Nga Veriu në Jug, rrëshqitjet e dherave nga njëra anë dhe rreshjet e dëborës nga ana tjetër, kanë krijuar probleme e vështirësi me qarkullimin ne disa zona. Ndërsa akset kombëtare mbeten të hapura, shqetësime janë shfaqur më së shumti në rrugë dytësore.
***
Unaza në Burrel, e sapo ndërtuar, ajo ka dalë jashtë funksionit. Traseja është shembur duke e bërë të pamundur përdorimin e këtij aksi. Automjetet janë të detyruara tanimë të kalojnë përmes qytetit.
Në Veri të vendit akset kryesore janë plotësisht të hapura. Probleme vetëm me rrëshqitje të gurëve dhe inerteve. Ndërkohë, vijon normalisht qarkullimi në Rrugën e Arbërit, pasi u bllokua për gati 1 orë e 30 minuta pasditen e sotme, pasi drejtuesit e mjeteve lëvizin pa goma dimërore dhe pa zinxhirë.
Shqetësim ka në rrugët dytësore në Tropojë dhe Kukës. Në Shkodër, është bllokuar segmenti rrugor “Bogë – Qafë Thore – Theth”, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës, ndërsa nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve gjatë natës.
Në Jug të vendit, rruga e Llogarasë është e hapur, ndërsa në hyrje të Himarës, në Qafën e Vishës, rrëshqitjet e gurëve nga faqet e malit detyruan autoritetet të bllokojnë përkohësisht qarkullimin.
Në aksin kombëtar që lidh Tepelenën me Gjirokastrën, prej disa ditësh, qarkullimi bëhet vetëm përmes një korsie, për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave, pranë zonës së quajtur “Shkalla e Zezë”.
Në zonën e Korçës, rruga Qukës - Qafë Plloçë mbetet e pashfrytëzueshme, që kur katër ditë më parë, rrëshqiti një masiv shkëmbor.
Kalimi bëhet nga rruga e vjetër, përmes Pogradecit, ku sot dalja nga shtrati i përroit të Saselishtës, ka bërë që ujërat të mbulojnë një pjesë të këtij aksi, e ku qarkullimi bëhet vetëm me një korsi.
Gjatë ditës ARRSH njoftoi se pati një shkarje anësore e trupit të rrugës drejt Dardhës, ndërsa për shkak të dëborës, kalimi është i detyrueshëm me zinxhir.
Rrëshqitjet nga skarpatet e rrugëve, bllokuan për afro një orë qarkullimin drejt Gjinarit në Elbasan.
Në segmentin rrugor “Bogë – Qafë Thore – Theth”, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve gjatë natës, pasi rrezikshmëria është e lartë, edhe për shkak të kufizimit të fushëpamjes.
Ky segment rrugor do të mbahet i bllokuar deri në mëngjes. Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe vetëm në shoqërim nga mjetet borëpastruese dhe shërbimet policore.
Për shkak të motit të keq, të shoqëruar me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Në zonat malore, drejtuesit e mjeteve këshillohen të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse dhe të përdorin goma dimërore, për të garantuar siguri gjatë lëvizjes.
Njoftimi i policisë:
Apel për më shumë kujdes në rrugë. Për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia e Shtetit apelon që drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë më shumë kujdes gjatë qarkullimit.
Në zonat malore, drejtuesit e automjeteve të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse dhe të përdorin goma dimërore.
Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
* Moderoni shpejtësinë
* Mos kryeni parakalime të gabuara
* Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit
* Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.
Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
Kanë rinisur reshje bore në zonat e larta malore të qarkut të Kukësit. Reshjet janë regjistruar fillimisht në zonën e Shishtavecit dhe Valbonës. Borë ka edhe në segmentin Ura e Kollovozit–Shishtavec të rrugës nacionale Kukës–Shishtavec, si dhe në aksin Bajram Curri–Valbonë.
Aktualisht nuk raportohen probleme në qarkullimin e mjeteve, pasi kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e borës dhe trajtimin e saj me kripë.
I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç disa fshatrave të Njësisë Administrative Bytyç, konkretisht Kam, Lajthiz, Haxhibegaj, Zogaj dhe Xhuxhë; fshatrave Llugaj dhe Pac të Njësisë Administrative Llugaj; si dhe fshatit Çerem të Njësisë Administrative Margegaj, bashkia Tropojë.
Ndërkohë, zonat e ulëta të Kukësit vijojnë të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut. Si pasojë, rrugët nacionale dhe ato bashkiake mbeten problematike, për shkak të rënies së gurëve, inerteve dhe dherave, si dhe bllokimeve të tombinove në disa segmente.
Bllokohet Rrruga e Arbrit në afërsi të tunelit të Murrizit.
Shkak janë bërë reshjet e dëborës dhe makinat pa pajisje dimërore. Mjetet borpastruese po punojnë në terren për hapjen e rrugës.
Prej ditësh Kukësi është nën ndikimin e reshjeve të dendura të shiut dhe dëborës, të cilat po krijojnë vështirësi serioze për banorët e zonave malore. Në lagjen Gjuta, në fshatin Shtrezë të Njësisë Administrative Shishtavec, rreth 10 nxënës nuk po ndjekin mësimin, pasi për të shkuar në shkollat e fshatrave Shishtavec dhe Novosej u duhet të ecin në këmbë rreth 30 minuta në një rrugë malore fshati.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të urës së drurit, e ndërtuar nga vetë banorët rreth një vit më parë. Ura është e amortizuar dhe e rrezikshme për kalim, sidomos tani që kanë nisur edhe reshjet e dëborës, duke e bërë lëvizjen pothuajse të pamundur për nxënësit.
“Unë quhem Rilind Gjuta, jam nga lagjja Gjuta, fshati Shtrezë. Çdo ditë shkoj në shkollë në Shishtavec. Këtu është shumë e vështirë për të kaluar. Që kur u prish ura që kalonim, kemi bërë një urë provizore prej druri. Kur bie shi, ka shumë ujë, nuk mund të shkojmë në shkollë sepse na rreziohet jeta. Duam një urë që të shkojmë në shkollë. Jemi 5-10 nxënës, ka edhe fëmijë të vegjël”, tha një banor.
“Unë jam Hajdar Gjuta. Ne kërkojmë një rrugëm një urë këtu. Të kalojmë si të gjithë, rruga deri këtu nuk është as një kilometër. Urë nuk ka", deklaroi një banor tjetër.
Ndërkohë, banorët e lagjes Gjuta shprehen se ura e drurit dhe rruga rreth 1 kilometër e gjatë u shërbejnë afro 15 familjeve. Sipas tyre, prej më shumë se një viti ndodhen në këtë situatë dhe, sa herë ka reshje të dendura shiu apo dëbore, zona mbetet e izoluar, duke pamundësuar lidhjen me Kukësin dhe Shishtavecin.Sinkron:Mujedin Gjuta perfaqesues i lagjes.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për ndërtimin e një ure të re, e cila do të garantonte siguri dhe akses normal për banorët dhe fëmijët që ndjekin shkollën.
“Ne jemi lagja Gjuta, jemi 15 familje, rreth 70 anëtarë. Kjo rrugë na ka shërbyer për nevoja familjare. Ka një vit e gjysmë që është kështu kjo rrugë, e kemi bërë me forcat tona. Kemi njoftuar edhe Këshillin Bashkiak. Kanë thënë do e bëjnë. Para fushatës, sollën 5 turbina. Shirat e mëdha nuk i përballojnë, duhet një urë. Kemi rregulluar urën me dru, por nuk është e sigurt.
Lagjja Gjuta, në fshatin Shtrezë të Njësisë Administrative Shishtavec, ndodhet në një zonë të thellë malore dhe përballet çdo vit me problematika të ngjashme gjatë sezonit të reshjeve.
Situata në fshatin Bashaj të Bashkisë Selenicë vijon të mbetet problematike edhe këtë të shtunë, pasi rrëshqitjet e dheut nga masivi i malit kanë vazhduar, duke e bërë zonën tërësisht të pakalueshme.
Si pasojë e rrëshqitjeve të pandërprera, rruga që lidh fshatin me zonat e tjera është bllokuar plotësisht, duke izoluar banorët. Lëvizja është e pamundur, ndërsa familjet e zonës përballen me vështirësi serioze për furnizim me ushqime, akses në shërbime shëndetësore dhe ndihmë emergjente.
“Jam banor i fshatit Bashaj, quhem Eduart Skëndaj. Atje te lagja, shtëpia ime ja ku është, jetojnë prindërit e mi. Nuk kam mundësi si t’i marr tani. Janë 3 familje, të bllokuara 72 orë atje. Ka ardhur një mjet i bashkisë, nuk e dime a do bëhet lidhja e dy fshatrave. Në Bashaj janë 42 familje. Ka të moshuar që kanë nevojë për trajtim. Shkëmbi do bjerë nëse vazhdon shiu, trondit të gjitha shtëpitë që janë këtu, do jetë tërmet shumë i forte. Kanë ardhur forcat xheniere, ka ardhur kryetarja e bashkisë, ka ardhur edhe prefekti. Duam zgjidhje që të shkojmë në shtëpitë tona. Jemi në situatë kritike dhe shumë të vështirë”, tha një banor.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit të dheut, pasi rreziku mbetet i pranishëm dhe situata mund të përkeqësohet nëse kushtet e motit vijojnë të jenë të pafavorshme.
“Mua më quajnë Qerem Kaçi. Këtu ka ndodhur katastrofë, nga natyra. Rrugë nuk kemi pasur, vuajmë ne fshatarët, perëndia na bëri këtë, na mbylli rrugë fare. Më ka ndodhur një plasaritje në shtëpi, nuk po më vjen njeri. Kjo lidh shumë fshtara, fshati Bashaj, Matogjini, fshatin Dhërmi. Duam zgjidhje nga shteti. Të lidhemi me fshatin. Duhet të komunikojmë, të ecim, kemi stanet.Ndërkohë, autoritetet vendore pritet të dalin në terren për vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave emergjente, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar se çdo vonesë mund të rrezikojë seriozisht jetën e tyre dhe të thellojë izolimin e fshatit.", deklaroi një tjetër.
Ndërkohë, autoritetet vendore pritet të dalin në terren për vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave emergjente, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar se çdo vonesë mund të rrezikojë seriozisht jetën e tyre dhe të thellojë izolimin e fshatit.
Specialisti i Mbrojtjes Civile në Bashkinë Selenicë, Arqile Kokallaj deklaroi se rrëshqitjet kanë ndodhur për shkak të eriozionit. Ai thotë se duhet të përdoret rrugë alternative, për lëvizjen e banorëve.
“Situata është e vështirë për lidhjen e këtyre fshatrave, Bashaj, Matogjini me rrugën kryesore. Kjo si shkak i erozionit, fillimisht ka shkarë pjesa e Bashajt. Këtu aktualisht ka 3 familje, erdhëm mbrëmë t’i evakuonim, problem është te fshati Madogjin, nuk ka bazament toka për të qëndurar, ka pësuar çarje. Rrezik te Madogjini janë 3 familje. Ne, erdhi sot e inspektoi gjendjen prefektja e qarkut, deputeti Sinaj, kryetarja e bashkisë. Po mendojmë për një rrugë alternative, është një rrugë në fshatin Madogjinë, të zbresim në anën e lumit dhe të marrin rrugën për në Bashaj. Të përdoren tokat bujqësore, deri në një zgjidhje të dytë. Shkolla për momentin është e mbyllur”, theksoi specialisti.
Rruga Elbasan-Gjinar, pranë fshatit Lleshan, u bllokua për rreth një orë, për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Aktualisht, qarkullimi vijon, por me kujdes deri sa të pastrohet i gjithë dheu.
Në terren ndodhen automjetet e Bashkisë Elbasan dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, për të normalizuar situatën.
Shkarjet e dherave dhe gurëve në 24 orët e fundit, si pasojë e reshjeve të shiut, vijojnë të shkaktojnë probleme në qarkun e Kukësit.
Reshjet janë intensifikuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke krijuar një situatë serioze me rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trup të rrugës. Ndërkohë, reshje dëbore janë regjistruar në zonat veriore, në lartësi mbi 1100 metra.
Në Tropojë, për shkak të reshjeve, në segmentin rrugor Dushaj–Lekbibaj, në orët e para të mëngjesit pati rrëshqitje të masiveve shkëmbore. Vijon puna për largimin e masivit shkëmbor, ndërkohë që aksi mbetet i kalueshëm.
Rrugët nacionale dhe ato bashkiake vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve. Kontraktorët, me mjete dhe punëtorë, janë në terren pa ndërprerje për pastrimin e akseve rrugore.
Sipas Prefekturës së Kukësit, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. I gjithë qarku Kukës furnizohet me energji elektrike, përveç fshatit Kam, Njësia Administrative Bytyç, bashkia Tropojë. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për problematika të tjera.
Apelohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë drejt zonave malore me prezencë dëbore.
Komente







Bllokohen rrugët si pasoj e rënjeve të inerteve, sepse këto rrugë jan bër pa standard.Kompania qē bēn rrugën ,siguron edhe skrapatën anës rrugës me rrjet hekuri,gur etj.Këtu është iniciativa kush vjedh më shumë,kontrolle pë standartin e rrugëve nuk bëhen( kush do ti bëj,hajdutët).dhe pasojat jan këto,dhe populli i varfër paguan.
Përgjigju