Reshjet e dëborës janë rikthyer gjatë natës në juglindje të vendit dhe në Korçë, duke prekur segmentin rrugor Kthesa e Boboshticës–Dardhë. Sipas autoriteteve rrugore, bora ka rënë me intensitet të ulët, por mjaftueshëm për të kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Siç shihet edhe nga pamjet ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë gjatë natës me mjete borëpastruese dhe shpërndarje kripe, për të garantuar qarkullimin normal dhe sigurinë e drejtuesve të mjeteve në këtë aks malor. Deri mëngjesin e sotëm, rruga është e kalueshme pa probleme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në lëvizje dhe të ndjekin udhëzimet për qarkullimin në zonat me prani dëbore.