Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra dhe ironike ndaj deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili akuzoi kabinetin qeveritar për udhëtime private jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërkohë që në media shfaqen pamje të regjistruara inspektimesh.
Sipas Ramës, pretendimi nuk mbështetet në asnjë fakt zyrtar, ndërsa “kasetat” për të cilat flet Fevziu, kryeministri shkruan se prej vitesh nuk ekzistojnë më as si koncept. Rama sqaroi se çdo lëvizje e ministrave jashtë vendit për arsye personale është e dokumentuar, bëhet me kërkesë zyrtare për leje dhe vetëm pas miratimit të tij.
Rama shkon edhe më tej me ironi, duke e lidhur “bubullimën” e gazetarit me udhëtimet e tij të shpeshta në Amerikën Latine. Rama përmend udhëtime të Fevziut, nga mëngjeset me llapingachos në Ekuador te kafenë Caranavi në Bolivi, ndërkohë që kryeministri shkruan se emisioni i tij transmetohej sikur moderatori ishte në studio. Me ironi Rama thotë se Fevizu ndërsa tentonte të futej në Venezuelë, në ekran nxiste sherrin e panelit me policinë, por andej “policia e kthente mbrapsht duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.”
Në mbyllje, Rama u shpreh i gatshëm për një përballje publike mbi këtë temë, duke e konsideruar deklaratën e Fevziut si një "lajthitje" që kërkon të prodhojë alarm artificial.
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama
BREAKING NEWS
Blendi Fevziu i paskej rënë fort fare mbrëmë këmbanës së alarmit, duke deklaruar live në sallonin e tij se ka me fakte që “të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë”…
“Këtë jua garantoj”, ka thënë Fevziu, duke shtuar se “kjo është praktikë e paprecedentë, jashtë çdo standardi demokratik dhe nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës”.
Jo vetëm garancia e dhënë nga Fevziu nuk gjen mbështetje në asnjë fakt të regjistrit të udhëtimeve të ministrave (të cilët edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim) po është kaq larg realitetit, sa edhe vetë fakti që prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë:-)
E vetmja arsye që unë i gjej kësaj bubullime janë 7 udhëtimet e fundit të Fevziut në Amerikën Latine, ku Fevziu bashkë me Baton Haxhiun, andej hante mëngjes me llapingachos në Ekuador ose rrufiste kafen e famshme Caranavi 8500 këmbë mbi nivelin e detit në Bolivi dhe këtej grindej live në Opinion deri në mesnatë po me Batonin - natyrisht bashkë me korin e llazoreve të sallonit të tij - sa për kronikën e zezë të javës e sa për përgjimet e zbardhura të ditës…
E që të jem korrekt me faktet, udhëtimet mbetën 6 sepse teksa kaseta e TV Klanit, transmetonte Fevziun që i kërkonte llogari live natën në ekran policisë shqiptare për gjendjen e rendit publik, Fevziu i vërtetë i jepte llogari live paradite policisë venezuelane pse dreqin donte të hynte në atë vend. Dhe ndërkohë që live këtej në Opinion, Fevziu me kostum e kravatë nxiste deri vonë sherrin e panelit me policinë, live andej në kufirin e Venezuelës policia e kthente mbrapsht Fevziun me këmishë me lule e kapele kashte, duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.
Kjo shaka e mbështetur në fakte reale, ishte goxha më shumë se gjysma e të vërtetës dhe nuk kishte absolutisht qëllim të nxirrte ndonjë inat të paprecedent jashtë çdo standardi demokratik Blendi Fevziun, sepse është liria e tij të shkojë ku të dojë dhe e drejta e TV Klanit që ta transmetojë Opinionin live në mungesë të Fevziut.
Por nëse Fevziu e do fare seriozisht këtë temën idiotike të kasetave, e po të dojë edhe të udhëtimeve jashtë shtetit të ministrave natyrisht, atëherë dihet botërisht, unë jam gjithnjë i tiji, gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur pa dalë krejt mendsh e boje në këtë vend - pavarësisht lajthitjeve të teketukshme live si kjo e 7 ministrave, të cilat kanë edhe anën e tyre humoristike
***Bashkëngjitur 6+1 udhëtimet e Blendit

Komente










Do i dali boja shum shpejt qeverise.
PërgjigjuSe mos te na arrestojne Fevzon se ai ka edhe pashaporte amerikane dhe venezualianet jane pak te nervozuar me USA-n keto kohet e fundit. Se mos na e fusin ne ndnonje biruce mor aman, dhe hajde e nxirre pastaj. Atje jane me te eger se Spaku i Ols Dados. Te kujdesemi mor aman per Fevozon, s ena mbet Klani pa opinionista dhe s'shet dot reklamat .
PërgjigjuAq shume seriozisht a paska marre naltmadhnia sa paska marre mundimin ti kerkoje cerrave te tims gjithe infon se ku paska vajt Blendi dhe i paskan bere edhe nje grafik. Ka nje ndryshim te vogel, Blendi eshte person privat, ky tjetri "drejton" vendin
Përgjigju