Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme gjatë ditës së sotme në zonat malore të Shkodrës. Në Theth, përroi doli nga shtrati dhe uji vërshoi në disa bahçe e toka të banorëve, ndërsa prurjet e shtuara të përrenjve dhe lumenjve malorë sollën vërshime edhe në Malësi të Madhe.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, njoftoi se situata në Theth është normalizuar dhe se nga verifikimet në terren nuk rezulton më prani uji në banesa, biznese apo toka. Edhe Emergjencat Civile, në përditësimin e orës 18:00, bëjnë të ditur se situata në këtë zonë po shkon drejt normalizimit, ndërsa reshjet kanë vijuar me intensitet të ulët deri mesatar.
Megjithatë, problemet me infrastrukturën rrugore mbeten. Aksi Theth–Ndërlysaj vijon të jetë i bllokuar nga materialet inerte që kanë rënë në rrugë. Sipas Becit, segmenti i pakalueshëm është ai i “Shkallës së Thethit”.
E dëmtuar rezulton edhe ura mbi Përroin e Shëut. Ekipet dhe mjetet e Bashkisë Shkodër po punojnë në terren për pastrimin e rrugëve Theth–Ndërlysaj dhe Prekal–Theth, me qëllim rikthimin sa më shpejt të qarkullimit.
Ndëërsa të gjitha njësitë e Dukagjinit janë pa energji elektrike, në Malësi të Madhe, probleme janë regjistruar në fshatin Preknicaj të njësisë administrative Shkrel.
Si pasojë e rritjes së prurjeve të lumit, uji ka mbuluar një pjesë të rrugës që lidh katër familje me aksin kryesor, duke vështirësuar kalimin. Megjithatë nuk raportohet prani uji në banesa.
Në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme, pa probleme apo emergjenca të raportuara.
Emergjencat Civile u bëjnë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet në akset e prekura dhe të udhëtojnë vetëm në raste emergjente. Prefektura e Shkodrës dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës.
Qarkullimi në aksin Theth Ndërlysaj në Shkodër është vështirësuar ndjeshëm si pasojë e reshjeve të dendura në zonë që nxitën edhe daljen nga shtrati të përroit. Siç shihet edhe nga pamjet në zonë uji ka vërshuar me furi duke e bërë të rrezikshme situatën për shoferët.
"Shërbimet e Bashkisë Shkodër janë në gatishmëri dhe po ndjekin nga afër situatën në Theth, në Njësinë Administrative Shalë. Reshjet e dendura të sotme kanë shtuar prurjet e përroit të fshatit. Për momentin, nuk ka rrezik për banesat. Aksi Theth–Ndërlysaj mbetet i bllokuar nga rënia e inerteve. Po marrim masat për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit" shkroi kreu i Bashkisë Shkodër Benet Beci në Facebook











Komente
Komento