Temperaturat e ulëta rikthyen reshjet e dëborës në disa zona të vendit, bashkë me to, edhe problematikat në disa akse rrugore.  Dëbora mbuloi edhe malin e Dajtit, çka solli rënie të ndjeshme të temperaturave edhe në kryeqytet.

Qukës Qafë Plloçë, e inauguruar vetëm katër muaj më parë është e bllokuar që prej ditës së djeshme, për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe inerteve.

Lëvizja e mjeteve për në juglindje të vendit bëhet nga Qafë-Thana, në të cilën ka vështirësi për shkak të prezencës së borës.

Po në Qarkun e Korçës, Maliqi është gjithashtu i mbuluar nga dëbora, por edhe me sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore të përmbytura për shkak të çarjes së argjinaturës në një segment në lumin Devoll.

Dëbora mbuloi edhe qarkun e Dibrës, por Rruga e Arbrit është e hapur me borë-pastrueset në terren. Njëra prej tyre teksa pastronte në afërsi të tunelit të Murrizit goditi një automjet që lëvizte në drejtim të Tiranës, i cili më pas u përplas edhe me dy makina e të tjera.

Dëbora solli vështirësi në qarkullim edhe në Qafën e Llogarasë në Vlorë, sidomos prej ngricave në rrugë.

Në Kukës po ashtu kanë nisur reshjet e dëborës, por të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, përfshirë Rrugën e Kombit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:56
Apel për drejtuesit e automjeteve, Policia Rrugore: Përdorni goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse!

 

Gjatë pasdites së sotme, drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka inspektuar shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbërit, për të parë nga afër situatën dhe për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës:

"Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla.

Vatoci apeloi për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit, duke u kërkuar shoferëve që për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren.

Shërbimet e Policisë Rrugore krahas Patrullave të Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë janë të gjithë në detyrë për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.