Agjencia e Mbrojtjes Civile informon qytetarët për prezencë të shtuar të reshjeve të shiut që prej pasdites së sotme dhe ditën e nesërme në disa qarqe të vendit, lokalisht intensivë dhe shoqëruar me shtrëngata.
Thirrja u drejtohet dhe strukturave të Mbrojtjes Civile për të rritur vëmendjen dhe gatishmërinë për marrjen e masave parandaluese, kryesisht për ato zona me potencial të lartë për tu prekur nga përmbytjet.
Bashkitë në zonat me risk më të lartë të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren. Prefekturat të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Në fillim të këtij muaji, Shqipëria u përball me përmbytje masive nga veriu në jug. Dëmet ishin kolosale, sidomos në zonën e Durrësit, Lezhës, Gjirokastrës. Dëme të mëdha pësoi gjithashtu dhe sektori i bujqësisë. Gjithashtu u dëmtuan dhe akse rrugore.
Nga pasditja e së mërkurës moti përkeqësohet ndjeshëm në disa qarqe të vendit, me reshje të forta shiu, borë në zonat malore dhe det të trazuar në jug.
Reshje të dendura në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë
Qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës do të përballen me reshje intensive shiu nga pasditja e së mërkurës deri të enjten, sipas njoftimit të Institutit të Gjeoshkencave. Reshje lokale, por të dendura, parashikohen edhe në qarqet e Shkodrës dhe Korçës.
Në pjesën tjetër të vendit, reshjet do të jenë kryesisht mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata. Veriu, lindja dhe juglindja, veçanërisht zonat mbi 900 metra mbi nivelin e detit, pritet të përballen me reshje dëbore.
IGJEO paralajmëron për kujdes të shtuar, pasi reshjet dhe shtrëngatat mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe vërshime uji në zona urbane, sidomos në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Temperaturat pritet të luhaten nga 9 deri në 14 gradë Celsius në bregdet, 5 deri në 12 gradë në zonat e ulëta dhe 2 deri në 8 gradë në zonat malore.
Autoriteti Portual i Vlorës ndalon daljen në det të hapur për mjetet e vogla lundruese.
Për shkak të erërave të forta, me shpejtësi 15–25 m/s, dhe dallgëve që arrijnë deri në 2.5 metra, Autoriteti Portual i Vlorës ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit.
Ndalimi vlen për mjetet që operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, nga ora 06:00 e datës 28 janar deri në orën 06:00 të datës 29 janar 2026.
Autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e subjekteve dhe institucioneve të fushës së detarisë për marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Anijet e transportit detar ndërkombëtar do të vijojnë operimin normal sipas destinacioneve përkatëse.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 29 janar 2026.
Komente










