Reshat Gega: Gënjeshtrat
rreth projektit të Kalasë së Lezhës

Reshat Gega: Gënjeshtrat <br />rreth projektit të Kalasë së Lezhës
Kam qenë përherë i parimit që mos të futesha në vorbullat mediatike, sa kohë në të shihej qartë se qëllimet e promovuesve që inicionin dhe shtynin fenomenin përpara binin erë jo e mirë për shkak se dukshëm mbartnin në thelbin e tyre interesa jo të sinqerta, të prirura për të deformuar të vërtetat. Mirëpo ja që nuk qenka e thënë të qëndrosh pa u “lagur” sa kohë që në të tilla situata debatesh publike dhe mediatike bëhen pjesë edhe ata që i takojnë kallëpit të “UNË DI CDO GJË”-së.
Ka kohë që në rubrikën ‘Kulturë e Trashëgimi’ e shpalosur në media, është bërë temë e nxehtë debati në lidhje me projektin e rijetëzimit të Kalasë Mesjetare të Lezhës. Më i habitshmi është fakti se ata që kanë qenë dhe janë më të zellshmit kundërshtarë, ose nuk janë njohur me projektin dhe flasin broçkulla ose djallëzisht, edhe pse e kanë në dije e servirin në opinion të deformuar duke e përshkruar si një monstër me objektiv shkatërrimin e vlerave të Kalasë. Me keqardhje më duhet të them se grupi i dytë i debatuesve dhe komentuesve përbën një lloj shumice të atyre që janë marrë e vazhdojnë të merren me këtë temë. Në mënyrën si këta zotërinj e përshkruajnë, atë se si do të katandiset ky monument pas realizimit të projektit, më saktë fantazmës që ata kanë në kokën e tyre, natyrshëm, për çdo njeri normal dhe me sa do pak kulturë do të ngjallej një perceptim negativ dhe kundërshtues. Reagim ky që është fare logjik dhe i drejtë, po të ishte e vërtetë fantazia diabolike e korit të ‘unë di çdo gjë’-ve.

Projekti për rijetëzimin e Kalasë mesjetare të Lezhës është ideuar dhe përpiluar nga unë. Këtë e dinë shumica e anëtarëve të korit kundër ashtu sikundër dinë mirë edhe përmbajtjen dhe programin që ky projekt ka. Në të gjitha pikat, ku ky grupim sulmon ka falsitet dhe sajesa me të vetmin qëllim që të sugjestionojnë e thithin sa më shumë vëmendjen e opinionit publik duke e çoroditur gjithkënd me termat ‘tym qoftesh’, ‘erë e bërxollave të derrit e përzier me ofshama të atyre që çiftosen aty pranë’ e të tjera artikulime banale folklorike të kësaj natyre. Kjo mënyrë demonstrimi e të ashtuquajturës “dhimbje” për vlerat e Kalasë së Lezhës sinqerisht më ngjall trishtim dhe neveri. Trishtim sepse ky kor zërash me kaq pathos e ngulçima me mënyrën djallëzore të të treguarit apo komentuarit të projektit për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës i japin njerëzve të thjeshtë një panoramë ireale dhe të shëmtuar, pa më të voglën brejtje ndërgjegjeje vetëm e vetëm se ju intereson të kapardisen si shpëtimtarët e trashëgimisë kulturore shqiptare, të demonstrojnë sa më shumë “profesionalizëm” dhe erudicion, dhe ndërkohë të realizojnë edhe ndonjë oreks politik.

Deri tani nuk kisha marrë përsipër të angazhohesha në sqarime dhe kundërshtime të gjithë kësaj tam-tameje pasi mendoja se ishte shumë e drejte që këtë detyrë ta merrte përsipër zinxhiri i instancave shtetërore që janë përgjegjëse dhe kompetente në shqyrtimin dhe aprovimin e këtij projekti për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës. Sqarimet zyrtare janë dhënë, duke u fokusuar në shpjegimin e asaj që realisht projekti parashikon për rijetëzimin e këtij monumenti. Është sjellë në vëmendjen e publikut fakti se hapat e parashikuara në projekt nuk kanë asgjë të përbashkët me ato që thuhen nga kori i kundërshtarëve.

Ndërhyrjet do të jenë mjaft të ekuilibruara dhe respekti ndaj vlerave të monumentit do të jetë konstante e pandryshuar në të gjithë procesin e realizimit.
Projekti i Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës ka si veçanti në radhë të parë konservimin, restaurimin dhe riaftësimin e të gjitha pjesëve përbërëse të saj dhe si komponente tjetër, në shërbimin e turizmit kulturor do të jenë një ambjent bari, një muze, qendër informimi turistik dhe antikuariat. Të gjitha do të realizohen në volumet ekzistuese, me pak plotësime të mbulesave dhe mureve. Pra për të gjitha këto funksione nuk do të ketë asnjë shtesë apo ndërtim të ri. Nuk do ketë në mënyrë absolute deformime e prishje të volumeve origjinale, përkundrazi këto do të afrohen tek origjina e tyre. Gjithashtu si pasojë e realizimit të restaurimit të mureve perimetral të Kalasë do të përfitohen e do të dalin në dukje shumë elemente të situatës ndërtimore dhe struktura urbane e hapësirës së brendshme të saj. Ky proces do realizohet me parametrat profesional më cilësorë, të shtrirë në të gjitha disiplinat si konservim dhe riaftësimi konstruktiv, sondazhe dhe gërmimet arkeologjike, përpunimet konservuese dhe ai estetik i rrënojave si edhe përcaktimi i një shteg kalimi sa më optimal në shërbim të perceptimit gjithnjë e më të lehtë nga ana e publikut vizitor duke e pasuruar procesin shpjegues me tabela dhe panele. E gjithë hapësira e Kalasë do të flasë si një muze në vetvete, ku do bëhet e mundur të lexohet historia, etapat e zhvillimeve arkitekturorë dhe çdo element që tregon jetën e saj.

Në raport me gjendjen aktuale situata pas ndërhyrjeve do të jetë me ndryshime të ndjeshme, natyrisht në drejtimin pozitiv. Aktualisht e tërë kalaja është nën mëshirën e forcave degraduese natyrore e vandale aq sa jo më shumë se para një dekade u rrëzua një trakt afërsisht 20ml i gjatë nga ana veriore e murit rrethues dhe për habi, askush nga grupi i të “ndjeshmëve” për bjerrje vlerash kulturore nuk e ka hapur gojën. Pothuajse e gjithë pjesa jugore dhe perëndimore i ka dhënë shenjat se do ndjekë të njëjtin fat pasi ka çarje të theksuara dhe përsëri asnjë merak për të kërkuar “llogari” nga kori i kësaj tam-tameje.
Nga erdhi gjithë kjo zhurmë për të ashtuquajturën “katastrofë” dhe “përcudnim” që paska për të ndodhur me zbatimin e projektit, të cilin unë kam përgatitur për Rijetëzimin dhe Rivlerësimin në Kalanë e Lezhës? Është e vështirë të përgjigjesh shkurt sa kohë që, duke parë disa nga personazhet kryesor të kësaj zhurmënaje pataksesh kur di mirë historitë dhe bëmat e tyre në kurriz të vlerave kulturore për kohët kur ata kanë patur mundësi protagonizmi zyrtar dhe qeverisës. Nuk ke ç’të thuash përveçse të ngelesh gojë hapur kur sheh zotërinjë që nuk ju dridh syri kur në Lëkurs u rrafshuan rrënoja banesash e kishat e periudhës së mesjetës. Si duhet të mendosh për ata që i vunë kazmën tërë nëntokës së një prej pasurive më të mëdha arkeologjike në rang mesdheu, Durrësit. Pa mend të lënë ata që nuk patën më të voglin turp kur morën vendime për të ngritur shumëkatësha mbi muret e Anastasit dhe ndërtim vilash mbi mozaik po në Durrës, e të tjerë që sot po na shiten për burra të mirë e të ndershëm. Është me të vërtet një situatë tragjikomike e mbushur plot episode ku personazhet e përlyer deri në grykë me mëkate ndaj Trashëgimisë Kulturore shiten si shenjtorë, filozofë dhe mjeshtra që japin direktiva për mënyrën se si na duhet të veprojmë me Trashëgiminë Kulturore. Mjerë Trashëgimia Kulturore!

Në gjithë këtë histori unë vlerësoj atë pjesë të zërave të cilët nuk kanë lidhje me mëkatet ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe sinqerisht shqetësohen për problemet duke e drejtuar vëmendjen në përmirësimin e sistemit të politkëbërjes, përkujdesit për ruajtjen e vlerave dhe kontrollit ndaj çdo veprimtarie, që destinohet në shërbim të turizmit kulturor, e realizuar kjo në hapësirat ,brenda ose pranë monumenteve.
Po e përsëris, mjerë Trashëgimia Kulturore kur sheh se bënë protagonizëm në dhënie mendsh e këshillash, duke u kapardisur si “studiues” për këtë temë, një personazh me të cilin kap kulmin nuanca tragjkomike e këtij “spektakli”. Edhe pse me qejfmbetje për shkak se nuk i kanë marrë dorën e nuk e kanë pyetur fare për atë se si duhet të punohet me Trashëgiminë, me Kalatë e qendrat arkeologjike, me objektet e kultit si manastiret bizantin dhe kishat paleokristiane, mbi dhe nën tokë, Ai, “studiuesi” dhe “mendimtari” me kënaqësi dhuron këshillat dhe idetë e “vyera”. Pasi jep e jep kontribut falas nuk harron inatin e fshehur në sirtar dhe shigjeton “paaftësinë” profesionale dhe “mashtrimet” e mia. Pyes veten se ku e ka tërë këtë “inteligjencë” dhe mprehtësi sa të kuptojë dhe arsyetojë kaq “mirë” për restaurimin dhe çdo gjë që ka të bëjë me monumentet, hapësirat urbane me vlera historike, site me pasuri arkeologjike mbi e nën tokë, nën ujë e mbi re!! Sa interesante!?

Më janë dhënë sugjerime nga shokë e miq që mos të reagoj ndaj llomotitjeve të tij duke lënë të kuptohet se nuk ia vlen.
Ky kallëp nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga rasti kur në një lagje apo qytet ekziston një sharlatan e llafazan, të cilit i shmangen të gjithë, të maturit e të kujdesshmit për të mos u futur në gojën e tij, pasi në radhë të parë do rrahësh kot ujë në hava, së dyti do detyrohesh të humbasësh kohë pa bereqet. Mirë po ç’ti bësh!? Në këtë rast mua më ndodhi si historia e atij që donte të largohej nga hajduti por ky i fundit nuk e lëshonte.
Mirë se e hodhi një tullumbace në Gazetën Shqiptare datës 24/01/012, faqe 21, ku me një gjuhë provokuese, plot gënjeshtra, pa logjikë e ndërkohë (kjo është e veçanta e tij) pa turp, por nuk i mjaftoj me kaq pasi këmbëngul dhe vazhdon të rideklarojë po të njëjtat gënjeshtra në faqen e Shqiptarja.com në intervistën me titull “Auron Tare kundër Berishës: Po fal 99 monumente”, paragrafi i tretë.

Kjo këmbëngulje tashmë nuk është lajthitje, por një qëllim në vetvete. Se ku e ka hallin ky “studioz”, i hallakatur, me profil ushtarak të nivelit të Kaporales nuk më intereson, por di që në këtë biçim llogoreje, nga të njëjtat pozita absurde më ka dalë edhe herë të tjera sikundër në kohën kur realizoja muzeun arkeologjik të Butrintit, në punimet për restaurim e konservim të kishës së Shën Kollit, Mesopotam, Sarandë, etj, dhe asnjëherë nuk e kam marrë mundimin ta sajdis me reagime. Kjo rendje e tij në gjueti të “gabimeve” apo “skandaleve” të punëve të mia, më sjell ndërmend një fabul tjetër atë të dhelprës që I shkonte pas dashit me shpresën se diçka do të binte në tokë. Kësaj here mësymja e këtij ushtaraku plot zell u bë më e vendosur duke vënë në përdorim strategjinë e gënjeshtrës deri në atë pikë sa e bëri të pashmangshme dhënien e një përgjigjeje. Mjerë Trashëgia Kulturore dhe e ruajt perëndia nga ky lloj “Adhamudhi”.
Së pari, meqë ti zoti Tare ngul këmbë se nuk qenkam autor i projektit të Rijetëzimit të Kalasë së Lezhës, për këtë do bëje mirë të shpreheshe se nga e ke marrë informacionin, unë po të them se sa kohë kërkon sqarim nga Ministri i MTKRS mund të presësh përgjigjen e tij. Bën vaki e të kënaqet oreksi nga përgjigja që mund të të vijë! Ti ndofta ke ndonjë mik që të ysht dhe ta çorienton inteligjencën për këtë temë, dhe unë do e hamendësoja si një mik me tipare të përafërta me të tuat, të kallëpit të kaporalit ose i një grade pak më lart i cili ndofta ja ka vënë syrin për ta eklipsuar e për të dalë më vonë si autor i këtij projekti. Çdo gjë bënë vaki në botën tënde të çudirave.

Së dyti,duke shprehur simpati të veçantë për “dashurinë” e madhe që ke ti për monumentet, më duhet të të them se në lidhje me çështjen “Mesopotam”, informacionet për sa dhe ca ka ndodhur me kooperimin jetëshkurtër të sapo nisur në vitin 2006 me palën italiane, i është dorëzuar institucioneve kompetente të linjës së trashëgimisë. U bë e qartë se drejtuesi i palës italiane kërkonte të aplikonte një katedër prodhimi masterash e të stërzgjatej e sorollatej në këtë proces me vite, në një kohë kur interesi i monumentit qe aplikimi sa më shpejt të ishte e mundur për ndërhyrje konservimi dhe restaurimi të kishës së Shën Kollit të këtij Manastiri. Ky monument nuk mund të priste gjatë pa ndërhyrje, të paktën ato që kishin të bënin më stabilizimin dhe sigurimin, qoftë edhe me teknika e mjete të përkohëshme. Rëndësi, për mua ka patur në radhë të parë ta siguroja këtë objekt për të mos pësuar asnjë dëmtim si edhe për të dhënë mundësinë e ecurisë së konservimit, riaftësimit të strukturave origjinale dhe rivlerësimit në të gjithë aspektet, ashtu sikurse programohej në projektin përkatës. Kur Qeveria Shqiptare filloj financimin e punimeve konservuese pala italiane (personi në fjalë) reagoi ashpër për shkak se ju prish inkubatori I prodhimit të masterave e po të njëjtin fat pësoi edhe shansi I përfitimeve nëpërmjet botimeve pa fund (hap ky, ku përsëri kanë bërë një shkelje të rëndë e cila do të jetë pjesë e një procesi juridik).Replikat dhe debatet nga ana e tij morën zjarr veçanërisht kur puna filloi dhe suksesi për masat konservuese ishte tepër i dukshëm. Në këto momente zotëria përfaqësues i “Ca'Foscari University”, Venice, të cilin ti e bëre goxha mik më pas, humbi jashtë mase qetësinë aq sa u fut edhe në mallkime për klasën politike, e cila nuk qenkësh e aftë të plotësonte orekset e tij, duke u lutur për një ndërrim sa më të shpejt të saj. Të gjitha çfarë jam duke të të thënë në lidhje me sa më sipër janë të dokumentuara dhe paraqitur aty ku i takon.

Më bën përshtypje se me sa kënaqësi përmend në shkrimin tënd “pragshembjen” e Kishës së Manastirit të Mesopotamit duke cituar thëniet e “përfaqësuesit” të palës italiane (me shumë të ngjarë është ideja jote), e thënë fjalë për fjalë; “...shumë shpejt kupola e Kishës së Mesopotamit do të bjerë..” Mënyra se si e artikulon ti këtë gjoja problem sinqerisht më tremb. Nuk e them këtë pse kam pasiguri për ndërhyrjet e bëra dhe për pasojë kupola do të bikërka! Pasi me masat që janë marrë për sigurimin e objektit nuk ka asnjë shans të ndodhi një gjë e tillë. Skema dhe teknika e ndërhyrjes për të garantuar qëndrueshmërinë e këtij monumenti i dha provat jo më shumë se një muaj nga realizimi i tyre. Në zonën e Nivicës, shumë pranë Mesopotamit ra tërmeti prej 4.6 ball dhe trupi i kishës reagoi mjaft mirë pa më të voglën shenjë problematike. Për mua dhe ekipin e specialistëve ka qenë një ditë e rëndësishme, pasi qëndrueshmëria që demonstroi e gjithë struktura e kishës ishte tregues edhe i saktësisë dhe cilësisë mjaft të mirë të punimeve që ishin realizuar deri në atë moment nga të gjithë ne.
Por çfarë më tremb nga thënia e mësipërme? Pse më shqetëson ai nënteksi apo nuanca ogurzezë e kësaj thënie? Shumëkush që njeh mirë se deri ku shtyn xhelozia, mllefi i errët shoqëruar nga injoranca dhe aventurizmi, menjëherë dhe natyrshëm vihet në alarm kur dëgjon të tilla komente e thënie djallëzore. Këtë parandjenjë të keqe për fatin e Kishës së Shën Kollit në Manastirin e Mesopotamit e provokuar nga mënyra se si ti e shpreh, po e konsideroj si një njoftim edhe në organet kompetente, të cilat kanë në vëmendje ruajtjen e vlerave dhe pasurive kombëtare. Uroj që mos të ketë iniciativa, qoftë edhe si ide për të bërë të vërtetë thënien ogurzezë të sipërcituar.

I nderuari “studiuesi” Tare, në shumë raste prononcimesh dhe reagimesh të tuat ke demonstruar patriotizëm plot pathos. Ka patur momente që më është bërë qejfi dhe të kam parë si të vërtet, për pak ma ke prishur mendjen. Por kur shoh se kompleksi i asaj dhelprës që përmenda më sipër të errëson e prish orientimin duke të çuar edhe në pozicione, për të cilat shumë etiketime mund ti përdorësh, por vetëm patriotizem jo, më vjen sinqerisht keq dhe qenien tënde patriot e vë në dyshim.

Nuk e di pse, por më ke hapur oreksin që të kujtoj shumë episode ku ti ke qenë personazhi kryesor dhe me pamje tejet larg asaj me të cilën ti reklamon veten.
Ti, flet për respektime të ligjeve dhe për çudi ka raste kur janë formuar dosje me bëmat anti-ligjore e abuzime gjatë kohës kur të varën në qafë drejtimin e Parkut të Butrintit. Kam uruar dikur të mos jenë të vërteta por disa nga faktet ishin shumë kokëforta.
Ti flet për respektim të vlerave kulturore, për ruajtjen e tyre nga vandalët dhe profanët, për studime shkencore dhe respektim të procedurave institucionale e profesionale. Ke mjaft “ide” në të ashtuquajturin promovim të Trashëgimisë Kulturore e magjithatë edhe në këtë plan ka episode apo veprime të tuat, të cilat i bëjnë zero të gjitha fjalët e bukura.

Po të sjell vetëm një shembull, i cili flet në mënyrë të përkryer për të gjithë formatin tënd si “studiues”, “respektues” i ligjit dhe rregullave për trashëgiminë kulturore, shqiptar i “mirë”, njohës i “përkryer” i arkeologjisë dhe historisë etj, etj, si këto epitete që ja ke dhuruar vetes, natyrisht me “punë” “studimore” të palodhur. Për episodin e mëposhtëm jam vënë në dijeni në mënyrë indirekte dhe rastësore.
Mora vesh për një ekspeditë arkeologjike plot “sukses” që ke iniciuar dhe drejtuar në territorin e Teqes së Melanit në vitin 2008. Më kanë thënë se kjo ekspeditë ishte instaluar në ambientet e kësaj Teqeje dhe kishte punuar disa ditë me radhë duke gërmuar pikërisht në parcelën ku ndodhet një bazilikë paleokristiane. Siç dihej në territorin në fjalë ka patur prej kohësh të dhëna dhe objekte që flasin për një faze jete të periudhës së hershme kristiane.
Natyrisht që për hulumtime arkeologjike dhe studime të të dhënave dhe territorit këtu, institucionet kompetente shqiptare kanë patur dhe kanë pikësynime dhe programe të cilave për arsye objektive nuk ju kishte ardhur radha të fillonin në shkallë të gjerë.
Mirëpo çështja është se ti z.Tare si “studiues” pakëz i nxituar, duke dalë edhe nga kultura shkollore ushtarake s’pyete për ligjin, rregullat e lejeve në raste të tilla e të tjerë hapa që janë detyrime për këdo, përfshirë edhe vetë arkeologët e instituteve shqiptare. Je për tu admiruar në kurajon që ke dhe me sa duket e dije mirë që nuk do të ndodhte asgjë.

Në bazë të ligjeve aktual kush gërmon në mënyrë klandestine, pa marrë leje, pa patur të drejtën profesionale, pa projekte të aprovuara e të tjera si këto, me të drejtë përfundon në ndjekje penale si shkatërrues i vlerave kulturore kombëtare, si hajdut i thesareve që ka nëntoka etj etj.

Nga gërmimi që kishte realizuar ekspedita jote z.Tare, tani nuk ka ngelur asnjë grimcë prej mozaikut i cili për nga cilësia ishte i mrekullueshëm, i denjë për tu radhitur tek më të mirët në rang rajonal e më gjerë. Me sa kam dëgjuar, edhe inventari arkeologjik ku ka patur objekte të dala nga varret mesjetare, materiali skeletor e kushedi çfarë tjetër, nuk janë dorëzuar pasi nuk ka patur asnjë procesverbal. Një procedurë zyrtare për dorëzime dhe klasifikim të çdo objekti e sendi të dalë nga ky gërmim (klandestin) nuk ka pasi ekspedita ashtu siç u ngul në atë territor, në fshehtësi dhe parregullsi me po të njëjtin stil u largua, me vrap duke marrë çdo gjë me vete dhe duke e lënë pjesën e gërmuar në mëshirë të fatit. Aktualisht, aty ku u realizua gërmimi i ekspeditës tënde z. Tare nuk ka ngelur më asgjë. Kjo lloj ekspedite meriton të quhet jo arkeologjike por ndëshkimore pasi me një efektshmëri admiruese ka asgjësuar një vlerë të pallogaritshme kulturore.
Ndëshkimi përkundrejt mozaikut dhe vlerave monumentale të bazilikës paleokristiane në Melan ka lënë një hije të frikshme dhe të çon në idenë se sa pa mbrojtje qenkan vlerat tona përballë një sharlatanizmi “specialistësh” të kallëpit Tare. Se si është gjendja e mozaikut në fjalë kushdo mundet të vejë e ta shohë në vend, katastrofë dhe dënim kapital i kësaj vlere. Kapitullim pa kushte i strukturave që janë të detyruara me ligj të marrin masa parandaluese dhe ndëshkimore ndaj përgjegjësve aventurierë, qofshin këta edhe me titullin “STUDIUES”.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri