armiqtë” e monumenteve tamam në sërën e atyre që janë profesionistë.

Qëllon majtas e qëllon djathtas qëllon lart e poshtë, hakërrehet e skërmit dhëmbët për të trembur ata që ka rrotull por mbi të gjtha për të helmatisur ambjentin me opinione të stisura e të ngopura me amullinë mendore që ai vetë ka. Ç’e shtyu këtë radhë të shkretin Tare që të lëshohet në sulme kundër meje pa frena fare? Ç’i shkrepi dhe ç’e pickoi?

Për mua pak rëndësi ka se ç’ndodh me këtë individ i cili, për fatin e keq të këtij vendi keqpërdor edhe petkun politik që i kanë besuar pasi mendon vetëm për të realizar teka dhe interesa personale, për të shfryrë mllefe dhe verbëri alogjike. Për të kamufluar paaftësinë dhe zullumet që ka bërë e që ndoshta vazhdon.

Në lidhje me budallallëqet që Tarja lëshon në publikimin e datës 14/05/2013 unë ja kam dhënë përgjigjen po me shtyp. I kam sqaruar atij e të tjerëve mjaft mirë të vërtetën e Projektit për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës për të cilin është ngritur qëllimisht një zhurmënaje me sajesa e ekzagjerime, me shtysa interesash egoiste dhe së fundmi me ngjyrimin politik që duan ti japin.

Për xhevahiret e tjera të Tares në lidhje me licencën time përsëri ai e ka marë përgjigjen edhe nga vetë ministri z. A. Bumci në Komisionin e Medias të datës 26/02/2013 kur, edhe pse Tarja mundohej ta bënte rrëmujë e ta qorollepste z.Bumçi i shpjegoi se nuk qe ashtu sikurse ai deklaronte. Nuk ka asnjë penalitet apo qëndrim ndaj licencës së ark.Reshat Gegës. Gjithashtu nukkishte asnjë lidhje me punimet në Manastirin e Mesopotamit.

Ka patur vetëm një parregullsi në dokumentet e subjektit dhe kaq. Kjo bisedë more Tare është e zbardhur dhe kushdo mund ta konsultojë lehtësisht në faqen përkatëse të Internetit. Asnjëherë nuk është diskutuar licensa ime si arkitekt restaurator more Tare. Nga i shpik dhe me sa papërgjegjshmëri ke guxim e dërdëllit për gjëra që nuk kanë asnjë grimcë vërtetësie?

Të kam thënë në një artikull -përgjigje të vitit të kaluar se ta kam zili për këmbënguljen dhe paturpësinë që ke për të sajuar. Zili ta kam edhe për atë që dëgjoj lart e poshtë në lidhje me ambiciet e tua aktuale për të kapur drejtimin e IMK -së meqë për ministër të spostuan. Guxim i paparë por që popullorçe thuhet ndryshe, guxim budallai. Ke me të vërtet vullnet.

Me artikullin e kësaj radhe më ke bërë një peshqesh të papritur. Nga verbëria që të ka kapur dhe nga dëshira që të bësh sa më shumë efekte në opinionin që të ka për “zemer”, nuk je mjaftuar vetëm me tregimet për “paudhësitë” e mia, por i ke dhënë atij mundësinë që të shohë fytyrën e Ark.Reshat Gegës. Ke publikuar një foto, timen në mënyrë që të më njohin mirë e ta kenë parasysh se kush është “krimineli” dhe “shkatërruesi” i monumenteve për të cilin je shumë i preokupuar ti.

Këtë foto timen, për hir të së vërtetës as unë nuk e dija se ekzistonte. Por pa dëshirën tënde më ke ccuar në ngjarjet e disa viteve më parë e më ke risjellë tek objekti që unë realizova në 2005, pikërisht Muzeun e Butrintit. Ndërkohë më rikujtove rolin tënd si drejtor kur nisën punimet për këtë muze e kur ti përfundove me një kallëzim penal nga ana e Ministrisë Kulturës për abuzime me fondet që ishin destinuar për këtë Muze.

Më kujtove përpjekjet e tua për të zhvatur firmën time si supervizor punimesh për punime që ti nuk i kishe realizar. Çudi! Nuk thonë kot që autori i krimit instiktivisht shkon në vendin ku e ka konsumuar veprën e krimit. Edhe ti je i kapur nga ky instikt me sa duket. Faleminderit për foton, rrofsh për kompletimin e opinionit, jo vetem me komente tau-tau por edhe me imazhin e figurës time prej “shkatërruesi” monumentesh.

Sa i takon problemit të Kishës të Shën Kollit në Manastirin e Mesopotamit, me ty nuk kam se ccfarë të them pasi do të qe jo vetem një humbje kohe por edhe ofezë për profesionin tim. Je vite drite larg të kuptuarit se cilat janë problemet në këtë monument, cila është rruga për zgjidhjen dhe metodologjia që ne ndjekim për të konservuar, restauruar dhe rivlerësuar këtë monument të papërsëritshëm për nga skema dhe programi ikonografik- arkitekturor. Nuk ia vlen të të lodh mendjen, boll e ke me halle kokën.

Në lidhje me këtë temë, për shkak të një dështimi të turpshëm në zbatimin me korrektesë të planit për fillimin e ndërhyrjeve restauruese ndaj këtij monumenti, totalisht për faj të palës që përfaqesonte Prof.G.Machiarella, i cili i shtyrë nga inati, egoizmi dhe turpi i humbjes, vitin e kaluar ka reaguar në një intervistë në shtypin e përditshëm. Të pavërtetave që ky profesor i nderuar jepte në median shqiptare unë i dhashë përgjigje bazuar në fakte e dokumenta.

Dokumentat flasin qartë si qëndron e vërteta mbi atë se nga erdhi dhe kush nxiti iniciativën për bashkëpunimin midis palëve. Dalin qartë shkeljet e palës tij në lidhje me shmangien për të konservuar monumentin. Dalin të qarta gjithashtu pikësynimet për ta kthyer bashkëpunimin në një ofiçinë për prodhim të sa më shumë masterave pse kishte fitime për ta.

Me përgjigjen dhënë, Prof.G.Machiareles i kujtova se si drejtor i palës italiane nuk duhej të shkelte rregullat e bashkëpunimit dhe të botonte materiale, të cilat i ishin komunikuar nga unë më parë në lidhje me të rejat e arkitekturës të Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam. Nuk duhej të botonin në mënyrë të njëanshme edhe punën e përbashkët që ne bëmë, veprim ky i cili në fund të fundit tregoj jo vetëm mungesë të sinqeritetit dhe respektit ndaj ligjeve por edhe shprehje kapadaillëku e karshillëku ndaj palës tonë, e pse jo edhe një lloj fryme dhe kompleksi supermacie me ndikime e reminishenca të shumë kohëve përpara.

Të gjitha këto që përmenda janë përmbledhje e përgjigjes që unë i kam dhënë mikut tënd Prof.G.Machiarella, i cili sot e kësaj dite nuk ka bërë ndonjë kundërpërgjigje. Ti vazhdon ta përdorësh të ashtuquajturin “denoncim” të z.Machiarella, sepse të intereson dhe bënë sikur nuk i ke lexuar kundërpërgjigjet e mija ndaj shou-denoncimit të tij. Ti vazhdon të përdorësh e ripërdorësh për çdo vit një letër që të ka dërguar miku yt që në 2010-n, pasi të intereson ta mbash ndezur artificialisht problematikën e sajuar. Hajde mjeshtër, hajde.

U bënë tre vjet që ti dhe shokët e tu, këtej dhe andej Adriatikut ulërini dhe shpresoni që të bjerë Kisha e Shën Kollit në Mesopotam. Njëlloj si rasti i qenve që i ulërijnë Hënës. Me shërbimet që kam bërë në konsolidimin e strukturave të arkitekturës në Kishën e Mesopotamit, të jeni të bindur se ajo mund të shembet vetëm kur Hëna të rrëzohet mbi Tokë.

Së fundmi, më duhet të të kopjoj pak në elementet figurativ të përdorura në palo-artikullin tënd në GAZETËN SHQIPTARE datë 14/05/2013, ku pëlqen të mbështesësh arsyetimet e tua “dërmuese” dhe “profesionale” me imazhin e një flete nga projekti i Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës. Mbase s’do të të pëlqejë, por unë do të të jap një peshqesh, ashtu sikurse ti më bëre nder me foton në hyrjen e Muzeut të Butrintit.

Gjatë vitit 2007-‘08 një ekspeditë arkeologjike, me drejtim dhe orientimin total të z.Auron Tare, pa asnjë leje nga organet dhe institucionet e Trashëgimisë Kulturore, pa zbatuar asnjë kriter në përkujdesjen ndaj vlerave monumentale, mbi e nën tokën shqiptare, pa licenca profesionale, shkurt në mënyrë hajdutçe, bëri gërmime në një parcelë afërsisht 5x3m ku ndodhej një bazilikë paleokristiane e shek.5-6 pas.kr.

Përfundimi i kësaj ekspedite qe një katastrofë. I tërë inventari i objekteve arkeologjike nuk dihet se ku përfundoi, ndërsa mozaiku i mrekullueshëm shkoi në shkatërrim total.

Dëmtimi dhe prishja e afreskut të mrekullueshëm të Onufrit në kishën e Shën e Premtes në Valsh ishte fatkeqësi për kulturën tonë. Kjo vetiu shkaktoi dëshpërim e natyrisht ranë edhe kambanat e kërkesës së llogarisë. Por, për mua dhe këdo që e di kush je ti ishte gjithashtu fatkeqësi shfaqja dhe protagonizmi yt si dhe lot-derdhja që demonstroje. Çfarë sarkazme dhe cinizmi njëherazi! Sa pafytyrësi dhe hipokrizi!

Vandalët e afreskut të Onufrit mund të jenë të joshur nga ideja për të bërë tregti me veprën e artit, mund të kenë shkatërruar me qëllim dhe vetëm për të dëmtuar kulturën tonë kombëtare, mund të jenë shqiptarë bastard ose të huaj të liq, antishqiptarë etj. Këtë nuk e dimë pasi akoma nuk janë identifikuar.
Po ti zoti Tare i ç’kallëpi je? Cila është licenca jote?

AKUZAT E TARES

Reshat Gega, pa licensë bën projektin e kalasë së Lezhës

Arkitekti Reshat Gega ka gati një vit që qëndron larg projekteve të restaurimeve pasi Keshilli i Larte i Restaurimeve i ka hequr licensën për arsye të demtimeve të monumenteve të kultures.

Arkitekti Gega i cili ka vite që punon për një firme të lidhur fuqimisht me rrethin e FAMILJES, ka qenë një prej përfituesve kryesore të fondeve të restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës. Restaurimet e bëra me një cilësi shumë të ulët dhe me kosto shumë të larta nuk kanë lënë asnjë gjurmë në Monumentet e Gjirokastrës.

Edhe pse ndaj arkitektit Gega ka një denoncim publik të bërë nga Drejtuesi i Misionit Italian që punon në Manastirin e Mesopotamit, Prof Machiarela për dëmtim të pa kthyeshëm të Kishës së Shën Nikollës, përsëri ky arkitekt ka qenë fituesi i shumicës së tenderave në Gjirokastër.

Sot kemi një Projekt (rijetëzimi i kalasë së Lezhës), të hartuar nga një arkitekt, i cili është shpallur nga MTKRS si dëmtues i monumenteve, fakt ky i përsëritur edhe nga ish Ministri Bumci në debatin e Komisionit të Mediave.

* ARKITEKT, RESTAURATOR

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi