Një pjesë e shëtitores 'Spile' në Himarë është përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Ujërat e ardhura nga pjesa kodrinore, kalojnë në kanalin kullues i cili nuk po përballon dot prurjet e larta.

Sipas banorëve, reshjet kanë qenë të dendura dhe të pandërprera për një periudhë të shkurtër kohe, por me intensitet shumë të lartë, çka ka bërë që prurjet e ujit të rriten ndjeshëm dhe kanalet kulluese të mos përballojnë volumin. Si pasojë, uji ka dalë mbi shëtitore, duke e mbuluar pothuajse tërësisht në disa segmente, ndërsa në zona të caktuara ka depërtuar edhe brenda banesave.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e kanaleve kulluese dhe sistemimin e përrenjve, duke theksuar se çdo stuhi shiu shndërrohet në rrezik për pronën dhe sigurinë e tyre. Sipas tyre, mungesa e mirëmbajtjes dhe urbanizimi pa planifikim kanë përkeqësuar situatën vit pas viti. Ndërkohë, pas ndalimit të reshjeve, uji ka nisur gradualisht të tërhiqet, por pas vetes ka lënë baltë, mbeturina dhe dëme të dukshme në banesa dhe hapësira publike.

Banorët janë detyruar të pastrojnë vetë ambientet, ndërsa presin një reagim konkret nga autoritetet për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate në të ardhmen. Reshjet e fundit kanë shkaktuar rënien e gurëve dhe dherave në Qafa e Vishës, duke bllokuar njërin krah të rrugës dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve. Sipas informacioneve nga zona, masivi i gurëve është shkëputur nga shpati përreth dhe ka përfunduar mbi asfalt, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Problematika nga moti i keq ka pasur edhe në Durrës, ku rrugët rreth stadiumit janë mbuluar nga uji. Në Kodrën e Currilave, një masiv dheu ka rrëshqitur duke bllokuar njërin krah të lëvizjes së mjeteve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:22
Moti i keq/ Përmbytje të banesave në Himarë, banorët: Përroi u mbush menjëherë, dëme në katet e para! Prezencë uji dhe në komisariatin e policisë

 

Reshjet e shiut të ditës së sotme shkaktuan përmbytje në Himarë pas vërshimit të përroit. Banesat që ndodhen afër shtratit të përroit, kanë prani uji dhe bante në katet e para duke i shkaktuar dëme në orenditë shtëpiake.

“Reshjet kanë qenë shumë të forta dhe përroi u mbush menjëherë. Uji doli në rrugë dhe hyri edhe në shtëpitë tona. Dëmet janë kryesisht në katet e para”, tha një banore.

Gjithashtu presencë të baltës dhe uji ka dhe përpara komisariatit të policisë.

Ora 16:50
“Doli përroi nga shtrati”- Kryebashkiaku Tavo tregon si paraqitet situata në Himarë: Problematika nga balta dhe inertet në rrugë! Përmbytje edhe në Qeparo

1770393098_Qeparo.png

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar një situatë problematike edhe në fshatin Qeparo të Bashkisë Himarë.

Përmes një njoftimi, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka shkruar se vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa.

Sipas Tavos, intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese.

“Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në Qeparo! Vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa. Pamjet e mëposhtme i përkasin lagjes Valta.

Intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese.

Jemi të gjithë në krye të detyrës për të punuar në normalizimin e gjendjes, riparuar dhe ç’bllokuar kanalet e bllokuara nga dheu dhe materialet inerte që kanë sjellë vërshimi i përrenjve. Jemi në punë, jemi pranë banorëve!”, ka shkruar Tavo në rrjetet sociale.

Po ashtu, përmes një tjetër postimi në rrjetet sociale, Tavo ka bërë të ditur se në qytetin e Himarës, por edhe në zona të tjera, po punohet për kthimin e situatës në normalitet.

Tavo ka shkruar po ashtu se dalja nga shtrati e përroit në zonë ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të Himarës, por edhe të zonave përreth që të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në përmirësimin e situatës.

“Po punohet për rikthimin e situatës në normalitet! Strukturat e Bashkisë janë në terren dhe në krye të detyrës për të eliminuar pasojat e vërshimit të ujërave në qytetin e Himarës dhe në zona të tjera.

Ndërprerja e reshjeve ka ulur intensitetin e prurjeve, por dalja nga shtrati e përroit ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike. Po vijon puna për normalizimin e plotë të situatës.

Bashkia Himarë apelon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht me automjete, dhe aty ku është e mundur, të bashkëpunojnë për largimin e degëve dhe mbetjeve të pemëve të transportuara nga ujërat”, ka shkruar në një tjetër postim Tavo.

Ora 15:36
Reshjet e shiut shkaktojnë rënie gurësh në aksin Dhërmi-Himarë, bllokohet njëra korsi e segmentit në Qafën e Vishës (VIDEO)

Reshjet e fundit kanë shkaktuar rënien e gurëve dhe dherave në Qafa e Vishës, duke bllokuar njërin krah të rrugës dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve nga zona, masivi i gurëve është shkëputur nga shpati përreth dhe ka përfunduar mbi asfalt, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të lëvizin me kujdes dhe me shpejtësi të reduktuar, pasi rruga është ngushtuar ndjeshëm.

Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim.

Ora 14:10
Pas reshjeve të shiut, vërshim uji në Himarë! Përmbyten banesa

Pas vërshimit në rrugë e shëtitore, ujërat e shiut, të dala edhe nga kanali kullues që përshkon zonën e Spiles në Himarë kanë përfunduar edhe brenda shtëpive. Aty ku ka nisur të përmbyten jo vetëm oborret e tyre por edhe katet e para. Ujë ka shkuar deri në disa centimetra.

 

Ora 13:32
Durrës/ Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash në zonën e Currilave! Bllokohet njëri aks

Mjaftojnë disa minuta shi për të kthyer tek qytetarët e Durrësit problematikën e përmbytjes së rrugëve dukë vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe mjeteve.  

Pas reshjeve të mesditës, në Kodrën e Currilave, një masiv dheu ka rrëshqitur duke bllokuar njërin krah të lëvizjes së mjeteve. 

Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët se reshje intensive priten në orët në vijim duke u kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Ora 12:55
Reshjet të dendura shiu në Durrës, prani uji në rrugët rreth stadiumit

Qyteti i Durrësit është përfshirë nga reshje të dendura shiu, duke bërë që rrugët rreth stadiumit të mbulohen nga uji. Ndërkohë raportohet për rrëshqitje dherash te kodra e Currilave, ku njëri aks është bllokuar. Por të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme.