Edhe qarku i Elbasanit është përfshirë nga moti i keq këtë të enjte. Sipas njoftimit të prefekturës bëhet me dije se reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Elbasan-Gjinar-Zavalinë dhe Elbasan-Tiranë (aksi rrugor i vjetër nga Krraba).

Në bashkinë Belsh po mbizotëron një situatë problematike në disa zona. Sipas informacionit zyrtar, liqeni kryesor i Belshit ka shënuar rritje të ndjeshme të kuotës ujore dhe ka dalë nga shtrati.

Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit për të menaxhuar prurjet e shtuara, ndërsa si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit, segmenti rrugor Belsh-Trojas është aktualisht i bllokuar pasi reshjet vijojnë të jenë me intensitet të lartë dhe rruga vijon të ndodhet nën ujë.

Autoritetet lokale dhe strukturat e Emergjencave Civile ndodhen në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve dhe normalizimin e situatës. Deri më tani nuk kemi banesa apo biznese me prezencë uji.

Ndërkohë teksa Gjinari është zbardhur nga dëbora, autoritetet lokale këshillojnë të gjithë drejtuesit që automjet të jenë të pajisuara me goma dimërore ose zinxhir.

Në Bashkinë Prrenjas situata paraqitet nën kontroll dhe pa problematika. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa ekipi i punës ndodhen në terren duke monitoruar situatën në mënyrë të vazhdueshme. Deri në këto momente nuk raportohet për dëme apo vështirësi për qytetarët.

Sa i përket energjisë elektrike, raportohet se më këtë qark rreth 600 abonentë kanë probleme me energjinë e elektrike.

Fideri 6, Nënstacioni Librazhd - pjesërisht në punë në zonat Borovë, Stërblevë dhe Zabzun;

Fideri 4, Polis - Nënstacioni Librazhd - pjesërisht në punë në zonat Vilan, Sopot dhe Qafë Dardhë;

 Fideri 3, Nënstacioni Gramsh - pjesërisht në punë në zonat Komuna Tunjë, Kushovë dhe Pishaj.

Xh.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?