Reshat Ibrahimi: Nëse vërtetohen
akuzat, Ciko të përgjigjet

Reshat Ibrahimi: Nëse vërtetohen<br />akuzat, Ciko të përgjigjet
Presidenti i Sindikatës së pavarur të artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi flet për diskutimet e fundit rreth Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, si i mbron sindikata artistët, çfarë bën ajo për të siguruar të drejta për ta, si i duket ligji i ri për Artin, kaq i kontestuar prej një pjese të komunitetit artistik dhe një opinion mbi rolin që mund të marrë sindikata në rast se provohet që artistët janë vënë të këndojnë para tre mjekëve kardiologë...
Ju jeni president i sindikatës së artistëve të pavarur të Shqipërisë. Çfarë ju lidh ju me artin dhe artistët, interesat e të cilëve duhet të mbroni?
Ne këtë vit festuam 10 vjetorin e krijimit të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, të cilët për herë të parë u mblodhën u organizuan dhe krijuan sindikatën e tyre. Krijimi i kësaj sindikate erdhi në një moment të vështirë në Pallatin e Kulturës pasi në atë periudhe ishte një ligj i bërë nga ministri i asaj kohe, i cili nuk u zbatua. Artistët e kundërshtuan këtë sepse nuk u morën mendimet e artistëve dhe ligji binte ndesh me interesat e artistëve në këtë kohë.
Në këtë situatë artistët u mblodhën dhe krijuan këtë sindikatë të pavarur në Shqipëri, u organizuan dhe paraqitën kërkesat e para pranë Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë. Në këto kërkesa ishte rritja e pagës për artistët, nënshkrimi i kontratës së punës, bërja e ligjit të ri mbi artin.
Në dhjetor të vitit 2005 sindikata e pavarur nënshkruajti kontratën e parë midis meje dhe ministrit Bujar Leskaj, kontratë e cila detyroi institucionet që të nënshkruanin kontratën e nivelit të dytë. Në 2007, Teatri Kombëtar, Ansambli Popullor, Qendra Kulturore për Fëmijë, Teatri i Kukullave, nënshkruan pra këtë kontratë që siguron që sindikata me punëdhënësin të krijojë një marrëdhënie ligjore.
Po ashtu në vitin 2006 u bë e mundur rritja e pagave për artistët ku paga mesatare deri tani ishte 240 mijë lekë të vjetra dhe aktualisht sot është 490 mijë lekë të vjetra, afërsisht mbi dyfishin e pagave. Fatmirësisht qeveria aktuale me kryeministër zoti Berishan bëri që të merren paga 500, 600 apo 700 mijë lekë mbi bazë aftësish.
Në vitin 2010 u bë ligji mbi artin dhe kulturën pra u ndryshua nga ligji skenik i 2006 u bë për artin dhe kulturën këtu u përfshin të gjithë gjinitë e artit, që janë në Shqipëri pasi në ligjin e parë nuk përfshiheshin.
Ky ligj po kundërshtohet nga disa artistë, duke argumentuar se ligji i jep shumë kopetenca dhe fuqi titullarit dhe nuk siguron të drejtat e artistëve.
Cilët kanë qenë hartuesit e këtij ligji. A kishte artistë në grupin e punës?
Ka pasur marrëdhënie shumë të mira mes grupeve të punës. Çdo institucion kishte përfaqësues. Nga Opera kanë qënë mbi 15 artistë si Irini Qirjako, Manjola Konjari, Gramoz Ruba, Gerdi Vaso, Aurel Thëllimi, Genc Kastrati, Irini Nikolla etj…Të gjithë këta kanë kontribuar në propozimin që ka bërë sindikata për ligjin.
Çfarë ndërhyrjesh u bënë dhe çfarë u arrit?
Për herë të parë në këtë ligj u bë e mundur që Cirku i Tiranës të kthehej në Cirk kombëtar. Meqë në 2005 ishte shkrirë Estrada e Tiranës, ne kërkuam kthimin e saj dhe falë dashamirësisë së kryeministrit u themelua Teatri Kombëtar i Komedisë.
A e keni përgatitur ju projekt-draftin e statusit të artistit dhe a jeni konsultuar me artistët për këtë?
Ne sapo kemi paraqitur edhe statusin e artistit. Kemi 2 vjet që përgatisim këtë projekt, kemi marrë kontakte me artistët për ta pasuruar sa më tepër këtë projekt-draft. Me 1 dhjetor 2011 ne ia paraqitëm këtë projekt draft ministrit Aldo Bumçi, si edhe kryeministrit dhe ministrit të punës.
Çfarë synoni me këtë projekt-draft për statusin e artistit?
Në këtë projekt që kemi për statusin e artistit shqiptar, edhe njëkohësisht ne kemi kërkuar të ndërhyhet në ligjin e sigurimeve shoqërore, duke u bazuar konkretisht në dy tre pika kryesore.
Pikë e pare, ne kërkojmë që të ulet mosha e daljes në pension për valltarët, balerinët dhe artistët e cirkut pasi ligji aktual parashikon që 54 vjeç del gruaja dhe 59 vjeç del burri në pension. Ndërsa pretendohet që më vonë të vihet mosha 60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat si moshë pensioni. Imagjinoni një grua në moshën 60 vjeçare të bëj numër cirku, të bëjë balet apo valle popullore. Ne kemi kërkuar që të ulet mosha nga 60 për femrat të bëhet '50, dhe nga 65 për burrat të bëhet 55. Njëkohësisht edhe për koristët, solistët dhe muzikantët e frymës kemi kërkuar të ulet një 5 vjeçar. Po ashtu ne synojmë të arrijmë edhe pikën tjetër që kur të dalë artisti në pension të marrë si pension 70 përqind të pagës bruto që artisti merr aktualisht, mbasi ligji aktual parashikon që të marrë 226 mijë lekë të vjetra.
Çfarë roli keni pasur në hartimin e rregullores së brendshme të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit? A keni bashkëpunuar me titullarin për rregulloren e brendshme?
Si në çdo institucion tjetër edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit sindikata ka një kontratë të nënshkruar me drejtorin, i cili nëpërmjet neneve që ka kontrata është bërë e mundur që çdo problem çdo marrëdhënie punë dhe detyrë që ka punëdhënësi për të realizuar sindikata gjithmonë ka qenë partner serioz. Konstatoj me kënaqësi se deri tani falë këtij bashkëpunimi të mirë dhe kontratës së punës, në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Ansambli Popullor prej disa vitesh ka një performancë të mirë, shfaqje dhe aktivitete nga më të ndryshmet që si ka pasur Opera më parë.
Për këtë problem që kërkoni ju, di që drejtori aktual i Operas dhe Baletit ka paraqitur te sindikata një projekt rregullore.
Kush e hartoi projekt rregulloren?
Unë nuk e di kush e ka hartuar. Di që drejtoria ka paraqitur në Sindikatë një projekt, i cili është shpërndarë në grupet permanente për të dhënë mendime në lidhje më këtë. Di që disa probleme janë përfshirë në këtë projekt rregullore.
Në çfarë viti është bërë kjo rregullore?
Di që para një viti është dhënë ky projekt nga drejtoria për të marrë mendime në lidhje me rregulloren.
Sot në TOB funksionon rregullorja e miratuar së fundmi?
Nuk jam në gjendje të flas për këtë, por di që kjo rregullore funksionon. Mund të ketë problemet e veta por funksionon rregullisht .
A informoheni ju si sindikatë rregullisht nga drejtoria e TKOB për buxhetin financiar?
Një nga pikat e kontratës është që në fund të vitit edhe 2 herë në vit të bëhet transparenca e buxhetit, e fondeve dhe mesa di drejtori aktual i ka bërë këto takime.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit ka ardhur shpesh kontrolli i shtetit, aty kanë konstatuar që këto nuk kanë shkelje, s'ka abuzime. Unë flas me letra. Mund të merren të shikohen këto letra.
A janë të hapur,artistët e TKOB që ti konsultojnë këto kontrolle?
Në momentin që sindikata konstaton nga kontrolli shtetit që aty ka shkelje dhe abuzime, artistët kanë të drejtën të mos qëndrojnë indiferentë.
Domethënë artistët lejohet të marrin informacion?
Patjetër sindikata e ka për detyrë të bëj transparencën me artistët dhe në rast që konstatohet nga ana ligjore që ka shkelje dhe abuzime, sindikata nuk qëndron indiferente. Por unë di që nuk ka ndodhur kjo gjë.
Për statutin e Operas a mendoni se ky statut mbron interesat e artistëve dhe a keni parë patur ju një përfaqësim tuajin kur është bërë statuti? Po vërejtje keni patur?
Në lidhje me statutin edhe në bazë të ligjit mbi artin, e përcakton dhe përpilon drejtoria dhe miraton Ministri i MTKRS.
A është e pranueshme kjo sipas jush?
Statuti i institucionit nuk është kornizë ligjore, përcaktohet qartë administrimi, funksionimi, organizmi nga ana ligjore si funksionon ky institucion. Statuti i një institucioni është strikt për t'u bazuar ndaj ligji e parashikon se duhet të hartohet nga drejtoria dhe e vendos ministri.
Në kërkuam që të përfshihej në ligj edhe e drejta që komuniteti i artistëve të japë mendimin e tyre në bordin artistik të institucionit. Por kjo nuk u arrit. Dhe bordi artistik është shumë i rëndësishëm, pasi është institucioni që miraton projektet, buxhetet, gjithë aktivitetin ekonomik- financiar dhe artistik. Ndaj ne kërkuam që ky bord artistik të merrte mendimin e artistëve. Meqë kjo kërkesë nuk na u miratua me ligj, sindikata arriti që me luftë të bëjë të mundur që p.sh. te opera dhe baleti kur mblidhet bordi artistik të marrë pjesë edhe kryetari i sindikatës, i cili pavarësisht se nuk ka të drejtë vote, ka të drejtë të jetë prezentë në diskutimet dhe vendimet e bordit.
A mendoni se interesat e artistëve janë plotësuar dhe mbrojtur nga ana ligjore dhe profesionale?
Deri tani e kemi arritur artistët janë të mbrojtur qoftë nga ligji aktual, qoftë nga kodi punës , në marrëdhëniet e punës nuk cënohen artistët, kemi caktuar marrëdhëniet e punës për mbrojtje të dyfishta edhe te statusit të artistit.
Po për të drejtën e autorit? A janë të mbrojtur artistët?
Që në 2006 ka dalë ligji për mbrojtjen e të drejtës së autorit. Për mendimin tim ka probleme të shumta dhe e kuptoj sindikata duhet ishte marrë më tepër me këtë çështje.
Kanë ardhur artistë të ankohen për shkeljen e drejtës së autorit?
Jo nuk di, që të e kanë ardhur artistë që janë anëtarë të sindikatës për këtë çështje.
Por është problem. Ata, në bazë të ligjit duhet të paraqesin te zyra përkatëse shqetësimet dhe të marrin atë që meritojnë
Deklarata e baritonit Ylber Gjini sot në Shqiptarja.com ishte e rëndë për tu pranuar në opinionin publik. Nëse është e vërtetë që një trupë artistësh jep shfaqje para 3 mjekëve a ka diçka që nuk shkon sipas jush? Çfarë duhet të bëjë sindikata? A shkelen të drejtat e njeriut dhe artistit në këtë rast?
Ne jemi në demokraci dhe çdo njeri ka të drejtë të paraqesë në të gjitha mënyrat që do një ngjarje a një fakt, dhe pastaj nëse kjo vërtetohet, pra nëse është e vërtet patjetër që sindikata e merr parasysh. Sigurisht sindikata merr pozicionin e saj.
Çfarë bën sindikata në këtë rast?
Në këtë rast sindikata i kërkon titullarit të marrë përgjegjësi për këtë punë, të japë shpjegime.
Meqë kjo akuzë është bërë publike a mendoni të bëhet një hap për të bërë një bisedë?
Unë do thoja që përpara se të bëhet kjo, duhet verifikuar kjo situatë, duhet të dalë e vërteta sheshit tamam, dhe nëse ka diçka patjetër që do të ndërmarrim këtë hap.
(Intervista eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë